Specialja merr një vendim për ish-krerët e UÇK-së

Refuzohet sërish lirimi i përkohshëm për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas Jakup Krasniqit, edhe Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit u është vazhduar masa e paraburgimit për nga dy muaj. Vendimi i fundit i Dhomave të Specializuara në Hagë vjen kinse rreth shqetësimeve për pengim të drejtësisë dhe ndikim mbi dëshmitarët.

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka refuzuar kërkesat për lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit derisa ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për Hashim Thaçin, pasi Thaçi nuk ka bërë kërkesë për lirim të përkohshëm.

Refuzimin për lirim të përkohshëm, ai trup gjykues e ka bazuar në vlerësimin e rreziqeve që sipas tij lidhet me ndikimin ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e procedurave gjyqësore.

Në vendim thuhet se, ndonëse mungojnë informacione që do të dëshmonin rrezikun për arratisje, mbetet shqetësimi se të pandehurit mund të përdorin pozitat e tyre për të ndërhyrë në procesin gjyqësor, përfshirë edhe përmes ndikimit ndaj dëshmitarëve që kanë dhënë ose do të japin dëshmi kundër tyre.

Avokati, Ardian Bajraktari e konsideron jo të drejtë refuzimin e Speciales për lirim të përkohshëm për ish krerët e UÇK-së. Bajraktari vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore që kjo masë të zëvendësohet me një masë më të butë.

“E kanë dëshmuar se janë të gatshëm të i përgjigjen çfarëdo ftese, çfarëdo thirrje nga ana e Dhomave të Specializuara dhe aq më tepër kur kemi parasysh faktin që tashmë ka përfunduar së dëgjuari lista e dëshmitarëve të ftuar nga ana e Prokurorisë. Prandaj mos aprovimi i kërkesës së palës mbrojtëse për bindjen time është një vendim i marrë në mënyrë paragjykuese dhe për më tepër nuk ka bazë e as mbështetje, as në ligj e as në prova konkrete e as në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikë e cila është e zbatuar edhe në sistemin tonë të drejtësisë përfshirë edhe Gjykatën Speciale”, thotë Bajraktari.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë nënshkruar një marrëveshje me Belgjikën që të dënuarit e dënimin. Avokati Bajraktari e ka vlerësuar këtë zhvillim si pjesë të detyrave normale institucionale.

“Prej kompetencave që ka kryetari i Dhomave të Specializuara është edhe çështja e marrëveshjes me shtetet e treta të cilat shprehin gatishmëri për të pranuar të burgosur nga Dhomat e Specializuara, këtë detyrë e përcakton Neni 50 I Ligjit për Dhomat e Specializuara, prandaj vlerësoj që njoftimi për arritjen e marrëveshjes me shtetin belg është në linjë me detyrat dhe përgjegjësitë e zakonshme që ka kryetari i Dhomave të Specializuara”, shton Bajraktari.

Mbrojtja e Kadri Veselit kishte ofruar një sërë masash për të garantuar lirimin me kusht përfshirë dorëzimin e pasaportës, mbikëqyrje nga Policia e Kosovës dhe ndalimin e kontakteve të paautorizuara. Ndërkohë edhe Policia e Kosovës kishte raportuar për përmirësim të kapaciteteve operacionale, por Gjykata në Hagë ka konstatuar se këto nuk e zbusin shqetësimin e tyre për ruajtjen e integritetit të procesit dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.

E rëndë: Mbytet në lum një 22-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesditën e sotme në Mat.

Një 22-vjeçar është mbytur në një lum, pranë Shkopetit.

Top Channel raporton se i riu dyshohet të ketë qenë duke u larë në lum bashkë me disa kushërinj të tij.

Sipas burimeve nga policia, trupi i të riut është nxjerrë nga banorët e zonës dhe policia.

“U arratis në Greqi”, Netanyahu kapet duke dalë nga bunkeri

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, për të cilin u përfol se ishte arratisur në Greqi nga frika e hakmarrjes iraniane, u fotografua sot në Bat Yam.

Pas disa ditësh heshtjeje dhe kritikash të ashpra, Netanyahu la bunkerin dhe u shfaq në publik për herë të parë, duke vizituar pjesën e Tel Avivit që ishte shndërruar në rrënoja.

Bëhet e ditur se të premten, më 13 qershor, Izraeli filloi një operacion ushtarak kundër Iranit.

Menjëherë pas kësaj, Netanyahu zbriti në strehë me ekipin ministror dhe nuk nuk u shfaq për ditë të tëra.

Kur aeroplani shtetëror i qeverisë izraelite u filmua në Greqi, filluan të qarkullonin spekulime se Netanyahu ishte larguar nga vendi.

Burri rrah gruan e bën për spital

Dhuna në familje po vazhdon të jetë shqetësuese në Kosovë.

Një rasti i tillë ka ndodhur pasditen e së premtes në Klinë.

Siç njofton policia, një burrë e ka rrahur gruan e tij, e cila si pasojë e dhunës ka pranuar tretman mjekësor, raporton IndeksOnline.

“Klinë / 13.06.2025 – 16:00. I dyshuari m/k dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, e cila si pasojë ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit viktima me dëshirën e saj është kthyer në shtëpinë e bashkëshortit, kurse i dyshuari në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të shtëna armësh në Prishtinë

Një burrë është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri nga dritarja e shtëpisë së tij, duke shkaktuar kështu rrezik të përgjithshëm.

Policia thotë se ka siguruar video-incizimin si dëshmi e të shtënave.

“I dyshuari m/k dyshohet se nga dritarja e shtëpisë se tij ka shtënë me armë zjarri. Njësitet policore kanë siguruar edhe  video incizim  si dëshmi e të shtënave. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar ne mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Trump kërcënon Iranin: Nëse sulmon SHBA-të, do të përballet me fuqinë e padëgjuar të ushtrisë sonë

Donald Trump ka paralajmëruar se çdo lloj sulmi nga Irani ndaj Shteteve të Bashkuara do të përballej me një përgjigje ushtarake “në një shkallë që nuk është parë më parë” nga ana e Amerikës.

Në një mesazh të publikuar në platformën e tij, The Truth, Trump theksoi se SHBA-të nuk kishin asnjë lidhje me ndonjë sulm ndaj Iranit që mund të ketë ndodhur gjatë natës.

Ai shtoi se një marrëveshje mes Iranit dhe Izraelit është plotësisht e mundur dhe se me pak vullnet mund t’i jepet fund këtij konflikti të përgjakshëm.

Paralajmërohet drafti që synon t’i japë fund Gjykatës Speciales!

Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se janë duke punuar në përgatitjet e një draft-dokumenti që ta dërgojnë në legjislaturën e nëntë të Kuvendit, kur të konstituohet, që Gjykata Speciale e Hagës të shuhet, apo që të vendoset në Kosovë.

Në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se duhet të jetë e mundur, dhe se nuk besojnë në drejtësinë dhe punën e Speciales.

“Ne jemi në përgatitje në moment që do të formohen institucionet apo parlamenti i Kosovës, ne jemi duke punuar me disa juristë që t’ua dorëzojmë grupeve parlamentare një draft të shfuqizojë apo që ajo gjykatë të kthehet dhe të vjen në Kosovë, ku e ka vendin këtu, që të vjen në Kosovë”.

“Unë besoj se ky është mision i mundur, pse nuk është e mundur e të kthehet gjykata apo të shfuqizohet krejt.

Kjo gjykatë është formuar për krejt diçka tjetër është formuar për shtëpinë e verdhë, dhe jo për këto marifete çfarë kanë ndodhur atje, duke e ditur se me çfarë shpifje është duke punuar dhe me kë është duke punuar kjo gjykatë.

Kjo gjykatë ka devijuar krejt, ne nuk besojmë në drejtësinë e saj, sepse kjo gjykatë ka devijuar në fillim”, ka thënë Gucati.

Aktivizohet Erdogan: Netanyahu duhet të ndalet

Presidenti turk, Tayyip Erdogan, i ka thënë princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, se sulmi i Izraelit ndaj Iranit tregoi se kërcënimi i Benjamin Netanyahut ishte kërcënimi më i madh për stabilitetin rajonal, sipas zyrës së Erdoganit.

Në një telefonatë të shtunën, Erdogan i tha bin Salmanit se Izraeli duhet të ndalet, të ulen tensionet dhe se mosmarrëveshja bërthamore mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave.

Një luftë potencialisht shkatërruese mund të krijojë valë migrimi të parregullt në të gjitha vendet e rajonit, tha gjithashtu Erdogan, sipas deklaratës.

Irani gjuan me raketa Izraelin

Ushtria izraelite (IDF) ka konfirmuar se Irani ka kryer sulme me raketa drejt territorit të Izraelit, shkruan Gazeta Sinjali.

Sistemet e mbrojtjes ajrore po punojnë për të neutralizuar kërcënimin, ndërsa qytetarët janë udhëzuar të hyjnë menjëherë në zonat e mbrojtura dhe të qëndrojnë aty deri në njoftim të mëtejshëm.

Dalja nga këto zona lejohet vetëm me udhëzime të qarta nga Komanda e Mbrojtjes Civile.

Gjithashtu, IDF kërkon minimizimin e lëvizjeve në hapësira publike dhe shmangien e tubimeve.

Një tjetër shtet lëshon sirenat në Lindjen e Mesme

Ushtria e Izraelit ka njoftuar të shtunën në mbrëmje se një valë e re sulmesh mes saj dhe Iranit ka nisur.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë identifikuar se Irani ka lëshuar raketa në drejtim të territorit të shtetit të Izraelit. Sistemet e mbrojtjes janë duke punuar për të ndalur kërcënimin. Hyni në zona të mbrojtura sapo të merrni alarmin dhe rrini deri në njoftimin e ardhshëm”, thuhet në lajmërimin e fundit të Ushtrisë së Izraelit.

E televizioni publik iranian ka njoftuar se vala e re përfshin 100 raketa që tashmë janë nisur në drejtim të Izraelit.

Haifa dhe Tel-Avivi janë caqet kryesore, ka bërë të ditur televizioni iranian. E sipas raportimeve, tashmë shpërthime janë dëgjuar në Izraelin verior.

Ndërkohë, vetë Ushtria e Izraelit ka thënë se përderisa po merret me mbrojtjen nga raketat e lëshuara nga Irani, po vazhdon sulmet ajrore në caqet ushtarake në Teheran.

Ndërkohë, sirena janë dëgjuar edhe në Amman, kryeqytet të Jordanisë. Jordania ka vendosur ta mbyllë hapësirën e vet ajrore.