Kështu ndahen 20 ulëset e komuniteteve joshumicë në kuvendin e ri

Lista Serbe i ka fituar shumicën e dhjetë ulëseve të rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, tregojnë rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas analistit politik Blerim Vela, Lista Serbe i ka fituar nëntë mandate, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e ministrit në detyrë Nenad Rashiq ka fituar një mandat.

Dhjetë vende të tjera, sipas organizimit kushtetues të vendit, i përkasin komuniteteve joserbe.

Më së shumti ulëse nga komunitetet joserbe ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës. Ajo ka siguruar dy ulëse në legjislaturën e re, ndërsa nga një ulëse i kanë fituar edhe koalicioni Vakat, Unioni Socialdemokrat e Partia e Re Demokratike.

Ndarja e ulëseve për partitë politike që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës:

Lista Serbe (SL) – 9 ulëse

Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (zSPO) – 1 ulëse

Partia Demokratike Turke e Kosovës – 2 ulëse

Koalicioni Vakat – 1 ulëse

Unioni Socialdemokrat – 1 ulëse

Partia e Re Demokratike (NDS) – 1 ulëse

Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës – 1 ulëse

Partia Liberale Egjiptiane – 1 ulëse

Partia e Ashkalinjve për Integrim (PSA) – 1 ulëse

Partia e Re Demokratike e Boshnjakëve të Kosovës – 1 ulëse

Jedinstvena Goranska Partija – 1 ulëse

Gjithsej: 20 ulëse të rezervuara për komunitetet joshumicë.

Numërohen të gjitha votat në Prishtinë, ky është rezultati

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Prishtinë për zgjedhjet e 7 qershorit, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me 48.90% të votave, respektivisht 48,983 vota.

Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 24.44% apo 24,483 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e treta me 19.05% apo 19,078 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.13% të votave, që përkthehen në 5,134 vota.

Rezultatet e publikuara nga KQZ pasqyrojnë përfundimin e procesit të numërimit në kryeqytet.

Ndërron jetë zyrtari policor Afrim Xhemaili

Ka ndërruar jetë zyrtari policor Afrim Xhemaili, lajm i konfirmuar përmes një telegrami ngushëllimi nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Në mesazhin e saj, Sindikata u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për humbjen e kolegut të tyre.

“Me rastin e vdekjes së zyrtarit policor Afrim Xhemaili, familjes, miqve dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Policia e Kosovës dhe Sindikata kanë theksuar se humbja e tij përbën një moment të rëndë për institucionin dhe kolegët e tij.

Rezultatet përditësohen: VV-ja bie sërish në përqindje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke vazhduar me publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa procesi i numërimit tashmë ka arritur në 99.44 për qind të votave të përpunuara, apo janë numëruar 2.484 nga 2.498 kuti votimi.

Sipas rezultateve të publikuara deri tash, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë në 42.91 për qind ose 297.363 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind apo me 146.108 vota. Lidhja Demokratike të Kosovës ka marrë 17.60 për qind apo 121.987 vota, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17 për qind apo 49.712 vota.

Pas përfundimit të këtyre votave, pritet të nis procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit.

Gorani zbulon faktorin që ndryshoi rezultatin krahasuar me 28 dhjetorin

Analisti Dukagjin Gorani ka thënë se milionat e shpërndara nga qeveria në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, nuk kanë dhënë efekt.

Në një deklaratë në Rubikon të Klan Kosovës, Gorani ka deklaruar se më shumë sesa milionat e taksapaguesve kosovarë, faktor kyç në rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, krahasuar me 28 dhjetorin e vitit të kaluar, ka qenë data e zgjedhjeve.

“Milionat e jepun si inkuarim i elektoratit nuk kanë pasur efekt, sa ka pasur efekt data e mbajtjes së zgjedhjeve. Atëherë [në dhjetor të vitit 2025, v.j] janë jep miliona, tash janë jep miliona – por rezultati është tjetër. E kam thënë se në Kosovë nuk është e rëndësishme pse mbahen zgjedhje, është e rëndësishme kur mbahen ato”, ka thënë Gorani.

Ai tha se rezultatet e sotme treguan që synimi i pushtetit për zhdukjen e opozitës është i paarritshëm.

“Opozita është saktësisht aty ku ka qenë në shkurtin e vitit të kaluar, mirëpo ne jemi kthyer saktësisht ku kemi qenë në vitin e kaluar. Tani, mendoj se mbetet në potencialin e arsyeshmërisë që e kanë partitë politike për të gjetur një rrugëdalje”, ka deklaruar ai.

“Kërset” në LDK, nisin përçarjet pas rezultatit të zgjedhjeve

Ende pa u publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të sotme, në LDK kanë filluar pakënaqësitë.

Ka qenë kandidati për deputet Arben Gashi, ai i cili i ka duartrokitur një deklarate të avokatit Ahmet Tahiri, që është vëllai i kandidatit tjetër për deputet, Xhafer Tahiri, shkruan Reporteri.net.

Në këtë deklaratë, ai bën thirrje për ndryshim lidershipi në LDK.

“Kur humbja bëhet traditë, problemi nuk është votuesi. Edhe sa zgjedhje duhet me i humb që me e kuptu këtë? LDK-ja ka nevojë për rrugë të re, jo për arsyetime të vjetra. Për pak dinjitet politik, ece te shpija dhe lësho rrugë atyre që mund ta ringjallin LDK-në”, thuhet në postimin e Tahirit, ku Gashi ka komentuar duke duatrokitur./Reporteri.net

Rezultati i zgjedhjeve, reagon Vjosa Osmani

Kandidatja për presidente nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, ku partia e saj ka arritur rreth 17.69 për qind të votave.

Osmani ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke theksuar se LDK ka shënuar rritje të ndjeshme pavarësisht kohës së shkurtër të fushatës.

“Ajo që kemi parë është rritje e votës elektorale për rreth 34 për qind dhe 20 mandate, që për ne është rritja më e madhe e një subjekti politik në këto zgjedhje”, tha Osmani.

Ajo shtoi se ky rezultat përbën vetëm fillimin e procesit të ringritjes së LDK-së, duke paralajmëruar punë më të madhe në terren dhe afër qytetarëve.

“Ky është veç hapi i parë drejt ringritjes, por na jep shpresë se jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Osmani.

Kica-Xhelili: Kurti i dha 200 milionë euro, i humbi 200 mijë vota

Kandidatja për deputete e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar pasi tashmë janë numëruar 90 % të votave.

Kica-Xhelili ka thumbuar kreun e VV’së duke thënë se i kanë dhënë 200 milionë euro dhe i kanë humbur 200 mijë vota.

Postimi i plotë:

I dha 200 milionë Euro, i humbi 200 mijë vota!

Kosovë, Republika ime ♥️

VV-ja fiton në Pejë, reagon Gazmend Muhaxheri i LDK-së!

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka reaguar pas rezultateve

“Faleminderit të gjithë qytetarëve për sjelljen shembullore dhe pjesëmarrjen dinjitoze në procesin zgjedhor.

Mirënjohës për secilin që sot, me votën e tij, zgjodhi ta mbrojë Republikën dhe demokracinë tone”.

Ndryshe, në Pejë ka fituar Vetëvendosje, me mbi 42%

Numërohen rreth 90 për qind të votave, VV-ja e vetmja në rënie në përqindje

Janë numëruar rreth 90 për qind të votave nga vendvotimet në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje nga numërimi i 90.47 për qind të vendvotimeve, ka marrë 43.71 për qind të votave si partia më e madhe. Ajo ka marrë më shumë se 273 mijë vota.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.58 për qind të votave, apo 135 mijë vota.

Lidhja Demokratike ka 17.99 për qind të votave apo rreth 113 mijë vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.28 për qind të votave apo rreth 46 mijë vota.

Në total, më 7 qershor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare pati rënie të daljes së votuesve. Aktualisht, LVV-ja nga katërshja e madhe është e vetmja me rezultat më të dobët se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.