Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se sot janë ekzekutuar pagat me rritje prej +55 eurove për 84.230 shërbyes publikë nëpër organizatat buxhetore.
Sipas një postimi në rrjetin social Facebook të faqes zyrtare të Ministrisë së Financave, bëhet e ditur se kjo është faza e dytë e rritjes vjetore prej 110 eurove.
“E ndarë në dy pjesë: +55 euro nga janari 2025, +55 € nga korriku 2025”, thuhet në postim.
Tutje thuhet se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve mbetet e përkushtuar në zbatimin e politikave që kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve.
Gazetari Lirim Mehmetaj raportoi se djali i Blerim Haxhiajt, gazetarit të RTK-së që intervistoi me ledhati kryeministrin Albin Kurti, ka përfituar një shumë prej 11 mijë eurosh nga Ministria e Kulturës, e udhëhequr nga Hajrulla Çeku.
Pas shpërblimit prej 100 mijë eurosh që mori Blerim Haxhiaj, tani ka dalë në dritë se edhe djali i tij, Glauk Haxhiaj, ka marrë një shpërblim prej 11 mijë eurosh – një fond që ka ardhur nga Ministria e Kulturës, siç raportoi Lirim Mehmetaj me anë të dokumenteve.
“Paramendo, djali i Blerimit, Glauku, e kish kap një 11 mijëshe. Edhe ai me OJQ kishe. Edhe ai nga Ministria e Kulturës. A dini rast tjetër ku edhe baba, edhe djali kapin fonde në thirrjen e njëjtë të ministrisë? Jo, nuk dini valla. Me pyet këtë Blerimin garant thotë, ‘çka din fmija, çka janë 11 mijë euro?’,”, shkruan Mehmetaj.
Bashkimi Europian ka njoftuar se duke filluar nga data 12 tetor 2025 do të nisë zbatimin gradual të një sistemi të ri për kontrollin e hyrjeve dhe daljeve të qytetarëve që nuk janë pjesë e BE-së. Ky sistem i quajtur “Entry/Exit System” (EES) do të zëvendësojë vulosjen tradicionale të pasaportave me regjistrimin digjital të të dhënave biometrike si gjurmët e gishtave dhe imazhi i fytyrës, shkruan A2 CNN.
Zbatimi i këtij sistemi vjen përpara pushimeve të mesit të sezonit shkollor dhe do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek të gjithë turistët apo udhëtarët për qëllime biznesi që nuk janë qytetarë të Bashkimit Europian, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë.
Që nga 12 tetori, vendet anëtare do të nisin zbatimin e sistemit EES në mënyrë graduale për një periudhë gjashtëmujore. Autoritetet kufitare do të fillojnë të regjistrojnë të dhënat e shtetasve të vendeve të treta që kalojnë kufijtë. Në përfundim të kësaj periudhe, sistemi do të jetë i funksionalizuar plotësisht në të gjitha pikat kufitare.
Komisioni Europian
Ky sistem është pjesë e strategjisë së re të BE-së për krijimin e “kufijve të zgjuar” që synojnë përshpejtimin e procedurave të hyrjes për udhëtarët e rregullt dhe njëkohësisht forcimin e masave kundër emigracionit të paligjshëm, shkruan A2 CNN. Në disa pika kufitare tashmë kanë nisur përgatitjet. Në udhëtimin e tyre të parë, pasagjerët do të verifikohen ose përmes gjurmëve të gishtave, ose përmes imazhit të fytyrës, jo të dyjave njëkohësisht. Pas regjistrimit të parë, ata nuk do të kenë më nevojë që pasaportat t’u vulosen në hyrje apo dalje.
Ky sistem do t’i japë mundësi autoriteteve të shohin menjëherë nëse një udhëtar ka tejkaluar afatin e qëndrimit të lejuar në një nga 29 vendet europiane, përfshirë ato që janë pjesë e zonës Schengen, por jo anëtare të BE-së.
“Bëhet fjalë për një sistem të avancuar teknologjik që do të regjistrojë në mënyrë digjitale hyrjet dhe daljet e shtetasve jo-BE për qëndrime afatshkurtra, duke zëvendësuar vulosjen manuale të pasaportave. Do të mblidhen të dhëna biometrike si gjurmët e gishtave dhe imazhi i fytyrës, si dhe të dhëna të tjera të udhëtimit”, tha Komisioni Europian.
Megjithatë, zbatimi i një aplikacioni digjital që synohej të lehtësonte procedurën është vonuar, pasi çdo vend anëtar po punon për integrimin e sistemit EES në kuadrin e vet kombëtar të imigracionit. Zbatimi i plotë i sistemit EES pritet të përfundojë brenda gjashtë muajve nga data e nisjes më 12 tetor 2025.
Qëndrim Kryeziu, pronari i “ISP Broadcast”, i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që t’u krijojë hapësirë bizneseve të Kosovës të operojnë atje.
Ai është shprehur se nëse nuk merren masa për çështjen e daljes në tregun e lirë të bizneseve, bizneseve nuk u mbetet rrugë që të operojnë në vend.
“Unë i bëj thirrje publike Edi Ramës që nëse kryeministri Kurti vazhdon me këto politika të na mundësoj dhe të na krijojë një hapësirë për t’i dërguar bizneset tona në Shqipëri”, ka thënë Kryeziu.
Që nga e enjtja përfundon afati i furnizimit përmes KEK-ut, si zgjidhje e përkohshme për bizneset e mëdha që janë obliguar që energjinë elektrike ta sigurojnë përmes tregut të hapur. ZRRE-ja ka paralajmëruar se të gjitha bizneset me mbi 50 punëtorë apo me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, e që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar, prej 31 korrikut do të mbesin pa energji elektrike.
Ndryshe Kryeziu njihet edhe për mbështetjen që u jep edhe zyrtarëve të VV-së, ku publikisht ka ftuar qytetarët llapjanë ta votojnë sërish Shpejtim Bulliqin.
Kaçaniku ishte tronditur më 1 prill të këtij viti pas vrasjes së policit Muhamet Lika, vrasje kjo që ndodhi te shkallët e banesës së tij.
Më 21 prill, Policia e Kosovës pas një aksioni të gjerë në Kaçanik pati arrestuar shtatë persona, ku i dyshuari kryesor për vrasjen e policit Lika është Rejhan Bela.
Sipas emisionit “MAT” i dyshuari Bela në polici ka deklaruar se nuk shoqërohet me askënd përveç familjarëve të tij, teksa e mohoi kategorikisht se e ka kryer vrasjen,
“Këtë [vrasjen e policit Lika] e kam parë në rrjete sociale. Më datë 30.03.2025 më kujtohet se më kanë ndaluar dy policë te Kalaja në Kaçanik, njëri nga ta ka qenë Adhurimi dhe fillimisht jemi përshëndetur sepse njihemi qysh moti, pastaj më tha ‘hajde deri këtu, a i ke kryer lëndët në polici?’”.
“Unë i thashë se qysh e di i kam kryer, ai më tha se ta kam parë emrin tënd në polici, të kam parë dje duke u shëtitur, por nuk të ndala, por tash pasi me kalove këndej, të pashë, të ndala”.
“Në një moment ai e ka kthyer kokën, i thirri edhe dy kolegë, unë jam larguar dhe kam ikur nga aty. Gjatë asaj kohe më ka rënë telefoni të cilin e kam pasur në xhep. Telefonin e ka kërkuar babai im në stacion, mirëpo policia nuk ia ka dhënë, pasi i kanë thënë se duhet të jetë prezent edhe djali. Prej asaj dite nuk kam lëvizur nga shtëpia deri më 20.04.2025 ku kam shkuar në Klinë te miqtë e vëllait tim”, ka deklaruar Bela në polici.
Tutje, ai tha se që nga 30 marsi i vitit 2025, ditën kur ka ikur nga policia, nuk ka dalë askund përtej shtëpisë.
“Prej datës 30 mars 2025 kur kam ikur nga policia, nuk kam dalur me askënd. Jo, nuk kam marrë pjesë në vrasjen e policit Muhamet Lika”, tha ai.
Në Kishën Katolike Shqiptare “Shën Kryqi” në Mitrovicë, shtatë shqiptarë nga diaspora – përkatësisht nga Bajgora e mërgata shqiptare në Zvicër, Gjermani e Kanada – u pagëzuan dhe u konvertuan në katolikë, nën udhëheqjen e profesorit Ahmet Musa, tashmë i konvertuar dhe i njohur me emrin Shqiptar Shaljani.
Të rinjtë e ardhur nga mërgata, shumica me prejardhje nga Shala e Bajgorës, iu përgjigjën ftesës dhe vizionit të Shaljanit për një “kthim te besimi i të parëve” dhe për “një rilindje kombëtare përmes shpirtit”. Pagëzimi u zhvillua nën moton “Një komb, një gjuhë, një gjak”.
Në fjalimin e tij, Shqiptar Shaljani e quajti këtë moment si një “akt të kthjelltësisë shpirtërore” dhe një “deklaratë publike për rikthimin e shqiptarëve drejt trashëgimisë së tyre autoktone dhe evropiane”. Ai shtoi se kjo është një përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndarë shqiptarët mbi baza fetare dhe një përpjekje për t’i bashkuar ata në themelet e një identiteti të përbashkët.
“Ne nuk po bëjmë thjesht pagëzime, por po ringjallim ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve që për shekuj i kanë rezistuar asimilimit dhe ndarjeve të imponuara,” theksoi ai.
I është dhënë sot lamtumira e fundit 35-vjeçarit, Rrahim Latifi, i cili vdiq tragjikisht të dielën pasi u hodh nga ura e Liqenit të Ujmanit, e që u gjet dje pas kërkimeve të vazhdueshme të organeve të rendit.
Për tashmë të ndjerin ka folur eksluzivisht për GazetënDemos djali i axhës, Rrahman Latifi, i cili tha se lajmin e kishin marr vesh nga portalet teksa ndodheshin në fshat.
“Lajmin e kemi marr vesh përmes portaleve. Kemi qenë në fshat kur na ka ardhë lajmi që një person me emrin Rrahim Latifi është zhdukur në Liqenin e Ujmanit, më shumë ne nuk kemi pas informatë. Rrahimi atë ditë ka qenë me disa dajë të tij”, tha ai.
Ky i fundit tregoi edhe për lidhjen e ngushtë që e kishin me të ndjerin, teksa tregoi se për herë të fundit e kishte takuar të premtën.
Rrahman Latifi tha se Rrahimi kishte synime për të ardhmen, teksa e përshkruajti si një njeri pozotiv e shumë punëtor.
“Rrahimi ka qenë gjithmonë i buzëqeshur. Gjithë kohën ka qenë njeri pozitiv, ka mendu veç për të ardhmën. Ka punuar edhe jashtë normales, ka pas qejf shumë veç me ec përpara.
“S’ka qenë i martuar. Unë me të herën e fundit jam takuar të premtën. Shumë ka pas qejf me ardhë [në Kosovë]”, tha ai për Gazetën Demos.
Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në mesditë në qytetin e Prizrenit, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga kulmi i një ndërtese gjatë punës.
Gazeta Sinjali ka mësuar identitetin e personit që humbi jetën tragjikisht sot në Prizren, pasi ra nga kulmi i një ndërtese ku ishte duke punuar në kushte të pasigurta.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Nexhat Xhulani, 40-vjeçar i cili po punonte në montimin e kulmit të një ndërtese në rrugën “Besim Shala”, kur ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga lartësia.
Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë pak pas mbërritjes, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore.
Sinjali mëson se Xhulani nuk kishte kontratë pune dhe po punonte në mënyrë private, pa ndonjë mbikëqyrje zyrtare dhe pa pajisje mbrojtëse, çka e bën edhe më të rëndë situatën.
Me rastin janë marrë njësitet përkatëse të Policisë, hetuesit dhe krimteknikët, ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Hetim i vdekjes”. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Një person i moshës 40 vjeçare nga Drenasi ka humbur jetë deri sa ka qenë duke punuar në qytetin e Prizrenit.
Ai ka rënë nga kulmi i një ndërtese ku po punonte.
Lajmi ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se lidhur me rastin, janë njoftuar hetuesit kujdestarë dhe prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet procedura penale për veprën: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
”Me datë 30.07.2025, rreth orës 12:45, në qytetin e Prizrenit, është raportuar një incident në vendin e punës ku viktima N.XH., mashkull rreth 40 vjeç, nga Drenasi, gjatë kryerjes së punimeve në një kulm, ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më vonë, sipas informatave zyrtare nga emergjenca, është konfirmuar se ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra” ka thënë Bytyi.
”Lidhur me rastin, janë njoftuar hetuesit kujdestarë dhe prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet procedura penale për veprën: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, thuhet tutje në konfirmim.