Gjykata Speciale merr një vendim për Thaçin

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka vendosur të vazhdojë paraburgimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të çështjes që lidhet me akuzat për pengim të drejtësisë.

Vendimi është marrë nga gjykatësja paraprake Marjorie Masselot, e cila theksoi se rreziqet për arratisje, pengim të drejtësisë dhe kryerje të veprave të tjera penale mbeten të pranishme.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Thaçi ka kryer veprat penale të shpalljes së sekretit zyrtar, fyerjes ndaj gjykatës dhe pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Akuzat burojnë nga hetimet që lidhen me procesin tjetër gjyqësor në të cilin Thaçi po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata e bazoi vendimin e saj në disa faktorë, përfshirë mundësinë që Thaçi të ndikojë te dëshmitarët ose të pengojë procedurat gjyqësore.

Në arsyetimin e saj, gjykatësja theksoi se Thaçi ka pasur rol udhëheqës në grupe që kanë synuar të ndikonin te dëshmitarët përmes shpërndarjes së informacionit të ndaluar dhe ofrimit të përfitimeve për të ndryshuar deklaratat.

Gjithashtu, gjykata nënvizoi se masat e sigurisë në ambientet e paraburgimit të Gjykatës Speciale janë më të sigurta për të parandaluar komunikimet e paautorizuara dhe ndikimet e mundshme ndaj procesit gjyqësor.

Përveç kësaj, Gjykata konfirmoi se procesi gjyqësor po ecën përpara me ritëm të kënaqshëm, ndërsa mbrojtja ka dorëzuar mocionet paraprake dhe prokuroria ka përfunduar pjesën më të madhe të dorëzimit të provave.

Gjykata i ka dhënë afat Thaçit që, nëse dëshiron, të paraqesë parashtresat e tij lidhur me shqyrtimin e radhës të paraburgimit deri më 27 qershor 2025. Në rast se nuk dorëzon parashtresa, Prokuroria Speciale duhet të bëjë paraqitjet e saj deri më 7 korrik 2025.

Faton Peci, kandidat i VV-së për kryetar të Mitrovicës

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që Faton Peci të jetë kandidati i saj për kryetar të Komunës së Mitrovicës.

Albin Kurti ka vendosur për Faton Pecin që ta fus në garë për Mitrovicë dhe se vendimi po u kumtohet edhe asamblistëve dhe zyrtarëve të tjerë të partisë në Mitrovicë, në takimin që ka nisur në ora 16:00 në një lokal tek Liqeni, raporton “Jepi zë”.

Ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga partia, por pritet që emri i Pecit të formalizohet së shpejti.

Vraşja e bashkëshortes Gjyljeta Ukella, merret vendimi për Edmond Lajçi

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm për Edmond Lajçin, i akuzuar për vrasjen e gruas se tij, Gjyljeta Ukella.

Kështu ka bërë të ditur Gjykata e Apelit përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook.

Në njoftim thuhet se Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit E.L., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda/

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, sipas sktgjykimit PKR.nr.74/2024, të datës 03.02.2025, ka shpallur fajtor të akuzuarin E.L., për shkak të veprave penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të KPK dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 366 paragrafi 1 të KPK, duke i shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm. Në dënimin e shqiptuar me burgim i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga data 16.04.2024, si dhe i është konfiskuar mjeti i kryerjes së veprës penale, pistoleta model “Zoraki 917-T”, me numër serik…, me karikator dhe 5 fishekë, të cilat do të shkatërrohen pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas njoftimit, kolegji gjykues vlerëson se, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara në nenin 384 të KPPK, për të cilat shkelje përkujdeset kolegji i kësaj gjykate edhe sipas dispozitës ligjore nga neni 394 të KPPK, si dhe vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka paraqitur arsye të qarta dhe të plota duke dhënë arsye të duhura se cilat fakte konsiderohen të vërtetuara në këtë çështje penale, përkitazi me veprat penale të cilat i vihen në barrë të akuzuarit, e po ashtu ka paraqitur saktësinë e provave nga shkresat e lëndës, sikurse janë provat personale dhe ato materiale.

“Ndërsa, sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se shkalla e parë në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar ekzistimin e secilës vepër penale, pasi që ka vlerësuar të gjitha provat sikurse ato personale e po ashtu edhe ato materiale, e posaçërisht pranimin e fajësisë së të akuzuarit, për veprat penale të cilat i vihen në barrë, andaj kolegji gjykues vlerëson se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vendosur kur të akuzuarin e ka shpallur fajtor, pasi që nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë të akuzuarin nga përgjegjësia penale si dhe ndjekja penale”.

Siç bëhet e ditur në njoftim, thuhet se: “Duke i vlerësuar të gjitha rrethanat e përshkruara si në këtë aktgjykim, kolegji gjykues është i bindur se me dënimin e shqiptuar me burgim të përjetshëm sikurse në dispozitiv të aktgjykimit, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit, të paraparë në nenin 38 të KPK”.

 

Takimi Kurti-Hamza në Mitrovicë, bëhet e ditur arsyeja e takimit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës së Jugut, ku është takuar me kryetarin Bedri Hamza.

Sipas, Përparim Kryeziut, zëdhënësit të Qeverisë në detyrë, në fokus të këtij takimi ka qenë puna e komunave dhe bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe nivelit lokal për realizimin e projekteve që janë në shërbim të qytetarëve.

“Pas vizitës dhe takimit me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, kryeministri Kurti ka vizituar sot edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza”.

“Të dy takimet kanë pasur në qendër të diskutimit punën e këtyre komunave dhe bashkëpunimin ndërmjet qeverisë dhe komunave në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve”, tha ai për Dukagjinin.

Ky është takim i rrallë mes Kurtit dhe Hamzës, i cili vjen në një kohë kur vendi ndodhet në pritje të zhvillimeve të reja politike për krijimin e institucioneve.

Para vizitës te Hamza, Kurti kishte takuar edhe kryetarin e Komunës

Caktohet data e zgjedhjeve

Presidentja Osmani ka caktuar 12 tetorin e vitit 2025, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta lokale

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.

“Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor. Kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor”, thuhet në njoftim

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Osmani u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë  civile dhe qytetarëve që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.

Ndryshe, edhe pse më 9 shkurt u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ende nuk është konstituuar Kuvendi i Kosovës pas 29-të tentativave.

Kurti i shkon me xhipa të zi pa paralajmërim Hamzës në komunë

Albin Kurti, kryeministër në detyrë, është parë duke u futur në objektin e Komunës së Mitrovicës të hënën.

Ai siç duket do ta mbajë një takim me të parin e komunës, Bedri Hamzën.

Zyra e Kryeministrit nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për agjendën e takimit.

Takimi është ende duke u mbajtur, teksa mediat lokale kanë publikuar pamje të Kurtit duke dalë nga xhipi i zi për t’u drejtuar në komunë.

Ai ka shfrytëzuar hyrjen e pasme të komunës për t’u futur në objekt.

Lansohet një shërbim i ri në platformën e-Kosova

Divizioni për të Huaj në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ka njoftuar se nga sot, 9 qershor, ka rifilluar aplikimi për caktimin e termineve për leje qëndrimi për shtetasit e huaj përmes platformës digjitale e-Kosova.

Sipas MPB-së, kjo mundësi synon të lehtësojë procesin e aplikimit, të eliminojë pritjet e gjata dhe të sigurojë respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj, të cilët kërkojnë leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.

“Kjo mundësi ka për qëllim lehtësimin e procesit të aplikimit për leje të qëndrimit nga shtetasit e huaj, eliminimin e pritjeve të gjata përmes rezervimit të terminit dhe respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj,” thuhet në njoftim.

MPB thekson se rezervimi i terminit është i domosdoshëm për të gjithë ata që kërkojnë leje të re qëndrimi apo që duan të vazhdojnë lejen aktuale, në mënyrë që të respektohen afatet ligjore.

“Qytetarët-shtetasit e huaj kanë mundësinë e respektimit të afateve ligjore, para se të kalojnë ditët e caktuara të qëndrimit 90 ditë, apo të cilët e vazhdojnë lejen e qëndrimit, të organizojnë kohën e tyre të terminit brenda afatit 30 ditë para skadimit të saj”, thuhet në njoftim.

Ministria ka theksuar përkushtimin e saj për shërbime cilësore dhe digjitalizim të proceseve, duke u shprehur se po punon vazhdimisht për të krijuar lehtësira për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Për të caktuar termin për leje qëndrimi, të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës zyrtare: Platforma eKosova – Lejeqëndrim.

Putin nuk ndalet, merr këtë vendim

Presidenti rus, Vladimir Putin ka miratuar një strategji të re detare e cila synon të rivendosë plotësisht pozicionin e Rusisë si një nga fuqitë kryesore detare në botë, ka thënë ndihmësi i Kremlinit, Nikolai Patrushev, në një intervistë të botuar të hënën.

Rusia ka marinën e tretë më të fuqishme në botë pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, sipas shumicës së renditjeve publike, megjithëse marina ka pësuar një sërë humbjesh në luftën e Ukrainës, raporton Reuters.

Patrushev, një ish-oficer i KGB-së (agjencia kryesore e sigurisë së Bashkimit Sovjetik nga viti 1954 deri në vitin 1991) i cili ka shërbyer me Putinin në qytetin verior rus të Shën Petersburgut gjatë kohës sovjetike, ka thënë se strategjia e re detare, e titulluar “Strategjia për Zhvillimin e Marinës Ruse deri në vitin 2050”, është miratuar nga Putini në fund të majit.

“Pozicioni i Rusisë si një nga fuqitë më të mëdha detare në botë po rikuperohet gradualisht”, ka thënë Patrushev për gazetën ruse “Argumenti e Fakti”.

Sot fillon Java e Krenarisë, hapja zyrtare në ndërtesën e qeverisë

Sot do të nisë Java e Krenarisë, e cila do të zgjasë deri më 14 qershor.

Hapja zyrtare do të bëhet në ndërtesën e qeverisë në ora 18:00.

“Sot nisë Java e Krenarisë e cila do të zgjasë deri me 14 qershor. Po sot, ju ftojmë në hapjen zyrtare të Javës së Krenarisë në Prishtinë e cila do të mbahet në Ndërtesën e Qeverisë, duke filluar në ora 18:00.”

Daut Haradinaj: AAK-ja e gatshme të votojë për tre emra për kryetar Kuvendi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se partia të cilës i takon nuk ka ndryshuar qëndrim, është e gatshme të votojë për tre emra për kryeparlamentar.

Haradinaj para fillimit të seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se po pret që partia që ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare, të reflektojë.

Ai ka shtuar se AAK-ja është e gatshme për qeveri të opozitës, por pa ndonjë propozim konkret.

“Po pres që do të reflektojnë. Kryeministri ka thënë se i kanë votat për Qeveri, jo për Kuvend, unë nuk e kuptoj se çfarë pozicioni po mban. Ne jemi të gatshëm ta japim votën për tre emra konkretë. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar, të bëjmë zgjidhje, kemi thënë që jemi të gatshëm për qeverinë e opozitës, nuk e kemi ndonjë emër apo preferencë, kemi thënë se nuk kemi kushte”,ka thënë ai.