Zgjedhjet e jashtëzakonshme, LDK sot nominon kandidatin për kryeministër

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të mblidhet sot në ora 15:00.

Pos, diskutimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale, ky subjekt pritet ta nominojë edhe kandidatin për kryeministër, e që pritet të jetë kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku.

Pra, ky subjekt tashmë i ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Abdixhiku i priu LDK-së edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke arritur që t’i marrë 171 mijë e 357 vota, apo 18.27 për qind.

Vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt

Këtë të hënë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Në seancat e fundit janë dëgjuar disa dëshmitarë kyç, përfshirë Kanon Kokallën, i cili para trupit gjykues ka konfirmuar se është në lidhje familjare me dy të akuzuarit, ndërsa për Granit Plavën tha se e kishte shok gjenerate.

Tutje, i pyetur lidhur me sjelljet e vëllait të tij, tani të akuzuarit Kokalla, dëshmitari tha se ai ishte pjesëtar i FSK-së.

“Për faktin se ka qenë pjesëtar i FSK-së, do me thënë se ka qenë djalë i sjellshëm”, kishte deklaruar Kokalla.

Ai theksoi se familja e tij është ende nën tronditje nga rasti, ndërsa rrëfeu se për vrasjen kishte kuptuar nga një shok që i kishte shkruar në Facebook.

Më herët ishin marrë në pyetje edhe dëshmitarët Florian Avdija, Aurel Pajaziti dhe Valon Lluka.

Ekspertët e Psikiatrisë Forenzike kanë konstatuar se Naim Murseli dhe Granit Plava nuk kanë pasur çrregullime mendore në kohën e kryerjes së veprës.

Në seancën fillestare të 31 janarit, Murseli u deklarua i pafajshëm, Plava nuk u deklarua, ndërsa Kokalla kërkoi të konsultohet me mbrojtjen. I akuzuari tjetër, Tom Dodaj, kishte pranuar fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Aktakuza ndaj të pandehurve ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025.

Gjendet i vdekur një person në Prishtinë

Një person është gjetur i vdekur në banesën e tij në kryeqytet rreth orës 17:10.

Siç bën të ditur policia, viktima është një mashkull kosovar, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për autopsi, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes.

Shpend Ahmeti reagon pas paralajmërimit për ndërprerje të transportit publik në Prishtinë

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas paralajmërimit se nesër qyteti do të mbetet pa transport publik, raporton GazetaBlic.

Ahmeti tha se kur e morën Trafikun Urban kishte 1.5 milion euro borxh dhe 24 muaj paga të papaguara, dhe se procesi i blerjes së autobusëve është vonuar për shkak të mosmiratimit të garancionit nga Kuvendi nën qeverisjen e LDK-së.

Ai bëri thirrje për kompromis politik dhe takime urgjente për të shmangur ndërprerje të shërbimeve vitale si transporti, shkollat dhe çerdhet, duke theksuar se interesat e qytetarëve duhet të jenë prioritet.

Lekaj: E turpshme dhe e rrezikshme të krahasosh luftëtarët e lirisë me Listën Serbe

Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka reaguar pas krahasimeve të bëra mes luftëtarëve të lirisë dhe Listës Serbe, duke i quajtur të turpshme dhe të rrezikshme.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se luftëtarët e lirisë janë krenaria dhe themeli i shtetit të Kosovës, ndërsa Lista Serbe është një instrument i Beogradit.

Postimi i tij i plotë:

Është e turpshme dhe e rrezikshme të krahasosh luftëtarët e lirisë me Listën Serbe. Luftëtarët e lirisë janë krenaria dhe themeli i shtetit tonë, ndërsa Lista Serbe është instrument i Beogradit.

Kush i barazon këto dyja, ose nuk e kupton historinë e Kosovës, ose po i shërben një narrative që s’ka lidhje me të vërtetën tonë kombëtare.

Ata që s’kanë bërë asgjë për këtë vend, sot lehin poshtë e lart. Turp!

 

Ndërprerja e transportit urban, Abdixhiku: Mesazhin e Prishtinës nuk e paskan të qartë, do e marrin me 28 dhjetor sërish

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë një koment pas ndërprerjes së transportit urban, duke thënë se “Prishtinën e bllokuan, por LDK bllokuesit i la larg”.

Abdixhiku në një postim në profilin e tij në Facebook, shprehet:

“Mesazhin e Prishtinës nuk e paskan marrë qartë. Do ta marrin me 28 dhjetor sërish. Sepse Prishtina as nuk lakmohet e as nuk përdoret për beteja primitive të Don Kishotit me Sanço Pançot e tij”.

Ai shton; “Mund të bllokoni. Mund dhe të pengoni; sepse vetëm kaq dini, vetëm kaq mundeni. Por propaganda nuk e mund të vërtetën dot. Për 12 muaj të tërë, sikurse nën pushtim, e mbajtët Kryeqytetin pa buxhet. Na u dashtë të shpenzojmë energji e kohë që të mirëmbajmë Prishtinën me mund, të plaçkitur nga një sekt popullist që shkatërrimin e vendit e ka mision. Teksa shpërndanin vitra për votë; pa ligj e pa legjitimitet, për Prishtinë, Kryeqytetin e vendit të vet, në llumin e madh të burokracisë vazhduan ta mbajnë për plot një vjet”.

Sipas Abdixhikut, “Koha e tyre po mbaron.

Le të bashkohemi të gjithë.

Prishtina do të flasë sërish; e para”.

Adriana Matoshi i del në mbrojtje Mihalit: Dejona është punëtore dhe atdhetare që punon kundër hajnave që e kanë zhbi këtë shtet për 20 vjet

Deputetja e VV-së, Adriana Matoshi i ka dal në mbrojtje Dejona Mihalit, shkruan DEMOS.

“Dejona është punëtore dhe atdhetare që punon kundër hajnave që e kanë zhbi këtë shtet për 20 vjet”, shkroi Matoshi.

I plotë pa ndërhyrje:

A i keni nij najher tu anku se Dejona ka vjedh, ka marr tender, ose ka fal naj terminal?

Jo pra, prandaj shpifin dhe e sulmojne me sene te poshtra, se qasi jane vet.

Dejona eshte punetore dhe atdhetare qe punon kunder hajnave qe e kane zhbi kete shtet per 20 vjet.

Plasni, se kuleten e mban vec Albini, s’ka mi shti durt aty mo.

Edhe Gani Geci e pyet Dejona Mihalin: Kush je ti dhe çfarë po bën në Kosovë?

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, i ka reaguar Dejona Mihalit, pasi kjo e fundit e përkufizoi si të nënshtruar ndaj interesave biznesore.

Rama shkroi me pyetjen se “kush je ti dhe çfarë po bën në Kosovë?”

Këtë pyetje e shpërndau edhe Gani Geci, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

A do të ketë borë këtë javë? Ky është parashikimi i motit

Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se moti gjatë javës parashihet të jetë i ndryshueshëm, me intervale të shkurta me diell, i vranët dhe me shi.

E hënë

Moti i vranët dhe me intervale me diell.

 

 

Temperaturat minimale: 0-3°C

Temperaturat maksimale: 5-9°C

Era: Kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-4m/s.

 

 

E martë

Mot kryesisht i vranët.

 

 

Temperaturat minimale: 0-2C

Temperaturat maksimale: 8-11°

 

 

Era: nga jugperëndimi, me shpejtësi 1-5m/s

E mërkurë

Moti kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

Temperaturat minimale: 3-5 °C

Temperaturat maksimale: 10-13°C

Era: kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

E enjte

Mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.

Temperaturat minimale: 1 deri 3°C

Temperaturat maksimale: 4-6°C

Era: nga veriperëndimi , 1-4 m/s

E premte

Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat vende-vende mund te sjellin riga lokale shiu.

Temperaturat minimale: -1 deri 2°C

Temperaturat maksimale: 4-6°C

Era: e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

Alokimi i buxhetit, Murati del me një me njoftim

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama,konfirmoi ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme, për shkak të buxhetit të bllokuar.

Pas këtij lajmi, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se “Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike”, por sipas tij, stafi i komunës së Prishtinës kishte përfunduar orarin e punës.

Reagimi i tij i plotë:

Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.

Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.

Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm.

Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën.

Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielen.

Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend.

Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria.