div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-368 category-paged-368 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Lladrovci shpërthen pas zhvillimeve në PDK: S’ka bir nane që më largon nga partia

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar në lidhje me kandidaturën e tij, pasi javën e ardhshme Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pritet të votojë për kandidatët për kryetarë komunash. Në rastin e Drenasit, do të përcaktohet kandidati mes Lladrovcit dhe kundër-kandidatit të tij.

Lladrovci ka përsëritur se një situatë e tillë nuk ka ndodhur më parë, që dikush tjetër të vendosë në emër të degës së PDK-së në Drenas.

Ai theksoi se Komuna e Drenasit ka qenë disa herë kampion në performancë dhe hodhi pyetjen pse komunat që do të vendosin për fatin e Drenasit nuk kanë qenë në të njëjtin nivel të performancës, duke iu referuar Kryesisë së PDK-së.

Megjithatë, Lladrovci ka theksuar se “nuk ka bir nëne që e largon nga PDK-ja”.

Ai gjithashtu deklaroi se po tentohet të instalohen “bedelët” për të qeverisur me Drenasin.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Dega e PDK-së në Drenas, vazhdimisht para nominimeve për kryetar komune, por edhe për zgjedhjet nacionale, është përballur me dyshime e hile të natyrave të ndryshme, rreth kandidatit për kryetar, përbërjes së asamblesë, apo kandidatëve për deputetë.

Kësaj here, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sfida ka marrë përmasa të një dukurie që më herët nuk ka ndodhur, zgjedhjen e kandidatit për kryetar të komunës nga anëtarët e Kryesisë së PDK.

Pyetja e parë që shtrohet, sa e njohin degën e PDK-së dhe punën në komunën e Drenasit 43 anëtarët e Kryesisë?

Cili është kriteri për të votuar, dhe më e rëndësishmja, a po votojnë për kryetarin e qytetarëve të Drenasit apo për Kryetarin e pëlqyer të Kryesisë së Partisë!

Përkundër se dega e PDK-së në Drenas, mbase e vetmja shprehu gatishmëri të zhvillonte zgjedhjet e brendshme, pas vitit 2021, Kryesia vendosi të mos ketë zgjedhje në asnjë degë, as në ato që ishin me kryesi të emëruara.

Në këto rrethana u kontestua legjitimiteti i kryetarit të degës, legjitimitet i kontestuar që nga viti 2021, nga ata që u larguan nga PDK dhe krijuan subjekt tjetër politik. Është kontestim nga ata që e shanë partinë dhe udhëheqësit e saj, punuan kundër PDK-së me mbi 18 profile të rreme, u kontestua nga ata që shkaktuan dëme milionëshe me ndikim në vota negative për projekte zhvillimore. Ky kontestim u legjitimua nga Selia qendrore.

Sigurisht, as për Kryetarin dhe Kryesinë e PDK-së nuk është i lehtë presioni që vije nga ata që e themeluan subjektin opozitar në Drenas më 2021 dhe tash përzgjodhën bedelin e ri “për projekt strategjik”.

Kontestimi i kandidaturës time, sipas statutit, nuk ndodhi rastësisht. Ata që i humbën zgjedhjet më 2021, nuk dëshironin proces normal të zgjedhjeve të brendshme. Si i emëruar, në krye të degës, për herë të parë po aplikohet kandidim i dalë nga “votimi i fshehtë”.

Pas dështimit në zgjedhjet nacionale, kundër kandidati i deklaruar, në publik me ndjekësit e vet, kishte paralajmëruar garën për kryetar të Drenasit, duke theksuar se “do të garonte me apo pa miratimin e partisë”. Unë jam gati për garë.

Votimi “i fshehtë” në Kryesi të PDK-së po afron. E kuptoj se më shumë se për kandidaturën time, bëhet fjalë edhe për integritetin anëtarëve të kryesisë së PDK-së të cilët nuk duan të ballafaqohen me shefin e bedelëve. Disiplinën partiake, kam dëshmuar se e çmoj më shumë se anëtarët e emëruar të Kryesisë.

Si themelues i PDK-së, me një biografi që fillon në vitet ’80, për disa anëtarë të Kryesisë së PDK-së mund të duket film, ndërsa për kryetarët e komunave të PDK-së brenda 7 vjetëve të garës së performancës komunale jam i paarritshëm.

Sukseset e mia janë vlerësuar nga faktorë vendorë e ndërkombëtarë, i dëshmuar me punë dhe performancë të shkëlqyer, në zbatim të ligjit dhe transparencës. Ky sukses i atribuohet zyrtarëve komunalë, Kabinetit por edhe qytetarëve kampionë të Drenasit. 

Nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së pres objektivitet, t’i thonë jo dëshirës së keqbërësve dhe bedelëve të vitit 2021 dhe 2025, të cilët tashmë janë bashkuar kundër qeverisjes së mirë.

Konsideroj se në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së, ku pritet të votohet për kandidatët për disa kryetarë të komunave, anëtarët nuk duhet të jenë të pranishëm. Ashtu, ata nuk do të bëhen pjesë e padrejtësisë ndaj kryetarit kampion të performancës.

Qeverisja lokale matet me 119 treguesit e performancës, tregues përcaktojnë komunën kampion. Anëtarët e Kryesisë lë të informohen nga komunat nga vien përse nuk i kanë komunat e veta kampion të performancës e pastaj lë të marrin vendim për kampionin e performancës për gjashtë herë.

Drenasi me qytetarët e saj, do ta japin përgjigje për situatën, pres të jetë përgjigje e fuqishme për të mos lejuar pushtet të tretë e as qeverisje të bedelëve.

Po e përsëris: Dje, sot, nesër, PDK. Nuk ka bir nane që mund të më largojë nga PDK dhe vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes!

Ky është i riu nga Kosova që humbi jetën në Gjermani

Një i ri nga komuna e Vitisë, Florent Frangu, ka humbur jetën tragjikisht në Gjermani, ku jetonte dhe punonte. Sipas informacioneve, ai ka vdekur si pasojë e një aksidenti.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Florent Frangu. Humbja e tij është një goditje e madhe për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin si njeri të ndershëm e të respektuar”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Halitit, i cili shprehu mbështetje dhe lutje për familjen në këto momente të rënda.

 

Burri i motrës së Fitore Pacollit udhëheq organizatën që fitoi fonde nga Qeveria

Deputeti LDK-së, Paris Guri, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, lidhur me përfshirjen e burrit të saj në organizatën “Defy Them”.


Pacolli kishte deklaruar se bashkëshorti i saj nuk është më pjesë e organizatës tash e dy vite, duke i cilësuar akuzat për përfitime financiare si shpifje. Por Guri nuk është bindur nga kjo deklaratë dhe ka dalë me një postim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, duke kërkuar sqarime për drejtimin aktual të organizatës.

“Fitore Pacolli po thotë që burri i saj nuk është më pjesë e ‘Defy Them’ tash e dy vite, dhe se krejt këto janë shpifje. Hajde, po të besojmë, por vetëm na trego kujt ia ka lënë organizatën burri yt,” shkruan Guri.

Ai më pas zbulon se drejtori ekzekutiv aktual i organizatës është Kombëtar Uskana, bashkëshorti i Shqipe Uskanës, e cila është motra e Fitores Pacolli.

“Pra, edhe nëse paratë s’i ka marrë burri yt, i ka marrë burri i motrës tane,” thotë ai, duke e mbyllur postimin me një mesazh të prerë: “Fitore, kthej paret– cent më cent!”

Nëse e shihni këtë person, lajmërojeni Policinë

Policia e Kosovës, gjegjësisht sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi.

Sipas policisë, personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprat “Ngacmim” dhe “Sulm”.

Për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, policia lut qytetarët që të kontaktojnë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com.

Deputetja Fitore Pacolli provon të frikësojë mediat me “padi” pas raportimeve se edhe burri i saj mori mijëra euro nga shteti

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, e cila kohëve të fundit ka qenë e pranishme vazhdimisht në media për grantet që kanë fituar nga ministria e Bujqësisë, vëllai dhe daja i saj, tashmë është rikthyer përsëri në faqet e mediave përsëri për të njëjtën çështje.

“Vox Kosova” dje ka raportuar bazuar në disa dokumente, se si organizata që drejton burri i deputetes Fitore Pacolli ka fituar një shumë rreth 50 mijë euro në dy vite nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit që drejton Harjulla Çeku.

Për këtë ka reaguar sot vetë deputetja Pacolli, duke publikuar një fotografi me biçikletë e duke i cilësuar si shpifje dhe duke thënë se do t’i drejtohet gjykatës.

“Por këta shpifës kanë hasur në një gur të fortë: as një grimcë nuk ma heqin, e lëre më të më thyejnë.Dëgjohemi më vonë”, ka shkruar Pacolli.

Postimi i plotë:

Mirëmëngjesi ☀️

Dita e re, shpifje të reja!

Paska me më shku e diela duke shkruar padi. E diela e padive 🤣. Ju që shpifët dje, tashmë veçse jeni futur në listë. E ju që do shpifni sot e njëjta ju pret.

Para disa ditësh, një raport i pavarur i shoqërisë civile më shpalli si gruan më të sulmuar. Dhe po, është e vërtetë më kanë sulmuar më së shumti.

Por këta shpifës kanë hasur në një gur të fortë: as një grimcë nuk ma heqin, e lëre më të më thyejnë.

Dëgjohemi më vonë

E sulmon dhe e fyen policin pas aksidentit – Policia përdor sprej për ta neutralizuar sulmuesin

Një incident i rëndë është regjistruar pas mesnate në qytetin e Gjilanit, ku një person ka sulmuar fizikisht dhe verbalisht zyrtarët policorë në vendin e një aksidenti trafiku, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 24 korrik 2025, rreth orës 00:45, pas një aksidenti në rrugën “Lufta e Gjilanit 44”, njësia patrulluese ka dalë në vendngjarje për të trajtuar rastin.

Mirëpo, sapo zyrtarët kanë nisur veprimet procedurale, i dyshuari, Flamur Bislimi, 23-vjeçar i cili ishte njëri nga shoferët e përfshirë në aksident, ka shfaqur sjellje arrogante dhe provokuese ndaj tyre.

Sipas Policisë, i njëjti ka penguar zyrtarët në kryerjen e detyrës, duke i fyer dhe shtyrë fizikisht, konkretisht njëri prej zyrtarëve është shtyrë me duar në krahë gjatë përpjekjes për ta vendosur nën kontroll.

Për ta neutralizuar situatën dhe shmangur përshkallëzimin, zyrtarët janë detyruar të përdorin spray OC dhe ta shoqërojnë të dyshuarin në stacionin policor.

Pas intervistimit dhe konsultimit me prokuroren kujdestare, është marrë vendim që Flamur Bislimi të ndalohet për 48 orë për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Haradinaj: Nëse je veteran i vërtetë s’kalon nëpër Serbi

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ka folur mbi arrestimin e Lulzim Halilit nga autoritetet serbe së fundmi, e cili raportohej se është ish-ushtar UÇK-së.

Haradinaj deklaroi se kushdo që kalon nëpër Serbi, është vetëmohim se je veteran.

Sipas tij, Serbia ka nevojë të krijojë veteranë janë apo nuk janë, pasi që, siç shprehej ai, ka për qëllim përbaltjen e UÇK-së.

“Vet fakti që edhe nëse je një veteran dhe ti e mohon vet që je veteran e kalon lirshëm nëpër Serbi, bile edhe në pantallona të shkurta. Vet fakti edhe nëse je një veteran i vërtetë dhe ke qenë luftëtar i të gjitha luftrave dhe gjykon veten që je i denjë për të kaluar në Serbi, mendoj se është vetëmohim i vetes që je veteran, dhe për mua nuk je veteran kur merr rrugën nëpër Serbi.

“Nëse edhe vetëm për qejfi del në Serbi ti e mohon që je veteran i luftës, sepse haptazi ata kanë një listë për kërkimin e veteranëve. Askush më mirë se vetja nuk e di a ke qenë apo jo veteran. Serbia ka nevojë të krijojë veteranë janë apo nuk janë, ata kanë për qëllim baltosjen e emrit të veteranëve. Serbia këtë e ka detyrë me bë baltosjen. Unë që 27 vitë dhe nuk e llogariti veten aq të denjë dhe luftëtar të madh, dhe as në Mal të Zi e Serbi, por as në Maqedoni nuk dal”, deklaroi Haradinaj në emisionin “Ora 7”.

Kamioni me targa serbe godet veturën me targa shqiptare, ka të vdekur

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Lezhë – Shkodër, në afërsi të fshatit Fishtë.

Një automjet është përplasur me një kamion me targa serbe dhe, si pasojë, ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanal.

Një grua rreth 60 vjeç ka humbur jetën dhe 4 persona të tjerë janë plagosur, njëri prej tyre është nisur drejt spitali të traumës në Tiranë.

Mes të plagosurve raportohet se është edhe një fëmijë.

Banorët e zonës dhe policia bënë përpjekje për të nxjerrë të plagosurit nga kanali, raportojnë korrespondentët e Top Channel, Klodian Zhivani dhe Brixhilda Deda.

Në ndihmë të të plagosurve kanë ardhur disa ambulanca nga Lezha, Shkodra dhe Vau i Dejës.

“Deputetët pas 26 korrikut do ta humbin mandatin”

Në “Rubikon” në Klan Kosova, opinionisti Rrahman Paçarizi tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta humbin mandatin pas datës 26.

Ai tha se është legjitime të pyetet se cilat janë pasojat nëse nuk përmbushet afati i dhënë i Gjykatës Kushtetuese.

“Në momentin që Gjykata nuk e pranon, i vetmi vendim i arsyeshëm që mundet me dal nga Gjykata Kushtetuese është që deputetëve u merren mandatet, a shkohet direkt në zgjedhje apo i marrin mandatet deputetët që janë në listën e pritjes. Sepse këtyre duhet t’u merren automatikisht mandatet sepse i kanë pasë 30 ditë për ta konsistuar Kuvendin”, tha Paçarizi.

Bahtiri: Opozita ka qëllim ndarjen e Kosovës, jo sa të jemi gjallë ne

Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, ka thënë se opozita po synon ndarjen e Kosovës.

“Bashkimi i opozitës e ka një qëllim për ndarje të Kosovës, por ajo nuk do të arrihet derisa të jemi gjallë ne”, tha ai.

Po ashtu, Bahtiri ka deklaruar se PDK dhe LDK po duan të bëhen bashkë.