Gjykata e obligon Qeverinë të rishikojë statusin e 19 mijë e 500 “veteranëve”

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka obliguar Qeverinë e Kosovës që të rishqyrtojë listat e veteranëve të UÇK-së.

Në një aktgjykim të shpallur të hënën në rastin e njohur si “Veteranët”, Gjykata tha se e obligon qeverinë që të formojë komisione të cilat do të bëjnë rishqyrtimin e listës prej 19 e 500 personave aplikues, të cilët dyshohet se e kanë fituar këtë status rrejshëm.

“Meqenëse në këtë procedurë penale gjykata nuk ka mundur të verifikojë individualisht secilin person të përfshirë në listën shtesë prej 19 e 500 personave për të cilët është marrë vendim për njohje të statusit të veteranit të luftës së UÇK-së nga komisioni dhe vendimi i Qeverisë, Gjykata vlerëson se shyqrtimi i vlefshmërisë së këtij statusi duhet t’i nënshtrohet një procesi të ri ligjor, të rregullt, administrativ”, tha kryetari i trupit gjykues.

Gjykata tha se komisioni i ri duhet të rishikojë përmbushjen e kushteve ligjore për secilin nga 19 mijë e 500 personat e përfshirë në listë.

10 nga 12 të akuzuarit për rastin “Veteranët” janë shpallur fajtor për veprën penale ‘keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar’.

Ata janë dënuar me nga një vit burgim secili veç e veç.

Aktgjykimi është shpallur sot nga një trup gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton Paparaci.

Në mesin e të dënuarve për këtë rast është edhe ish-kryeministri Agim Çeku.

Të dënuarit e tjerë janë Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Ndërsa, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj janë liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar për arsye se të njëjtit nuk e kanë pasur asnjëherë funksion zyrtar.

Djali i Jakup Kransiqit: Babi sot i mbushi 15 vjet nëpër burgje, në moshën 74-vjeçare është duke duruar padrejtësi

Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi i cili është djali i Jakup Krasniqit, ka shkruar për babain e tij, duke treguar se ish-zëdhënësit të UÇK-së sot i bëhen 15 vjet në burgje.

Ai teksa rikujtoi sakrificën e babait të tij, tha se është duke e duruar një padrejtësi, ndonëse i shtyer në moshë, duke iu referuar arrestimit nga Gjykata Speciale e Hagës, atje ku po mbahet në Dhomat e Specializuara.

Shkrimi i plotë:

Sot, babait tim i bëhen 15 vjet në burgje.

Sepse zgjodhi lirinë e një populli, e jo lirinë e tij;

zgjodhi luftën kundër gjenocidit serb, e jo heshtjen ndaj tij;

zgjodhi Kosovën shtet, e jo më kurrë nën Serbi.

Në vend që ta shijonte rolin e gjyshit me mbesat e tij, çdo ditë e më shumë po plaket në qeli, larg vendit të tij.

Prandaj, sot, ende në moshën 74 vjeçare, po duron padrejtësi.

Babë, edhe pse s’munde ta shijosh as rininë, as pleqërinë,

e shijove Kosovën e lirë, të cilës aq shumë i dhe.

_______________________________________

Nga burgjet e Jugosllavisë, te qelitë e Hagës.

Jakup Krasniqi u arrestua dhe më 4 prill 1981 u dënua me 14 vite burg nga sistemi fashist i Jugosllavisë, që udhëhiqej nga të njëjtat politika gjenocidale të Serbisë së sotme.

Në rigjykimin që iu bë, u dënua me 15 vite burg, sepse kishte thënë: “Unë nuk jam jugosllav, unë jam shqiptar.”

Megjithatë, ai mbajti 10 vjet, 3 muaj dhe 19 ditë burg, për t’u liruar më 23 korrik 1991.

Rreth tri dekada më vonë, ai vihet sërish në pranga.

Jo nga Beogradi.

Jo nga UDB-ja.

Jo nga serbët.

Por nga ata që u betuan se do të sillnin drejtësi ndërkombëtare.

Ata që heshtën për masakrat e Serbisë, por u ngutën të hapin dosje për çlirimtarët.

Jakup Krasniqi, sot në moshën 74-vjeçare, vazhdon të mbahet në paraburgim, jo për atë që bëri, por për atë që përfaqëson: historinë e lavdishme të një populli, masakrat e të cilit ende nuk kanë gjetur drejtësi, dhe lirinë e një populli të shtypur e të vuajtur që me shekuj ishte lënë në harresë nga bota perëndimore.

I lodhur nga vitet, i rënduar nga mosha, por kurrë i thyer:

Ai është dëshmi e gjallë se liria nuk falet e as nuk fitohet me fjalë, por me burg, me pushkë dhe me jetë.

Ai është turpi i një bote që po gjykon viktimën, ndërsa e përkëdhel kriminelin.

Ai është simbol i asaj që mbështetësit e politikave të Beogradit do ta donin të shlyer: luftën e drejtë të një populli!

Jeta na tregoi se herë është e padrejtë e herë mizore. Këtë më së miri e dëshmon jeta e Jakup Krasniqit, i cili u mbyll në qelitë e ftohta të dy sistemeve të ndryshme:

Dikur nga uniforma jugosllave, sot nga kravata ndërkombëtare.

Dikur sepse kërkoi zërin e lirisë, sot sepse u bë zëri i lirisë!

Prandaj, natyrshëm më vjen pyetja: A jemi të lirë?

Nëse kjo nuk është padrejtësi historike, atëherë çfarë është?

Sa kohë do të qëndrojmë si spektatorë, ndërsa zërat më të fuqishëm të çlirimit mbahen në burg nga një drejtësi që po i shërben narrativës së Serbisë?

Pesha e prangave të Jakup Krasniqit, e mbajtur për këto 15 vite, atë nuk e rrënoi, por do ta rrënojë të ardhmen e Republikës sonë, të formuar nga po ato dy duar që ende i mbajnë prangat e padrejtësisë!

Kjo nuk është thirrje për mëshirë, kjo është thirrje për drejtësi!

Dhe nëse Kosova ende është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, nuk duhet të heshtë.

Sepse sot është ai, nesër mund të jetë fati ynë historik ai që burgoset!

15 vite burg në total.

15 vite në dy botë të ndryshme.

Por të dyja me të njëjtin qëllim: ta heshtin zërin e lirisë!

Por ai nuk heshti. Dhe nuk do të heshtë.

Dhe nëse ne kemi pak ndërgjegje, pak dinjitet dhe pak kujtesë historike as ne nuk duhet të heshtim.

Liria nuk është e plotë derisa i fundit i çlirimtarëve të jetë i lirë.

Kosova nuk do të ketë qetësi, derisa drejtësia të mos e njohë UÇK-në si atë që ishte: ushtria e një populli që kërkoi liri.

Historia nuk e fal harresën.

Dhe kombet që harrojnë, zhduken!

Trump tha se e ndali luftën, Kajtazi: Amerika ka një president të trentë – po ia futë kot

Analisti Vehbi Kajtazi sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova foli në lidhje me deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump për ndaljen e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se mendon që këto nuk qëndrojnë, derisa u shpreh se Amerika e ka një “president të trentë”.

“Bota, po edhe ne këtu në Kosovë, po edhe NATO si aleancë, po edhe kushdo, çfarëdo që po thotë presidenti Trump, askush nuk është duke e kundërshtuar”.

“Amerika e ka në krye një president të trentë, do të thotë ai është i trentë, s’po them i çmenduar, po me këtë gjuhën tonë që e flasim, ai është i trentë, i lujt. Unë mendoj që këto nuk qëndrojmë, ai është duke ia futë kot”, u shpreh tutje Kajtazi.

FSK e konfirmon se një prej ushtarëve që shkoi për trajnim në ShBA nuk u kthye më në Kosovë

Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovë, i cili kishte udhëtuar për trajnim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka vendosur të mos kthehet më në Kosovë, duke qëndruar atje tek të afërmit e tij, jashtë çdo autorizimi zyrtar.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i FSK-së, Vëllazërim Qerimi, i cili ka sqaruar se ushtari në fjalë është larguar pa leje nga autoritetet kompetente gjatë kohës së trajnimit në SHBA. Ai shtoi se tashmë janë ndërmarrë hapat ligjorë për këtë rast, konform rregulloreve dhe legjislacionit në fuqi.

“Forca e Sigurisë së Kosovës ju njofton që pjesëtari në fjalë është larguar pa marrë leje nga autoritetet kompetente gjatë një trajnimi në SHBA. Gjithashtu ju njoftojmë që FSK ka inicuar procedurat ligjore për pjesëtarin në fjalë, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi,” thuhet në përgjigjen zyrtare të Qerimit.

Megjithatë, zëdhënësi nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastet e mundshme të tjera të ngjashme, nëse ato ekzistojnë.

Ushtari që është larguar pa leje ishte një nga 152 pjesëtarët e FSK-së që në maj të këtij viti kishin udhëtuar drejt SHBA-së për të marrë pjesë në trajnimet elitare të “Joint Readiness Training Center (JRTC)”, një nga programet më të avancuara ushtarake në botë./Reporteri

Mbyllet pishina e Gërmisë, kjo është arsyeja

Sport Marketing Prishtina ka njoftuar se pishina e Gërmisë do të jetë e mbyllur për pesë ditë, nga data 15 korrik deri më 19 korrik, kjo për shkak të inspektimit detal të pompave të filtrimit të ujit si dhe kryerjes së analizave të ujit në përputhje me udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas njoftimit zyrtar, pishina do të rihapet të shtunën, më 20 korrik 2025.

“Ju falënderojmë për mirëkuptim!”, thuhet në fund të njoftimit nga Sport Marketing Prishtina.

Specialja: Mund të japim dënime deri në burg të përjetshëm

Gjyqtari i Dhomave të Specializuara të Hagës, Kai Ambos, ka theksuar në shpalljen e vendimit ndaj Pjetër Shalës, se mund të japin edhe burgim të përjetshëm.

Kjo në kundërshtim të plotë me aktgjykimet e Gjykatave në Kosovë, ku dënimi më i lartë nuk shkon mbi 15 vjet.

“Paneli i Apelit gjykon se duke pasur parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin Mustafa, shakllëzimi më i butë i dënimit sipas legjislacionit vendor është 5 deri në 15 vjet burgim në pajtim me Kodin Penal të Jugosllavisë, të ndryshuar me rregulloren e UNMIK-ut. Sido që të jetë ky shkallëzim i dënimit sipas kodit vendor, nuk kufizon Gjykatën Speciale të jap dënim më të lartë, deri në burg të përjetshëm. Paneli nuk gjykon se është bërë shkelje e parimit të ligjshmërisë lidhur me dënimet. Së dyti, në lidhje me faktorët që u morën parasysh, Paneli i Apelit, gjykon se z.Shala nuk evidentoi gabime dhe rrëzon kundërshtimet me to. Sa i takon argumentit të z.Shala se ai nuk kishte rol udhëheqës në FMK, Paneli i Apelit konstaton se trupi gjykues gaboi kur nuk i dha peshë se z.Shala nuk kishte rol komandues në vrasjen e paligjshme. Paneli rrëzon të gjitha pretendimet e tjera për faktorët lehtësues”, tha ai.

Tjetër skandal në polici: Katër zyrtarë pezullohen pas dy rasteve shqetësuese

Inspektorati Policor i Kosovës në dy raste të ndara ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë.

Rasti i parë ka të bëjë me një incident të ndodhur të dielën e 13 korrikut në Ferizaj, ku një i mitur dyshohet se ishte sulmuar dhe kanosur me armë nga një person që ishte prezantuar si zyrtar policor. Kur njësitet relevante kanë dalë në vendinm e ngjarjes kanë identifikuar policin i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe i njëjti është vetëparaqitur në stacion policor.

Rasti ndaj tij po hetohet në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

“Lidhur me rastin e parë fillimisht Policia e Kosovës kishte pranuar informacion mbrëmë (13.07.2025) për një incident në një fshat të Ferizajt ku dyshohej se një i mitur ishte sulmuar dhe kanosur me armë nga një person me rroba civile e që është prezantuar si zyrtar policor. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse më vonë personi i dyshuar është identifikuar si zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) dhe i njëjti është vet-paraqitur në stacion policor pas incidentit.

Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë suspendimin për zyrtarin në fjalë kurse rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj me dyshimin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Rasti tjetër ka të bëjë me suspendimin e tre zyrtarëve policorë të përfshirë në një rast në rrugën “Muharrem Fejza” në kryeqytet me 30 qershor dhe të njëjtit po hetohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

“Në rastin tjetër, IPK në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin për tre zyrtarë policorë kurse incidenti ku dyshohet se janë të përfshirë si të dyshuar zyrtarët raportohet të ketë ndodhur para mesnatës më 30.06.2025 në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

Hetimet lidhur me këtë rast ndaj tre zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt më dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

“882 milionë euro të bllokuara për shkak të moskonstituimit të kuvendit”

Ismet Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Demokraci (IKD) ka ngritur shqetësimin se vendi tash e tre muaj ndodhet pa Kuvend funksional, çka po sjell pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

Sipas tij, për shkak të kësaj bllokade institucionale, Kosova nuk po arrin të përfitojë nga fondet e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

“882 milione euro te bllokuara per shkak te nje Kuvendi qe nuk po behet. Dem i interesave te ngushta partiake”, ka shkruar Kryeziu në një postim në Facebook.

Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor parasheh disbursimin e këtyre fondeve, por ato mund të kalojnë vetëm pasi të ratifikohen marrëveshjet përkatëse në Kuvendin e Kosovës.

Pa funksionalizimin e tij, procesi mbetet i bllokuar.

 

“Një aferë tradhtie me një të afërm…”- Naim Murseli merr në pyetje vëllain e Liridona Ademajt

Naim Murseli, i akuzuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, ka marrë në pyetje vëllain e tashmë të ndjeres, Leonard Ademaj, i cili po dëshmon në seancën gjyqësore të së hënës.

Murseli ka pyetur Leonard Ademajn nëse motra e tij është ankuar në raport me të përgjatë 12 viteve martesë, shkruan Insajderi.

Ademaj ka thënë se disa muaj para se të ndodhte tragjedia, familja e tij ishte njoftuar për një aferë tradhtie nga ana e Naim Murselin me një të afërme të saj.

Murseli ka pyetur edhe se në çfarë ore kishte qenë në morg bashkë me Kushtrim Kokallën, por që Ademaj ka thënë se s’e di saktë orën.

Pjesë nga intervistimi:

Naim Murseli: E kam një pyetje për Leonardin. Për 12 vjet martesë, a ju është ankuar ndonjëherë motra juaj për mua apo për raportin tonë?

Leonardi: Jo nuk është anku. Përveç që para disa muajve para se të ndodhte… Është prekur shumë për një aferë tradhtie e Naimit me të afërmen e saj… por që ajo vetë e kishte zgjidhë këtë dhe ne nuk e kemi kundërshtuar qëndrimet e saj.

“Hajde n’shpi se e kanë vra motrën tënde” – vëllai i Liridona Ademajt rrëfen momentin kur mori lajmin tronditës

Liridon Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt që dyshohet se u vra mizorisht nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ka dëshmuar sot para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai rrëfeu momentin e rëndë kur mori lajmin për vrasjen e motrës.

“Kam qenë në lokal në fshatin tim duke punuar. Më ka thirrur bashkëshortja në telefon dhe më ka thënë: E paskan vra Liridonën. Si kishte shumë njerëz në lokal, nuk e dëgjova mirë a ishte fjala për motrën time Liridonën apo për djalin e axhës, po ashtu Liridon. Pastaj nuk vonoi shumë dhe erdhi thirrja e dytë, më tha: Hajde në shtëpi, se e kanë vra motrën tënde, Liridonën”, tha Ademaj raporton Insajderi.

Ai shtoi se menjëherë kishte shkuar në shtëpi me vrap, kishte marrë prindërit dhe i kishte çuar në spitalin e Gjakovës për t’u dhënë qetësues.

Më pas, bashkë me ta ishin nisur drejt QKUK-së.

Naim Murseli është paraqitur në seancë, pasi që pas ekzaminimeve psikiatrike, ka rezultuar se ky i fundit është në gjendje të rregullt mendore dhe mund të vijojë seancat e mëtejme gjyqësore.