E trishtë: Shqiptarja 29-vjeçare vritet nga burri, i dyshuari ekzekutohet nga policia

Një 29-vjeçare shqiptare është qëlluar për vdekje me armë nga bashkëshorti i saj, Anthony Deschepper, 38-vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Brampton, Kanada, kur burri i Savannah Kullës, nënë e 4 fëmijëve, e ka qëlluar atë në një parking, duke e lënë të vdekur në vend.

Autori pas krimit ka marrë një prej fëmijëve të tyre dhe ka tentuar që të largohet nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij, por është ekzekutuar nga policia, në tentativë për ta arrestuar.

Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin e Brampton, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur arsyet që çuan në këtë tragjedi.

Agim Bahtiri bën thirrje për unitet: Të bëhemi bashkë, armiku na don të përçarë

Deputeti i Vetëvendosjes Agim Bahtiri ka një thirrje për liderët partiakë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Teksa po ofrohet afati për formimin e qeverisë së re, Bahtiri ka bërë thirrje për unitet.

Ai ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të shkoj në zgjedhje të reja dy herë brenda vitit. Ndërsa ka thënë se duhet të bëhen bashkë, sepse armiqtë duan t’i shohin të përçarë dhe të dobët.

“Armiqtë tanë dëshirojnë të na shohin të përçare dhe të dobët, por ne duhet të jemi më të bashkuar dhe më të fortë se asnjëherë më parë sepse sa herë që atdheu jonë ka qenë në vështirësi, bashkimi ka qenë “arma” më e fortë me të cilën i kemi bërë ballë çdo armiku! Mos lejoni që interesat personale apo partiake të na pengojnë në rrugën drejt progresit. Kosova jonë meriton stabilitet, jo kaos; meriton punë, jo zgjedhje të pafundme që harxhojnë energjinë dhe besimin e qytetarëve”, ka thënë Bahtiri.

Postimi i plotë i Agim Bahtirit:

UNITETI është obligim kombëtar, jo zgjedhje!

_

Të nderuar kolegë deputetë dhe liderë partiakë,

Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës ndjej përgjegjësi, që të iu drejtohem me një thirrje vëllazërore:

Kjo javë, deri të dielën më 26 tetor, është afati për formimin e Qeverisë së re. Kosova nuk ka luksin të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare dy herë brenda një viti!

Armiqtë tanë dëshirojnë të na shohin të përçare dhe të dobët, por ne duhet të jemi më të bashkuar dhe më të fortë se asnjëherë më parë sepse sa herë që atdheu jonë ka qenë në vështirësi, bashkimi ka qenë “arma” më e fortë me të cilën i kemi bërë ballë çdo armiku!

Mos lejoni që interesat personale apo partiake të na pengojnë në rrugën drejt progresit. Kosova jonë meriton stabilitet, jo kaos; meriton punë, jo zgjedhje të pafundme që harxhojnë energjinë dhe besimin e qytetarëve.

Ne jemi zgjedhur për t’i shërbyer popullit, jo për ta lënë në errësirë. Ta ndiejmë përgjegjësinë e madhe ndaj atyre që na kanë votuar, ndaj historisë sonë të vuajtur dhe ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë.

Tani është koha të njohim njëri-tjetrin, kush do të dalë atdhedashës e kush përçarës!

AB

Me kë do të bëjë AAK koalicion në Prishtinë, Ramën apo Çekun- flet Bekë Berisha

Deputeti i AAK-së dhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, i pyetur rreth ndonjë koalicioni për kryeqytetin, ka thënë se ende s’ka menduar se çfarë do të bëjnë.

Berisha ka thënë se po presin se kush do t’ua bëjë ofertën më të mirë dhe se ende s’ka ndonjë ofertë zyrtare.

“Nuk kam mëndu ende çka kemi me bo në Prishtinë. I kemi pritë rezultatet. Do të shohim se kush na bën ofertë më të mirë”, ka potencuar deputeti i AAK-së.

“Ka oferta personale prej njerëzve e ide, por ende s’kemi zyrtare diçka”, ka thënë Bekë Berisha.

PDK ia mbyll derën VV-së në Gjakovë, por lë të hapur me AAK-në

Kryetari i ardhshëm i Gjakovës do të përcaktohet në balotazhin e nëntë nëntorit.

Pjesë garës janë Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gjini.

Diskutimet për marrëveshje mes partive kanë nisur, e Hajdar Beqa, kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë tha se nuk e përkrahin Lëvizjen Vetëvendosje.

‘’Ne do të kemi një konsultim me strukturat e partisë, por natyrshëm PDK-ja nuk e përkrah Vetëvendosjen. PDK-ja është parti institucionale dhe aty ku jam unë edhe kryetar dege është e pamundur bashkëpunimi me VV-në për shkak se të njëjtit e pengojnë zhvillimin e vendit, nuk shohë ndonjë mundësi bashkëpunimi me VV-në’’ tha Beqa për Indeksonline.

Tutje ka shtuar se ka pasur në të kaluarën bashkëpunim me Gjinin e AAK-së dhe se mund të diskutojnë përsëri.

‘’Ne me kryetarin Gjini kemi pasur një bashkëpunim të mirë në nivel kryetarësh, dhe mund të diskutojmë për çfarëdo forme të bashkëpunimit por po presim zyrtarizmin e rezultateve nga KQZ-ja, pastaj PDK-ja do të dal me një qëndrim’’, ka deklaruar Beqa.

Vlora Çitaku “thumbon” Gërvallën pas paraqitjes në OKB: Diplomacia nuk bëhet me spektakle për vëmendje

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas paraqitjes së fundit të Ministres në detyrë për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në një reagim publik, Çitaku ka kritikuar mënyrën e qasjes së institucioneve të Kosovës në raport me këto seanca, duke theksuar se fokusi duhet të ishte në uljen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj raportimeve të UNMIK-ut, e jo në “shfaqje të panevojshme”.

Përpjekjet e institucioneve tona duhet të ishin të përqendruara në drejtim të uljes së vëmendjes mbi seancat e tilla, e jo në shndërrimin e tyre në spektakle të pakëndshme dhe panevojshme,” ka shkruar ajo.

Sipas saj, raporti i UNMIK-ut që diskutohet në Këshillin e Sigurimit ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por e paraqet si “zonë konflikti aktiv”, ndaj nevojitet qasje e matur dhe koordinim diplomatik me aleatët.

“Suksesi i vërtetë ka qenë puna e përditshme, koordinimi i kujdesshëm me aleatët tanë dhe rezultatet konkrete që kemi arritur: reduktimi i frekuencës së raportimit të UNMIK-ut nga katër në dy seanca në vit, ulja e nivelit të përfaqësimit nga ai ministror në nivel ambasadorësh dhe krijimi i kushteve që numri i raportimeve publike të zvogëlohej edhe më tej,” ka shkruar Çitaku.

Në fund, ajo i drejton një kritikë të hapur klasës aktuale politike:

“Kasta aktuale politike le të gjejë forume të tjera për ta ushqyer nevojën për vëmendje dhe protagonizëm. Diplomacia nuk bëhet kështu.”

 

Rënie e madhe e çmimit të arit

Çmimi i arit pësoi rënien më të madhe në më shumë se një dekadë, pas një periudhe rritjeje të fortë. Të martën, çmimi i menjëhershëm ra me 6.3% në 4.082 dollarë për ons, pas arritjes së një niveli rekord prej 4.381 dollarësh një ditë më parë, përcjell albinfo.ch.

Kontratat e së ardhmes në SHBA ranë me 5.7%, rënia më e madhe që nga prilli 2013. Edhe çmimet e argjendit dhe platinës ranë ndjeshëm.

Rënia erdhi si rezultat i realizimit të fitimeve nga investitorët dhe optimizmit për rifillimin e negociatave tregtare SHBA-Kinë. Rikuperimi i dollarit dhe fundi i festivalit Diwali në Indi gjithashtu ndikuan në uljen e kërkesës.

Megjithatë, çmimi u rikuperua lehtë të mërkurën, duke u rritur me 0.4%.

LDK-ja pjesë e Qeverisë Kurti 3? Deklarohen nga kjo parti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrimin politik ndaj një bashkëqeverisjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Haziri tha se LDK ka mbajtur qëndrim të qartë që nga 9 shkurti, duke vendosur të garojë për fitore dhe, në rast të kundërt, të qëndrojë në opozitë.

“LDK nuk ka ndryshuar qëndrim politik. Para 9 shkurtit e ka thënë qëndrimin e vet politik, që ne hyjmë në garë për me fitu dhe nëse nuk fitojmë, ne rrimë në opozitë. Edhe pas 9 shkurtit e ka konfirmu në dy ftesa që lideri i partisë së parë, nga Lëvizja Vetëvendosje, i dalë me 9 shkurt, ia ka çu LDK-së si ofertë për bashkëpunim institucional në bashkëqeverisje”, deklaroi Haziri, transmeton Klankosova.tv.

Ai shtoi se LDK ka treguar korrektësi institucionale në proceset parlamentare, përfshirë votimet për nënkryetarët dhe kryesinë e Kuvendit, megjithatë nuk ka pasur mundësi të ndikojë në zhbllokimin e krizës politike.

Ne i kemi thënë ‘faleminderit’, dhe i kemi konfirmu qëndrimin e 9 shkurtit. Kemi demonstru lojalitet institucional tek vota e nënkryetarit të katërt, tek vota e nënkryetarit të pestë, për nënkryetarin e parë, të dytë e të tretë, për kryetarin e Kuvendit, me pjesëmarrje aktive në Kuvend. Por ne nuk kemi qenë të fuqishëm me e deblloku krizën, megjithatë e kemi paralajmëru”, u shpreh Haziri.

Momente vendimtare: VV paralajmëron formimin e Qeverisë Kurti 3 deri të dielën

Deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, është optimist se Qeveri Kurit 3 do të zgjedhet breda afatit kushtetues kushtetues për formimin e Qeverisë së re. Në një përgjigje për RTV21 deputeti Thaçi u bënë thirrje partive të ish-opozitës që të bëhen bashkë për formimin e institucioneve të reja.

‘’Sigurisht se është momenti që të zgjedhet Qeveria Kurti 3 dhe ne si LVV presim reflektimin nga ana e deputetëve të opozitës që të bëhemi bashkë dhe t’i krijojmë institucionet tona edhe pse ka pasur një vonesë në këtë drejtim. Sigurisht se do të ketë numra dhe do të kemi formimin e Qeverisë Kurti 3”, tha Thaçi

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dje tha se do të bëjnë përpjekje deri të dielën për sigurimin e numrave të nevojshëm për formimin e Qeverisë së re. Sipas tij, komunikimet me përfaqësuesit politik janë duke vazhduar, por vlerëson nuk e ka të lehtë krijimin e shumicës së nevojshme.

Ndërkohë, partitë e ish-opozitës PDK, LDK dhe AAK kanë konfirmuar për RTV21 se nuk preferojnë të bashkëpunojnë me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re me arsyetimin se Kurti gjatë qeverisjes së tij i ka sjellur dëme të mëdha vendit.

Të dielën e kësaj jave, kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, duhet të dal përpara  deputetëve të Kuvendit që ta dëshmojë nëse e ka shumicën apo jo për formimin e Qeverisë së re. Në rast se Kurti nuk arrin të sigurojë votat e nevojshme, sipas Kushtetutës, presidentja Osmani mund ta mandatoj një kandidat tjetër i cili e dëshmon shumicën në Kuvend.

Formimi i Qeverisë Kurti3, kjo parti konfirmon votën PËR

Deputeti i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli, ka deklaruar se partia që ai përfaqëson është e gatshme ta mbështesë formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Kinolli konfirmoi se janë zhvilluar disa takime me kryeministrin në detyrë dhe se pritet që gjatë ditëve në vijim të fillojnë bisedimet përfundimtare.

“Po, ne kemi pasur deri më tani disa takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe duke u bazuar në rrjedhën e këtyre takimeve, ne shpresojmë që institucionet dhe Qeveria të krijohen sa më parë,” tha Kinolli.

Ai bëri të ditur se Partia Rome e Bashkuar ka shprehur përkrahjen e saj për Lëvizjen Vetëvendosje që nga zgjedhjet parlamentare.

“Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur partia e z. Kurti doli fituese, ne ia kemi dhënë besimin zotit Kurti për formimin e Qeverisë. Vlen të ceket se për votën tonë nuk kemi vendosur ndonjë kusht, por kemi një marrëveshje xhentelmene – marrëveshje me gojë – që për herë të parë Partia Rome e Bashkuar do të përfaqësohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës me një post njëvjeçar,” theksoi ai.

Kinolli shtoi se ende nuk janë zhvilluar takime përfundimtare, por pritet që dialogu me Kurtin të vazhdojë brenda pak ditësh.

“Ende nuk kemi pasur takime konkrete, edhe pse koha po afrohet. Megjithatë, këto dy-tri ditë do të fillojmë bisedimet me z. Kurti për krijimin e kësaj qeverie,” përfundoi Kinolli.

Vdes veterani i UÇK-së

Veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rafiz Sejdiu, është ndarë nga jeta.

Kështu ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës në një njoftim të tyre, ku shprehin ngushëllim për familjen dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Rafiz Sejdiu ishte epror dhe ish-kryetar i OVL UÇK-së në Ferizaj.