Ish‑arsimtari i gjuhës angleze në Vushtrri dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim për ngacmim seksual ndaj nxënësve

Faik Kadriu, ish-mësimdhënës i gjuhës angleze në shkollën fillore të mesme të ulët “Andon Zako Çajupi” në Vushtrri, është dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim për veprat penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe ngacmimit seksual ndaj nxënësve të klasës së gjashtë.

Lajmin e ka konfirmuar për Tëvë1 zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.

“Lidhur me rastin që ju i jeni referuar, Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, me datë 21.10.2025 ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj të pandehurit F.K., duke i shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 4 (katër) muaj, për kryerjen e veprave penale: ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’ nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, dhe ‘Ngacmim seksual’ nga neni 183 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të KPRK-së”, deklaroi Haxhaj.

Rasti kishte ndodhur gjatë vitit 2022, ndërsa viktimat ishin nxënës të mitur të klasës së gjashtë. Kadriu tashmë është shpallur fajtor për veprimet e tij dhe ndaj tij është shqiptuar masa e dënimit me burgim efektiv.

Alarmon Sami Kurteshi, pretendon se në Han të Elezit janë shitur votat – kërkon nisjen e hetimeve

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komision Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka hedhur dyshime mbi vërtetësinë e votimeve në Komunën e Hanit të Elezit.

Në mbledhjen e parë të KQZ-së pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, Kurteshi ka kërkuar nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Policia lidhur për votimin me asistencë.

Kurteshi ka paraqitur disa parregullsi në Komunën e Hanit të Elezit, për të cilat ka thënë se parregullsi të tilla ka edhe në komunat tjera.

“Në Komunën e Hanit të Elezit pjesëmarrja është 5015 votues, nga ta 527 janë me asistencë, pra 10,51% të votuesve. Nga këta votues me asistencë – të verbër ose me shikim të dobësuar janë 243 votues kurse analfabetë 244. Sipas të dhënave të departamentit të pensioneve në Han të Elezit e kemi vetëm një të verbër që merr pension në shumën prej 300 eurove”, ka deklaruar Kurteshi.

Sipas tij këto shifra mund “të vërtetojnë” se votat me asistencë janë të shitura – të blera, ose të manipuluara.

Ai ka propozuar para KQZ-së që në Kosovë të ndalohet votimi me asistencë, ndërkaq në vendvotimet ku ka pasur numër të madh të votave me asistencë të bëhet rinumërimi.

Në Han të Elezit fitues është shpallur kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi. Ai është shpallur fitues qysh në raundin e parë me vetëm 130 vota dallim.

Pritet rinumërim në disa komuna, përfshirë Prishtinën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërimin e 16 vendvotimeve për zgjedhjet e 12 tetorit, për shkak të parregullsive në numërim.

Drejtori i sekretariatit të KQZ-së ka paraqitur sot para anëtarëve të Komisionit propozimin për rinumërimin e 16 vendvotimeve ku përfshihen komunat e Deçanit, Gllogocit, Prishtinës, Shtimes dhe Suharekës.

Sipas propozimit të tij, rinumërimi do të bëhet për shkak të diferencës në numrin e nënshkrimeve dhe fletëvotimeve.

Kësisoj, me rinumërim do të shuhen të gjitha dilemat për një proces të rregullt të votimit.

Deputeti i kësaj partie konfirmon se do të takohet me Kurtin për Qeverinë e re

Deputeti i Kuvendit nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli, ka bërë të ditur se do të zhvillohet një takim me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për diskutimin rreth formimit të Qeverisë së re.

Kinolli tha se, me kërkesë të Kurtit, takimi do të mbahet pas kthimit të tij nga vizita në Londër.

“Sipas informacioneve që kemi dhe me të cilat jemi dakorduar paraprakisht, po e presim kthimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që pas kthimit të tij nga Londra do të takohemi për formimin e Qeverisë. Do të kem takim unë si përfaqësues i komunitetit Rom, ndërsa për të tjerët nuk kam informacione”, deklaroi ai për RTV21.

Deputeti Kinolli theksoi se asnjë subjekt politik nuk pranon të përfshihet në koalicion pa kushte, por shtoi se janë të gatshëm të kontribuojnë në formimin e institucioneve të reja.

Ai gjithashtu përmendi se presin një marrëveshje gjentëlmene me Kurtin, ku si pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Partia Rome do të marrë atë që i takon, sikurse edhe deputetët tjerë nga partitë e tjera që janë të përfaqësuara në Kuvend me nga një deputet.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë edhe më të ashpër për Serbinë

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Serbinë, në të cilën theksohet polarizimi dhe represioni në rritje në vend, një vit pas shembjes së strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

Për rezolutën votuan 457 eurodeputetë, ndërsa kundër ishin 103.

Serbia gjithashtu ftohet të harmonizohet me politikat e BE-së në luftën kundër ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave të dezinformimit.

Teksti nënvizon se, edhe një vit pas tragjedisë në Novi Sad, hetimet nuk janë përfunduar dhe bën thirrje për “zbatim të plotë dhe transparent të procedurave ligjore pas hetimeve të organeve kompetente, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, në përputhje me sundimin e ligjit”.

Në dokument theksohet gjithashtu se ndikimi i Kinës në Serbi është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit përmes investimeve të mëdha infrastrukturore, duke ngritur shqetësime për transparencën, përputhshmërinë me standardet e BE-së dhe respektimin e rregullave mjedisore.

Rezoluta kujton se shembja e strehës shkaktoi protesta të paprecedenta në mbarë vendin, të udhëhequra nga studentët, të cilët kërkonin drejtësi, përgjegjësi institucionale, transparencë, zgjedhje të parakohshme dhe të ndershme, respektim të lirive qytetare, ndarje të pushteteve, liri të medias, fund të korrupsionit sistematik, si dhe më shumë investime në arsim.

Rezoluta shton se autoritetet serbe kanë përdorur dhunë ndaj kundërshtarëve politikë dhe forcë të tepruar kundër protestuesve në të gjithë vendin, duke vlerësuar se represioni është përshkallëzuar që nga fillimi i vitit.
Sipas burimeve të pavarura, protestuesit më 15 mars u sulmuan me armë akustike, gjë që ka ngritur shqetësime serioze për proporcionalitetin dhe ligjshmërinë e përdorimit të forcës.

Në dokument thuhet se që nga gushti dhuna është intensifikuar edhe më tej, dhe se agjencitë e sigurisë kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme dhe transmetuar biseda private, të cilat janë përdorur për të akuzuar studentët dhe aktivistët për vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë. Po ashtu, përmendet se njësia elitare ushtarake “Kobre” është dislokuar në terren dhe në një rast ka përdorur municion të vërtetë. /Zëri

Deputeti i Kuvendit të Kosovës konfirmon se do të votojë PËR Qeverinë Kurti3

Deputeti i pavarur nga komuniteti Ashkali, Artan Asllani, ka konfirmuar se do ta votojë pro Qeverisë Kurti 3.

Ai për GazetaBlic theksoi se vendit i nevojitet stabilitet dhe vazhdimësi në qeverisje, prandaj mbështet formimin e qeverisë së re

“Po, do të votoj pro Qeverisë Kurti 3, sepse besoj se vendit i duhet stabilitet dhe vazhdimësi në qeverisje”, tha Asllani.

Ndryshe, më 11 tetor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, që të formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Pavarësisht se kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë afat për ta paraqitur përbërjen e re të Qeverisë, deri më tani nga LVV nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

Nuk është raportuar për ndonjë takim apo negociatë me subjektet e tjera politike që do të mundësonte ndërtimin e një koalicioni qeverisës.

Kjo, pasi LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend për të formuar Qeverinë, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse.

Supremja pranon ankesën, kjo komunë mund të shkojë në rivotim

Gjykata Supreme ka bërë të ditur se ka pranuar si të bazuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke e prishur vendimin e mëparshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me numër ZL.Anr.217/2025, të datës 15 tetor 2025.

Me këtë vendim, çështja i kthehet PZAP-së për rivendosje, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

“Gjykata Supreme e Kosovës, nuk e ka pranuar si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me hedhjen poshtë si të palejuar të ankesës të parashtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke konsideruar se ankesa është dashtë të trajtohet në bazë të meritave dhe jo të hedhet poshtë si e palejuar.Ndaj, Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit AA.nr.92/2025 ka kërkuar nga PZAP që në rivendosje, t’i evitojë shkeljet e evidentuara ligjore dhe të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e subjektit politik AAK”, thuhet në vendim.

PZAP-ja e pati hedhur si të palejuar ankesën e AAK-së, e cila kishte kërkuar shpalljen si të paligjshme të zgjedhjeve komunale në Junik dhe organizimin e rivotimit, duke pretenduar se shkeljet e evidentuara në procesin zgjedhor kishin ndikuar në rezultatin përfundimtar.

Publikohen pamjet: Momenti tensioni para parlamentit serb, të shtëna armësh, dhe zjarri që përfshiu…

Një person është lënduar pasi një i dyshuar shtiu me armë në drejtim të tij, në Beograd.

Rasti ndodhi pranë parlamentit, në kryeqytetin serb.

Sipas RT-së, sulmuesi e plagosi 57-vjeçarin në ije dhe më pas ia vuri flakën tendës ku po qëndronin përkrahësit e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Përmes një reagimi të shpejtë të policisë dhe sipas urdhrit të Prokurorisë së Lartë në Beograd, u arrestua një person, Vladan A., 70-vjeçar.

Pamjet KËTU!!

 

Kaos para parlamentit të Serbisë, të shtëna dhe zjarr – Vuçiq paralajmëron adresim të jashtëzakonshëm

Një incident i rëndë ka ndodhur të mërkurën para ndërtesës së Parlamentit në Beograd, ku u raportuan të shtëna me armë zjarri në një kamp tendash pro-qeveritare. Sipas pamjeve të publikuara në mediat serbe, disa tenda shpërthyen në flakë pas të shtënave.

Sipas raportimeve, një person ka mbetur i plagosur, ndërsa pamjet filmike tregojnë ndërhyrjen e policisë dhe një burrë që del nga një prej tendave të përfshira nga zjarri.

Deputetja e opozitës, Marinika Tepiq, nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, deklaroi në platformën X (ish-Twitter):

“Dikush qëlloi me armë zjarri dhe më pas u vuri flakën tendave

Agjencia e lajmeve FoNet raportoi se policia i kishte njoftuar shërbimet e emergjencës për një shpërthim të një bombole gazi, gjithashtu përpara Parlamentit.

Në vendngjarje, forcat e rendit gjetën një burrë me plagë nga armë zjarri.

Autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë një version zyrtar mbi shkakun e incidentit apo identitetin e të plagosurit.Mediat serbe raportuan se oficerët e policisë që ndërhynë në vendngjarje dyshohet se i bërtitën sulmuesit të lëshonte armën.

Një burrë u gjet në vendngjarje me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit.

Siç është njoftuar nga Zyra e Presidentit serb, Vuçiq do të mbajë një fjalim të jashtëzakonshëm për publikun në orën 13:00 në Pallatin e Serbisë.

Nga një aktivitet ku ishte, Vuçiq e cilësoi aktin si “terrorist”.

“Po flas si i pari dhe kërkoj ndjesë që do të më duhet të largohem nga ky takim i mrekullueshëm. Arsyeja është akti terrorist që ndodhi para Parlamentit serb, kështu që do të duhet të merrem me gjëra të tjera”, tha Presidenti i Serbisë. /Reporteri.net/

Numërohen votat me kusht në Fushë Kosovë, a po i ‘shpëton’ balotazhit VV-ja?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e votave me kusht në Komunën e Fushë-Kosovës.

Në këtë qytet, votat me kusht e renditin të parin Valon Prebrezen e VV-së me 45 vota, ndërsa Besnik Osmanin e LDK-së me 22 vota.

Ndërsa, nga rezultatet preliminare, Prebreza në përgjithësi ka 9 mijë e 529 vota, ndërkaq, Osmani ka 7 mijë e 730 vota.

Edhe Komuna e Fushë-Kosovës, është njëra ndër 18 komunat që do të përballet në balotazh.