Rënia e madhe e LDK-së, reagon Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar për rezultatin e zgjedhjeve, ku LDK pësoi disfatë të thellë duke dalë parti e tretë.

Rama ka folur fjalë të mëdha për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda kësaj partie, duke e orientuar drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike, shkruan Reporteri.net.

Rama tutje shkruan se Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që sipas tij ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend.

“Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet mbrëmë e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve”, ka shkruar Rama.

“Vizionin e tij e dëshmoi edhe përmes zgjedhjes së njerëzve jashtë partisë për t’u shërbyer qytetarëve, duke përfshirë edhe kandidimin tim për kryetar të Kryeqytetit”, ka shkruar ai.

Postimi i Ramës:

Në një moment sfidues për demokracinë dhe etikën publike, Lumir Abdixhiku përfaqëson një model të lidershipit të përgjegjshëm. Ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike.

Investimi i tij në një program substancial dhe në një ekip përfaqësues dhe kompetent është një deklaratë e qartë se politika duhet të ndërtohet mbi ide, vlera dhe kapacitete reale.

Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend. Ai refuzoi nënçmimin e kundërshtarëve politikë, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si mjete të konkurrencës demokratike. Kjo qasje nuk është shenjë dobësie, por shprehje e një lidershipi të sigurt në vlera dhe të përkushtuar ndaj standardeve demokratike.

Ai mori përgjegjësi për proceset e rëndësishme me interes kombëtar, pa shmangie dhe pa populizëm, duke dëshmuar se politika e përgjegjshme kërkon llogaridhënie dhe guxim për të mbajtur barrën e vendimeve të mëdha.

Vizionin e tij e dëshmoi edhe përmes zgjedhjes së njerëzve jashtë partisë për t’u shërbyer qytetarëve, duke përfshirë edhe kandidimin tim për kryetar të Kryeqytetit, si tregues i bindjes së tij se përgatitja profesionale, integriteti dhe kompetenca janë mbi ngjyrat politike. Ky është një standard që e afron politikën me shtetin dhe jo me interesin e ngushtë partiak dhe është per tu marr shembull.

Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet mbrëmë e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve.

Kjo qasje dëshmon vizionin, pjekurinë dhe progresin e tij si politikan. Ky është modeli i lidershipit që ndërton dhe që bashkon shoqërinë, dhe që i duhet vendit edhe në të ardhmen.

Gjakova bastion i AAK-së, por votuan bindshëm Albin Kurtin, kjo është përqindja

Gjakova, e njohur tradicionalisht si një nga bastionet kryesore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka dhënë një mesazh të qartë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2025.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fituese bindëse në këtë komunë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje.

Me mbi një të tretën e votave të numëruara, Vetëvendosje ka marrë 53.88% të votave në Gjakovë, duke lënë pas AAK-në me 22.97%.

Partitë e tjera parlamentare kanë mbetur dukshëm prapa, me LDK-në dhe PDK-në rreth 9–10 për qind secila./Insajderi

KQZ përditëson të dhënat, këto janë rezultatet e fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar pak më parë të dhënat mbi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbanë dje në Kosovë.

Deri tani janë procesuar 99.34 për qind e vendvotimeve.

Këto janë rezultatet e fundit:

Haradinaj: AAK e gatshme të bashkëpunojë me LDK-në dhe PDK-në për formimin e qeverisë

Pas mbylljes së vendvotimeve dhe publikimit të Exit Poll-eve, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në konferencë për media tha se institucionet e vendit duhet të krijohen pa u vonuar shumë.

Ai theksoi se për të pasur Kosova qeveri, duhet të ketë marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së.

Haradinaj gjithashtu tha se partia që ai drejton është e gatshme të bashkëpunojë me këto dy parti.

“Ende jemi në një situatë afërsisht të njëjtët. Po flitet për mundësinë e ndonjë rritje në numër të deputetëve. Është situatë pak a shumë e ngjashme si herën para kësaj. Jemi dakord që të krijohen institucionet e vendit, mos të ketë vonesa. Për të pasur qeveri Kosova tani duhet të presim marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së, përshkak se e dijmë që bllokada është shkaktuar një vit nga Kurti dhe VV. Por s’kemi parë gatishmëri nga këto dy parti. AAK nuk ka qitë kushte për opozitën, por tani është momenti që të reflektojmë të gjithë, të mos e vonojmë vendim. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK dhe PDK”, tha Haradinaj në konferencë për media.

Përqindja e fituar nga LVV sipas rezultateve preliminare

Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë sipas rezultateve preliminare të KQZ-së

Nga 228 kuti të numërua  deri tash nga gjithsej  2,557, LVV ka 45, 11%.

E dyta është PDK me 19,11%, e treta LDK me 13,11%. AAK me 8,15%

Vjen reagimi i parë nga LDK: Kokën lartë

Jehona Lushaku është zyrtarja e parë e LDK-së që ka reaguar pas publikimit të exitpolleve televizive. Kryetarja e gruas në parti ka bërë thirrje që votuesit e tyre të mbajnë kokën lartë.

“Për të gjithë votuesit e sotëm të LDK-së: kokën lartë! Ju dua” shkruan Lushaku në reagim.

PDK po prin me mbi 50% të votave në këtë qytet

Ka nisur numërimi i votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, shkruan DEMOS.

Sipas 4,17% të votave të numëruara në Skenderaj PDK po prin në këtë qytet me mbi 50%.

 

KQZ-ja nis publikimin e rezultateve

Pak minuta pas mbylljes së qendrave të vendvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e rezultateve.

Rezultatet do të publikohen online në web faqen zyrtare të KQZ-së.

Për të parë rezultatet klikoni këtu.

EXIT POLL-i i RTV Dukagjinit: Kaq deputetë i fiton VV-ja

RTV Dukagjini ka prezantuar Exit Poll-in e realizuar nga kompania UBO Consulting për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas këtij Exit Polli, Lëvizja Vetëvendosje del e para me 45.7%.

Në vend të dytë Partia Demokratike e Kosovës me 22%.

Lidhja Demokratike e Kosovës me në krye Lumir Abdixhikun, gjithmonë sipas këtij Exit Poll-i, del të jetë e treta me 15.6%.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.3%.

Nisma nga ky Exit Poll të UBO-s ka arritur të marrë 1.7%.

Nga këto rezultate, Lëvizja Vetëvendosje pritet të marrë 52 ulëse në Kuvend, PDK 25, LDK 17, ndërsa AAK 6.

/Reporteri.net/

Exit poll-i i Agim Bahtirit: Tërmet 52%

Gjitha Exit Pollet e kanë nxjerr Lëvizjen Vetëvendosjen në mes të 43 dhe 45%.

Por, Agim Bahtiti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ka tërmet 52%.

“Termet 52% AB”, ka shkruar Bahtiri.