U raportua se e kërcënoi Ferit Idrizin në Vushtrri, reagon Sylejman Meholli i VV-së

Kandidati i VV-së për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli ka reaguar pas raportimeve se e ka kërcënuar kandidatin e PDK-së, Ferit Idrizi.

Ai këto i quajti shpifje, duke thënë se do t’u përgjigjet me padi dhe procedura gjyqësore.

“Nuk ka shpifje që ndalon rrugën tonë drejt fitores! Shpifjeve dhe trillimeve do t’u përgjigjemi me padi dhe procedura gjyqësore – sepse e vërteta është arma jonë më e forte”, shkroi ai.

Përmes një postimi në Facebook, Meholli u shpreh gjithashtu se nuk i frikësohet askujt.

“Viktimizimi dhe shpifjet e ulëta nuk kalojnë më. Nuk frikësohem nga askush, e aq më pak nga ata që i ka frikësuar humbja! Fitore plebishitare asgjë më pak”, u shpreh ai.

Një tjetër shtet njohu Kosovën – Osmani e konfirmon lajmin historik!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Në një njoftim të bërë nga Presidentja Osmani, u theksua se kjo njohje u arrit me mbështetjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, gjatë një takimi të zhvilluar në Riad.

“Siria njeh Kosovën!

Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.

Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona. 🇽🇰🇸🇦

Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”, ka deklaruar Presidentja Osmani.

Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm për diplomacinë kosovare, duke rritur numrin e njohjeve ndërkombëtare në 120 shtete dhe duke thelluar marrëdhëniet me botën arabe.

Njohja nga Siria pritet të hapë rrugën për bashkëpunim ekonomik, kulturor dhe politikndërmjet dy vendeve, si dhe të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në organizatat rajonale e globale.

Rritja e pagës minimale, Murati merr këtë vendim

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëheqhet nga Hekuran Murati ka thirrur në takim përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të ndryshme për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale.

Takimi pritet të ndodh të enjten e 30 tetorit nga ora 10:00.

“Në emër të Ministrit të Financave, Punës dhe Trasnfereve, z.Hekuran Murati, ju ftojnë të merrni pjesë në takimin ku do të diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale. Takimi do të mbahet të enjten, 30 tetor, nga ora 10:00”, thuhet në email-in e publikuar nga Telegrafi.

“Tradhtar, shërbyes i Serbisë”: Gjykata e dënon me 5 mijë euro mërgimtarin që e kanosi Vehbi Kajtazin

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me pesë mijë euro gjobë Hysni Menxhiqin, të akuzuarin për kanosjen e gazetarit dhe drejtorit të Paparacit, Vehbi Kajtazi.

Aktgjykimi është shpallur sot nga gjyqtari Eroll Gashi.

Sipas aktgjykimit, i pandehuri është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të kanosjes.

I akuzuari, Hysni Menxhiqi, nuk e kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të rastit në shtator të këtij viti.

Menxhiqi, 62-vjeçar, është një shtetas kosovar me banim në Gjermani.

Sipas dosjes së prokurorisë, Menxhiqi, në gusht të këtij viti e kishte kërcënuar gazetarin Kajtazi përmes një komunikimi në rrjetin social Facebook.

”Vehbi Kajtazi apo vehbi taraku apo vehbi komandati un persanli jam ilodhur me ty. Vehbi tkanxan ne tuli far pozicioni ne prishtin tkam lirue patue qkye ftyra apatu qkye barku apo pate hi thesi ne krye Trathtar shërbyes I serrbis Teneqe pasha tok e qill ma nuk te lshoj pa eprovue se si duhet me vdek me vite te lutem po ti lutjen se njef ti je m** ti je f*******”.

Rrahje në veri të Mitrovicës

Një person dyshohet të ketë sulmuar dy të tjerë, babë e bir në veri të Mitrovicës.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Shef i planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Erduan Baliqi.

Ai ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje në komunikacion.

“Pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion një person i dyshuar i ka sulmuar dy persona, babë dhe djalë. Një person është arrestuar dhe dy viktimat i kemi sjellë në stacion. Të tre kanë kërkuar tretman mjekësor”, tha Baliqi.

Tutje Baliqi tha se rasti po hetohet për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe se nuk ka të arrestuar.

Kandidatja për asamble e AAK’së në Prizren jep dorëheqje pasi kjo parti bëri koalicion me VV’në

Suada Hallaqi ka dhënë dorëheqje nga pozita në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, pas koalicionit që kjo e fundit bëri në Lëvizjen Vetëvendosje.

Hallaqi, me anë të një reagimi që ka përcjellë në redaksinë e Gazetës Insajderi, ka thënë se vendimi për koalicion nga ana e kryetarit të degës, Besnik Krasniqit, u bë pa pëlqimin dhe vullnetin e anëtarëve të tjerë të AAK’së në këtë komunë.

Pos tjerash, ajo ka thënë se qëndron prapa AAK’së që refuzon bashkëpunimin me VV’në.

Postimi i plotë:

Të dashur familjar, miq dhe ju të nderuar qytetarë të Komunës së Prizrenit.

Qytetar të respektuar të Komunës së Prizrenit, shumë të respektuar përkrahës të mi në zgjedhjet e lokale, ju falendëroj shumë për përkrahjen dhe ju jam mirënjohës gjatë tanë jetës!

Unë që nga sot nuk do të jam pjesë e grupit dhe kryesise të asambleistëve të AAK-së! Dhe japi doreheqje nga pozita e nenkryetares se AAK ne Prizren.

Arsyeja është mos bashkëpunimi dhe kordinimi i përbashket në komunën tonë, barrikadimi i një grupi të interesit! Dështimet e AAK ne Prizren kane vetëm nje adresë dhe emër dhe ajo është kryetari i tanishëm Besnik Krasniqi, dhe skandali i tij i fundit. Kryetari ka pasur obligim që të mban mbledhje me kryesin e AAK në Prizren, dhe te merr mendimin dhe pëlqimin nga kryesia e AAK ne Prizren, ne lidhje me koalicionin e partis se VV, pa pëlqimin dhe pa vullnetin e AAK ne Prizren, dhe qytetarëve, ka nënshkruar marrëveshje kundërligjore të bashkëpunimit me VV ne Prizren. Po vet kryetari Besnik Krasniqi nuk e ka respektuar asnjë rregullore të partise te qendrës se AAK ne Prishtine, duke vendosur sipas interesit të tij personale.

Unë jam angazhuar për një Aleancë që nuk shitet për poste, por që qëndron mbi parime. Një Aleancë që refuzon bashkëpunimin me Vetëvendosjes.

Tani, kur shoh koalicione të njëpasnjëshme me ata që kanë shkatëruar besimin dhe shpresën tonë, ndihem thellësisht i zhgënjyer. Vullneti i qytetarëve te Prizrenit ka humbur besimin, kërkesa ime e fundit për ish-kryetarin e AAK ne Prizren është “Besnik jep dorëheqje” kryetari Besnik Krasniqi si bartës i listës ne AAK i ka marrë votat në emër të asambleistëve dhe në emrin tim, sespse ai kur nuk ka pasur mundësi qe të e arrin votat që i ka marrë ne emër të qytetarëve. Nga dita e sotit ai nuk përfaqëson asnjë qytetarë dhe asnjë autorizim nuk e ka nga partia Qendrore e AAK në Prishtinë.

Unë ju premtoj që do të jam zë edhe më i fuqishëm në realizimin e interesave të gjithë qytetarëve të komunës së Prizrenit!

Me shumë respekt dhe dashamirësi i juaji

Nenkrytare!

Suada Hallaqi /Insajderi.org/

Mbulesa islame në shkolla, Supremeja merr vendim

Gjykata Supreme ka refuzuar padinë për mbulesën islame në shkolla, duke konfirmuar kompetencën e MASHTII-t, për rregullat e uniformës

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditëses rrjeti i femrave për zhvillim profesional “Arrita”, e paraqitur kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTII), me të cilën ka kërkuar që të shpallet i paligjshëm dhe të shfuqizohet neni 3 paragraf 1, nënparagrafi 1.13 i Udhëzimit administrativ Nr.06/2014 të Kodit të mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta.

Pala paditëse pretendon se me Udhëzimin administrativ nr.06/2014, që është një akt administrativ i përgjithshëm, nuk mund të ndalohet ushtrimi i të drejtave dhe lirive kushtetuese të vajzave që mbajnë shaminë e kokës (mbulesën islame). Ajo ka theksuar se me neni 55.1 të Kushtetutës, saktësohet qartë se “të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”, duke shtuar se në katër vitet e fundit kanë pranuar ankesa të shumta nga vajzat që janë përjashtuar nga shkollat publike ose të cilave u është pezulluar vijimi i rregullt i procesit mësimor për shkak të bartjes së shamisë në kokë.

Gjykata Supreme e Kosovës deklaron se ka shqyrtuar me kujdes bazën ligjore të aktit nënligjor normativ të kontestuar, përkatësisht Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014, dhe ka vlerësuar se dispozita nga neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13, gjen mbështetje në Ligjin nr. 04/L-032 për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe në Ligjin nr. 04/L-138 për arsimin dhe aftësimin profesional.

Mes të tjerash, në njoftimin e Supremes thuhet:

Nga këto dispozita rezulton se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen – uniformën. Rrjedhimisht, akti nënligjor është në përputhje me autorizimin e shprehur ligjor të dhënë nga ligjvënësi. Përcaktimi sikurse në aktin e kontestuar, me të cilin ndalohet bartja e uniformës fetare në shkolla, gjen mbështetje në një akt më të lartë ligjor për nga fuqia hierarkike, andaj si i tillë nuk mund të shfuqizohet.

Gjykata është kufizuar në arsyetimin e pretendimeve, përkitazi me nenin 55 paragraf 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht për kufizimin e lirisë së besimit dhe fesë, si një ndër të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndërlidhur me këtë, Gjykata rikujton se, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me aktvendimin nr. KI 36/11, të datës 30 shtator 2011, në interpretim të drejtave dhe lirive themelore në pajtim me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), në pikën 76 të aktvendimit të saj ka theksuar se: liria fetare është kryesisht një çështje e ndërgjegjes individuale dhe përfshin edhe manifestimin e fesë në mënyrë private dhe publike, por nuk mbulon çdo veprim të motivuar nga feja. Në një shoqëri demokratike ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, kjo liri mund të kufizohet për të ruajtur harmoninë dhe respektin për besimet e të gjithë qytetarëve, duke theksuar rolin neutral dhe të paanshëm të shtetit si garant i tolerancës fetare. Gjykata ka vënë në dukje se rregullat lidhur me bartjen e simboleve fetare në institucionet arsimore ndryshojnë nga vendi në vend, duke u bazuar në traditat kombëtare dhe nevojën për mbrojtjen e të drejtave dhe rendit publik.

Gjykata rikujton po ashtu se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në shumë raste është përballur me ankesa që pretendonin se një individ i është nënshtruar trajtimit diskriminues në bazë të fesë apo besimit.

Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se ligjdhënësi, në mënyrë të tërthortë por të qartë, ka përcaktuar kufizime të pranueshme në lidhje me veshjen e nxënësve, duke i lënë në kompetencë të ministrisë përkatëse caktimin e këtyre rregullave nëpërmjet akteve nënligjore.

Gjykata Supreme çmon se rregullat e miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat ndalojnë bartjen e çdo veshjeje tjetër përveç uniformës shkollore, janë në përputhje me ligjin dhe me kompetencën e deleguar ligjore dhe si të tilla nuk përbëjnë tejkalim të autorizimeve të dhëna nga ligjdhënësi.

“Derisa kemi prijës që i frikësohet hijes së vet, Kosova ecën mbrapa”, kë po e ‘godet’ Lladrovci?

Kryetari i zgjedhur i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike në vend, duke thënë se përderisa Kosova ka prijës që i frikësohet hijes së vet, ajo ecën mbrapa.

Me këtë, ai la të kuptohet se e kishte fjalën për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili të dielën që shkoi nuk arriti ta formojë “Qeverinë Kurti 3”, pasi nuk i kishte numrat e nevojshëm.

Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se ata që do të duhej t’i prinin Kosovës, po i pengon historia dhe narracioni i armiqve të shtetit, të tjerët që kanë dëshmuar liderizëm, nuk po e marrin besimin, nga narracioni i ngjashëm.

Sipas tij, lider është personaliteti i cili nuk ia ka frikën aksioneve të para të armatosura, vendimit për fillimin e luftës çlirimtare, nuk i frikësohet çarmatosjes së Ushtrisë që i priu, nuk i frikësohet shpalljes së pavarësisë, themelimit të ushtrisë, nuk ia ka frikën integrimit të 7 a 8% të minoriteteve në institucionet e shtetit, nuk ia ka frikën emërimit të ministrave nga radhët e pakicave në qeverinë e shumicës, nuk ia ka frikën armiqve që i mundi me luftë dhe me diplomaci, nuk frikësohet të përkulet para varrezave të viktimave të kombësive tjera.

“A ka sot Kosova lider? Nga klima politike, shihet se kemi kryetarë të subjekteve politike, kryetarë të shoqatave, organizatave dhe asociacioneve të ndryshme, por, Kosovës i mungon lideri që e kthen motin e mirë me diell kur i duhet Kosovës, e sjell shiun kur i duhet tokës së Kosovës dhe sjell borën, kur i duhet grurit të Kosovës”, thotë Lladrovci në postim.

Peci kërkon 3 deri në 5 vite burg për Berat Buzhalën, Lirim Mehmetajn, Baton Haxhiun Ermal Pandurin, Adriatik Kelmendin, etjerë

Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, thotë se ‘disa gazetarë janë kriminelë’ dhe se për këtë duhet të dënohen ‘tri deri në pesë vite burg’.

“Unë jam opozitë në Mitrovicë, qysh është e mundur një kandidati që është opozitë, me ia organize një fushatë linçimi në nivel kriminal.

Më bë fushatë sistematike të linçit publik, me bë fushatë të orkestrume dhe prej të gjitha shkrimeve dhe goditjeve, qoftë pëmes debateve, qoftë përmes shkrimeve të rrejshme”, ka deklaruar Peci në tëvë1.

Mes gazetarëve që ai thotë se ‘do të duhej të dënoheshin me burg” janë: drejtori jonë Berat Buzhal, gazetari Lirim Mehmetaj si dhe gazetarë të tjerë si – Adriatik Kelmendi, Ermal Panduri, Baton Haxhiu, etj.

“Ata që kanë pasqyru gjatë gjithë ditës, dhe kanë denigru mbiemrin Peci dhe kanë thënë se po pëson fiasco, kanë thirrë aktivistë të VV-së, kanë thirrë me numra no name dhe iu kanë thënë gara po përfundon, të gjitha këto kanë qenë të organizume nga të ashtuquajtit gazetarë që për mua disa janë kriminelë, që ditën e zgjedhjeve dhe e thyejnë heshtje zgjedhore.

Me pasë rend dhe funksionim të organeve të drejtësisë ata marrin minimalisht 3 deri në 5 vite burgim sepse është devijim i vullnetit, është imponim i vullnetit, dekurajim i përkrahësve, kanë konsumu vepra penale për ça jemi në fazën finale të deponimit të kallëzimit penal për skemën kriminale nga Ermal Panduri, Lirim Mehmetaj, Berat Buzhala, Baton Haxhiu, Adriatik Kelmendi e shumë të tjerë.

Disa prej tyre edhe i kanë fshi postimet më pas, sikurse që është Valon Syla. Ata mund të thirren në emër të lirisë gjatë fushatës edhe pse nuk kanë lë gjë pa bë gjatë fushatës, por në ditën kur është me ligj e përcaktume heshtja zgjedhore, ata kanë qenë edhe më argesiv.

Krejt ka fillu nga Baton Haxhiu, që ka thënë se befasia e ditës do të jetë Mitrovica, mandej ka vazhdu skema kriminale e tv Dukagjini që do t’i padis ose do të bëj kallëzim penal edhe ndaj pronarit Ekrem Lluka, për gjithë skemën kriminale që ka vazhdu për një vit dhe ka kulmu ditën e zgjedhjeve”, ka thënëë Peci.

Peci: TV Dukagjini me skemë kriminale ndaj meje, Debat Plusi i jep minutazhë dhunuesit të hapësirës publike

Faton Peci, nuk ka ndalur akuzat ndaj televizionit Dukagjini dhe emisionit Debat Plus. Ai i është referuar gazetarit Lirim Mehmetaj (pa e përmendur me emër) Kështu u shpreh Peci, në tëvë1.

“Nuk jam i ashpër me mediat. Jam tepër i butë në raport me skemën kriminale. Unë kam thënë disa medie në thonjëza, nuk flas kurrë në konotacion negativ për mediat në Kosovë.

Unë në televizioinn dhe debatin që është vënë në shënjestër një vit kundër meje, kam qenë hiç më pak se nëntë herë.

Nëntë herë jam ballafaqu me një skemë kriminale të goditjes nën brez. Po flas për emisionin Debat Plus, ku është i vetmi program ku janë nda edhe minutazhë për ata që e kanë mision për me m’linçu.

Kam fakte për këtë. Ky televizion ka fillu me nda skemën programore, duke ia dhuru hapësirën mediale një personi që për mua është dhunues në Kosovë përmes hapësirës mediale që i dhurohet dhe ku ka proklamuar se kinse ministri i Bujqësisë ka marrë ryshfet nga kompania Apetiti. Disa herë i jam drejtuar organeve të Prokurorisë dhe drejtësisë.

Nëse dikush del në televizion dhe del akuza kaq të rënda, shumë e lehtë, e fton personin në fjalë dhe i thu na jep burimin e informacionit.

Ai ka qenë fillimi i një skeme të orkestrume. Ai ka vazhdu në mënyrë sistematike dhe kanë kulmuar me exit polle, me distancë prej 23%””, tha ai në tëvë1.

Për drejtësi ndaj çlirimtarëve: Veteranët protestojnë në zemër të Evropës më 16 nëntor

Kategoritë e dala nga lufta e UÇK kanë vendosur që protestën e radhës për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët që po mbahen në Hagë do ta organizojnë më 16 nëntor në ora 13:00 para asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media.

“Arsyeja pse është zgjedhur ky vend është sepse pikërisht këtu ka filluar padrejtësia ndaj UÇK-së, në momentin kur është votuar dhe miratuar raporti i Dick Martyt, i cili më pas u shndërrua në bazë për themelimin e Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së”, theksoi ai.

Ai tha se do të protestohet për të kërkuar drejtësi dhe për t’u kujtuar institucioneve evropiane se e vërteta për luftën çlirimtare të Kosovës nuk mund të shtrembërohet.