Presidentja Osmani i drejtohet sërish Kushtetueses

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Nga kabineti i presidentes thuhet se dilema është për shkak se partitë parlamentare kanë bërë më shumë propozime sesa parashikon Kushtetuta.

“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet nga kabineti i presidentes për Dukagjinin.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend me mbi 51 për qind në zgjedhjet e fundit, ka propozuar tre anëtarë në KQZ. Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka dalë e dyta në zgjedhje, ka propozuar dy anëtarë në KQZ, ndërkaq dy partitë e tjera shqiptare, LDK dhe AAK, kanë propozuar nga një anëtar, sikurse edhe partitë nga komunitetet jo shumicë.

Në këtë rast, presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se a u takojnë nga dy anëtarë LVV-së dhe PDK-së në KQZ, si dy partitë më të mëdha, apo në bazë të rezultatit zgjedhor të fundit, LVV-së i takojnë tre anëtarë e PDK-së një.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. Nëse ka më pak grupe, grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

Në përbërjen e fundit të KQZ-së, LVV-ja ka pasur dy anëtarë, PDK-ja dy anëtarë, kurse LDK dhe AAK kanë pasur nga një anëtar.

Dekreti i Presidentes, Gjykata Kushtetuese pritet të jap këtë përgjigje

Kjo javë pritet të jetë vendimtare për vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila pritet të qartësojë dilemën për zgjedhjen e presidentit pas masës së përkohshme të vendosur deri më 31 mars ndaj ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Burime të Indeksonlinet bëjnë të ditur se vendimi në Kushtetuese është drejt fundit dhe se pritet që t’i jepet një afat shtesë Kurtit për zgjedhjen e presidentit.

Burimet e Indeksonlinet bëjnë të ditur se vendimi mund të merret më së largu deri nesër dhe Kurti pritet të ketë një mundësi të re për zgjedhjen e presidentit.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e kuvendit u dorëzua nga kryeministri i Albin Kurti në emër të qeverisë

Akrepat lëvizin 1 orë para, me këtë datë ndërrohet ora

Si çdo vit, ndryshimi nga ora dimërore në atë verore do të ndodhë të dielën e fundit të marsit. Këtë vit, kjo përkon me datën 29, kur akrepat e orës shkojnë një orë përpara.

Ora do të mbetet në fuqi deri të dielën e 25 tetorit 2026.

Ndryshimi i orës, që synon kursimin e energjisë, zbatohet edhe në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Franca, por ka shkaktuar debate të shumta.

Kritikët thonë se ndryshimi i orës mund të ndikojë negativisht tek shëndeti, duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe probleme të sistemit imunitar, sepse ndërpret ciklin normal të trupit.

Ata gjithashtu argumentojnë se kursimi i energjisë nuk është gjithmonë i dukshëm.

E dhimbshme: 17 vjeçari nga Kosova vdes në Gjermani

Anik Avdullah Babatinca, 17 vjeç ka ndërruar jetë pas një aksidenti tragjik në Gjermani.

Familjarët e tij kanë bërë me dije se trupi i tij do të sjellët sot në Kosovë për t’u varrosur në varrezat e fshatit Pogragjë, në Gjilan, gjatë namazit të Ikindisë, në orën 15:13.

E pamja do të mbahet nga dita e enjte deri të shtunën në Podujevë, në shtëpinë e familjes Babatinca. /Klankosova.tv

May be an image of one or more people and people smiling

Albin Kurti feston ditëlindjen

Sot është një ditë tejet e veçantë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Më 24 mars shënohet ditëlindja e tij, ndërsa sot Kurti mbushi plot 51 vjet jetë, transmeton Klankosova.tv.

Ditëlindja e tij lidhet edhe me një ngjarje historike të Kosovës, ditën kur nisën edhe bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, në vitin 1999, 24 vjet pasi lindi ai.

Sinjale për rikthim? Osmani lë të hapur mundësinë për LDK pas 4 prillit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë sinjale të tërthorta për një rikthim të mundshëm në skenën partiake, duke lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së saj në Lidhja Demokratike e Kosovës pas përfundimit të mandatit presidencial.

Gjatë një takimi me qytetarë, Osmani u shpreh se deri më 4 prill – datë kur i përfundon mandati – nuk mund të komentojë çështje politike, por la të kuptohet se diskutimet publike për të ardhmen e saj janë të hapura. Deklarata e saj është interpretuar si një sinjal i kujdesshëm për një rikthim të mundshëm në politikën aktive.

Në të njëjtën linjë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka artikuluar prej javësh idenë e një “bashkimi të madh” të së djathtës në Kosovë, duke e konsideruar Osmanin një figurë kyçe në këtë projekt politik.

Abdixhiku ka theksuar nevojën për tejkalimin e ndarjeve të së kaluarës dhe ndërtimin e një fronti të përbashkët politik me orientim të qartë euroatlantik, duke lënë të kuptohet se LDK synon të rikthejë dhe konsolidojë elektoratin e djathtë përmes një platforme më të gjerë bashkimi.

Edhe pse Osmani aktualisht nuk mund të angazhohet drejtpërdrejt në aktivitete partiake për shkak të postit që mban, zhvillimet e fundit po ushqejnë spekulimet për një rikthim të saj në LDK, aty ku edhe nisi karrierën politike.

Raportohet se një orë para tragjedisë në Majac, Ardita dhe Ilazi u panë në këtë vend

Rrjedha e krimit që ndodhi të dielën mbrëma në Majac të Podujevës po merr një kthesë tjetër.

Klankosova.tv raporton se e dyshuara tashmë e ndjerë, Ardita Gashi, e cila vrau Ilaz Brahimin dhe gruan e axhës, Miradije Gashin, një orë para krimit kishte pirë kafe në një lokal me të dashurin e saj, 45-vjeçarin nga Obiliqi.

Sipas informatave që redaksia i ka siguruar, Ardita dhe Ilazi kishin hyrë të tensionuar në një kafene dhe aty kanë qëndruar për rreth një orë. Po ashtu, çifti tashmë i ndjerë kanë pirë nga tre kafe dhe herë pas here kanë folur me tone të larta.

Redaksia, ndër të tjera, ka mësuar se në momentin e pagesës, të dy janë ngritur në këmbë, ndërsa Ardita kishte lënë çantën e dorës në karrigen pranë tavolinës ku kishin pirë kafe. Menjëherë pas pagesës, ajo ishte kthyer për ta marrë.

Pasi 31-vjeçarja dhe 45-vjeçari kanë dalë nga lokali, janë nisur drejt veturës së tipit Volkswagen me ngjyrë të bardhë (targat e së cilës Klankosova.tv i ka siguruar). Fillimisht, Ardita ishte ulur në sediljen e përparme, por sipas burimeve, pas vetëm pak minutash ajo kishte kaluar në pjesën e pasme të veturës.

I vrari nga e dashura ishte mërgimtar, erdhi në Kosovë ta pres Bajramin me nënën – thotë hoxha

Vrasja tragjike e Ilaz Brahimit, që ndodhi mbrëmjen e kaluar, ka tronditur familjarët dhe miqtë e tij.

Mes shumë mesazhesh ngushëllimi, hoxhë Hasim Berisha ka ndarë një kujtim prekës nga biseda e tyre e fundit, duke lartësuar figurën e të ndjerit si një besimtar të devotshëm.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Berisha ka treguar se Brahimi ishte nisur drejt vendlindjes me një qëllim fisnik: të festonte festën e Bajramit pranë nënës së tij.

Hoxha ka kujtuar momentin kur Ilazi i kishte treguar arsyen pse nuk mungonte asnjëherë në Kosovë gjatë festave.

“Me pikëllim morëm lajmin për vdekjen e xhematliut, vëllait tonë Ilaz Brahimi. Vdekja e tij na tronditi. Ai ka qenë një besimtar i devotshëm dhe një djalë shumë i mirë. Ditën para se të nisej për në Kosovë më tha: ‘Hoxhë, çdo Bajram shkoj në Kosovë vetëm për hir të nënës’”, ka shkruar Berisha.

Berisha ka treguar se kohën e fundit e kishin kaluar së bashku në adhurim, pa e ditur se ajo do të ishte përshëndetja e tyre e fundit.

“Natën e Kadrit e kaluam së bashku deri në mëngjes, pastaj iku për të mos u takuar më me ne në këtë dynja. Zoti të mëshiroftë Ilaz, Allahu na bashkoftë në xhenetet e Tij”, ka shkruar ai.

Kusari-Lila: Nuk e shohim opsion lirimin e TVSH-së dhe heqjen e akcizës për derivate

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se po e përcjellin me vëmendje situatën lidhur me shtrenjtimin e naftës, që të mos ketë abuzime me çmim. 

Kusari-Lila është deklaruar pas kërkesës së dorëzuar nga AAK-ja për lirimin e TVSH-së për derivate dhe heqjen e akcizës.

Ajo ka thënë se po shqyrtohen kërkesat për tërheqjen e akcizës apo lirimin e TVSH-së po shqyrtohen, por tha se çdo ndryshim duhet të bëhet nga Kuvendi, që aktualisht mbetet i pezulluar.

“Jemi me vëmendje duke përcjellë situatën që të mos ketë abuzim me çmim, e dyta jemi duke përgatitur planifikime strategjike për ta rritur rezistencën ndaj rrethanave të krijuara në tregun botëror. Kërkesat që kanë të bëjnë me tërheqjen e akcizës apo TVSH-në jemi duke i shqyrtuar me kujdes, por jo që mund themi sot se mund të ndryshohet akciza. Si e parë e punës akciza është e përcaktuar me ligj dhe rrjedhimisht çfarëdo ndryshimi duhet bërë nga Kuvendi dhe e dyta, TVSH-ja dhe akciza janë të hyra të buxhetit që në situatën aktuale mbesin ashtu siç janë, por jemi duke shikuar se cilat janë mundësitë për të ndikuar nëse ka rritje të mëtutjeshme natyrisht në zinxhirin e furnizimit, pra që të mos ketë multiplifikim apo zinxhir të rritjes edhe te produktet tjera”, tha Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se lirimi i TVSH-së asnjëherë s’ka qenë opsion e as heqja e akcizës.

“TVSH-ja nuk ka qenë asnjëherë opsion, pasi është vështirë të monitorohet, pasi TVSH është ajo që paguhet nga qytetarët, prandaj lehtësisht thuhet, por është vështirë të bëhet, pasi mund të përfundojmë në situata kur hiqet TVSH, por çmimi mbetet i njëjtë, pasi operatorët ekonomikë nuk e heqin dhe ne nuk kemi mekanizëm për ta mbajtur çmimin tavan edhe për produkte të tjera. Sa i përket akcizës, mbetet të përcjellët, nuk e konsiderojmë si opsion, por e përcjellim situatën që çmimi nuk kalon çmimin e marzhës së caktuar”, ka thënë Kusari-Lila.

Vdes edhe e dyshuara për vrasjen e dyfishtë në Podujevë

Ardita Gashi, e dyshuara për vrasjen e dyfishtë në Majac të Podujevës, ka vdekur në QKUK.

Klan Kosova ka mësuar se vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor në Emergjencë, ku e njëjta po trajtohej pasi u vetplagos mbrëmë.

Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë edhe gruaja e xhaxhait të saj, Miradije Gashi, të cilën Ardita e qëlloi me armë zjarri të dielën.

I vdekur në këtë rast tragjik ka mbetur edhe i dashuri i të dyshuarës, Ilaz Brahimi, raporton Klankosova.tv

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot deklaroi se motivi i incidentit akoma nuk dihet.