Inflacioni nuk ndalet -Çmimet e kafesë, çajit dhe kakaos rriten ndjeshëm

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 3 për qind më i lartë në muajin prill krahasuar me prillin e vitit 2024 dhe 0.2 për qind në krahasim me marsin e këtij viti, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në muajin prill, ndër produktet që kanë pësuar rritjen më të ndjeshme të çmimeve janë kafeja, çaji dhe kakaoja – me një mesatare alarmante prej 16% më shumë krahasuar me një vit më parë. Bashkë me to, janë shtrenjtuar ndjeshëm edhe shërbimet për mirëmbajtjen e mjeteve të transportit personal, frutat, vajrat dhe yndyrnat, mishi, energjia elektrike, produktet bazë të bulmetit (qumështi, djathi, vezët), perimet, si dhe shërbimet hoteliere dhe pijet alkoolike.

Sipas të dhënave të muajit mars 2025, inflacioni ishte 0.8 për qind në nivel mujor, dhe 2.9 për qind në nivel vjetor, krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Ndërsa në janar, , inflacioni mujor i matur ishte 0,7 për qind, ndërsa norma vjetore e inflacionit arriti në 1,5 për qind krahasuar me janarin e vitit 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimet mesatare të produkteve gjatë dy muajve të fundit kanë arritur nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit.
Vdes një grua në Prishtinë

Të mërkurën rreth orës 02:05, policia ka njoftuar se një femër ka humbur jetën në Prishtinë.

Sipas njoftimit, vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjeksor dhe me kërkesë të familjarëve dhe me rekomandim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Rasti është duke u hetuar nga policia.

“Prishtinë / 14.05.2025 – 02:05. Lidhur me rastin vdekjen e viktimës femër kosovare e ka konstatuar ekipi mjekësor dhe me kërkesë të familjarëve dhe me rekomandim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Ndërsa rasti është inicuar si “hetim i vdekjes”.

Parashikimi i motit për sot

Sot parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku vonë pasdite dhe në mbrëmje, pritet të ketë reshje të pakta lokale shiu, ndërsa pas mesnate intensifikim i reshjeve në të gjithë vendin.

Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-52 km/h, raporton MeteoKosova, transmeton Gazeta Sinjali.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 4 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 21 deri në 24°C.

Peci mundohet të sqarohet pas skandalit rreth tenderit: Është mysliman boshnjak nga Novi Pazari

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas raportimeve se një kompani nga Serbia e  fitoi kontratën për përpunimin e mbetjeve shtazore në Kosovë.

Peci ka thënë se këto janë shpifje dhe dezinformim i qëllimshëm.

Ai përmes një postimi ka thënë se fituesi i kontratës është një kompani nga Serbia dhe se pronari sipas tij është mysliman boshnjak nga Novi Pazari.  Sipas tij, përqendrimi i vëmendjes në përkatësinë etnike të njërit prej aksionarëve është i rrezikshëm dhe i padrejtë.

“Nëse aksionari quhej Muhamed Ragipi, shqiptar nga Lugina por shtetas i Serbisë, a do të kishte jehonë të tillë lajmi? Jo. Atëherë pse gjithë kjo zhurmë për një boshnjak/musliman nga Novi Pazari?”, ka shkruar ai.

Peci ka ftuar gazetarët investigativë që të hulumtojnë procedurat e dhënies me qira dhe funksionalizimit të fabrikës, por ka theksuar se nuk ka asnjë shkelje ligjore që mund të justifikojë akuzat që janë bërë.

“Të njëjtit le ta gjejnë bazën ligjore që mundëson eliminimin e konkurrencës për shkak të shtetësisë së një aksionari. Kjo do të përbënte shkelje të rëndë ligjore dhe qasje diskriminuese”, deklaroi ai.

Ai ka sqaruar se fabrika është dhënë me qira për interes publik një konsorciumi italiano-kosovar, në bazë të një procedure ligjore dhe transparente.

“U përballëm me shpifje karshi funksionalizimit të kësaj fabrike. E para ishte pretendimi se mungonte baza ligjore – e demantuam. E dyta, se nuk ishte konsorcium – u vërtetua që është. Të tjerat ishin interpretim tendencioz i dokumenteve dhe përpjekje për të krijuar një narrativë të rreme”, shkroi Peci.

Ai thekson se janë cituar gabimisht dokumente që lidhen me një pronë në Ulpianë dhe janë përdorur për të ngritur dyshime për tokën në Drenas, pjesë e së cilës thotë se është moçal.

Ministri në detyrë thekson se Qeveria e Kosovës nuk ka as kompetencë dhe as autoritet ligjor të kontrollojë marrëdhëniet kontraktuale të shit-blerjes së aksioneve brenda një kompanie.

“Nuk është as në dorë të Ministrit e as të Ministrisë që të jetë në rrjedha të çdo transaksioni. Procesi i regjistrimit në ARBK kërkon përfaqësues të kompanisë, jo edhe të dhëna për nacionalitetin e aksionarëve”, thotë ai.

Peci shprehu gatishmëri për sqarime publike në çdo studio televizive që nga dita e nesërme.

Rama jep lajmin e madh: Ja kur fillon largimi i mbeturinave në kryeqytet

Kryetari I Prishtinës Përpaim Rama ka bërë të ditur se sonte fillon largimi I mbeturinave. Ndërsa ka thënë se Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja “Pastrimi”, një kompani publike që nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë.

Postimi i plotë i Ramës:

Sonte , Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave. Sabotazha nuk kalon!

Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja “Pastrimi”, një kompani publike që, nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë.

Gjatë mandatit tonë, kjo ndërmarrje ka përfituar:

  • 11.5 milionë euro të hyra direkte nga Komuna e Prishtinës, në bazë të detyrimeve kontraktuale,
  • 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj të pastrimit,
  • 3,800 kontejnerë të rinj, të financuar nga Komuna,
  • 400,000 euro në formë subvencionesh shtesë.

Megjithatë, përkundër kësaj përkrahjeje të jashtëzakonshme, menaxhmenti i “Pastrimi”-t ka keqpërdorur paranë publike për:

  • Rritje të pagave për kryeshefin dhe menaxhmentin,
  • Punësime të panevojshme dhe të motivuara politikisht, në kundërshtim me nevojat reale të kompanisë.

Javën e kaluar, si Kryetar i Kryeqytetit, kam thirr seancë të jashtëzakonshme për datën 13 maj 2025, me qëllim të subvencionimit të pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje në vlerë prej 300,000 euro. Për fat të keq, kjo seancë dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së qëllimshme të opozitës.

Për informimin e qytetarëve:

Komuna e Prishtinës në dhjetor 2024 dhe në shkurt 2025 ka ftuar zyrtarisht ndërmarrjen “Pastrimi” për të nënshkruar kontratën e shërbimeve, por kjo është refuzuar qëllimisht nga menaxhmenti i saj, në një përpjekje të hapur për sabotim politik.

Kulmi i këtij sabotimi është arritur sot, me ndaljen e shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave në të gjithë Prishtinën, ndonëse Komuna e Prishtinës është financuesi më i madh i kësaj ndërmarrjeje.

Skandaloz është fakti se kjo ndalesë vlen vetëm për Kryeqytetin, gjë që dëshmon qartë motivet politike prapa këtij vendimi.

– Deklaratat e menaxhmentit të Ndërmarrjes Pastrimi, se Komuna e Prishtinës i ka borxh 2.7 milionë euro, janë të PAVËRTETA.

– Komuna e Prishtinës ka ZERO borxh ndaj ndërmarrjes “Pastrimi”.

Situata e krijuar si rrjedhojë e mosofrimit të shërbimeve nga ndërmarrja “Pastrimi”, që rrezikon shëndetin publik në kryeqytet, do të përfundojë menjëherë.

Sonte, Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave.

Do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat alternativë që kemi në dispozicion.

Sabotazha nuk kalon!

Ju sigurojmë që Kryeqyteti është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore për të mos lejuar përsëritjen e situatave të tilla.

Qytetarët e Prishtinës meritojnë shërbim të denjë – jo shantazh politik!

Ministri ‘shqiptarë’ në Qeverinë e Serbisë, Demo Berisha, e do Preshevën e Bujanocin me më pak shqiptarë

Shqiptari i njohur për qëndrimet antishqiptare, e që është emëruar Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Serbisë, Demo Berisha, në një intervistë për një televizion serb, ka deklaruar se i sheh problematike dy nga tri komunat shqiptare të Luginës së Preshevës.

Derisa thotë se në komunën e Medvegjës, ku numri i shqiptarëve është zvogëluar drastikisht, marrëdhëniet ndëretnike janë rregulluar, ai kërkon që e njëjta të bëhet edhe në Preshevë e Bujanoc, duke zvogëluar numrin e shqiptarëve.

Ish kryetari i këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, duke publikuar pjesë nga intervista e ministrit në Qeverinë e Serbisë, thotë se “ky ministër Preshevën dhe Bujanocin e do pa shqiptar, ‘të spastruar etnikisht me mjete administrative’ siç e patë cilësuar Komiteti i Helsinkit në Beograd ‘pasivizimin e adresave’. Edhe atë, në emër të rregullimit të marrëdhënieve ndëretnike!

Madje thotë se Bujanoci është në “rrugën e duhur drejt përfundimit”!?

Pra, këtë po e thotë ministri/kumbar i koalicionit pushtetit lokal të ndarë 1:1 në Bujanoc”, ka shkruar Mustafi, transmeton Telegrafi.

Në pyetjen e gazetarit nëse Bujanoci dhe Presheva do të jenë nga detyrat e rëndësishme …?

Ministri Berisha i përgjigjet se nga tri komunat e Luginës dy janë problematike.

“Një nga çështjet kryesore, një nga prioritetet do të jetë adresimi i problemeve që aktualisht janë urgjente në Serbinë jugore (Luginën e Preshevës), konkretisht në tri komuna. Dy janë interesante, interesante me probleme, ndërsa e treta është më pak interesante. Po i referohem Medvegjës, Medvegja është një komunë që ka rregulluar marrëdhëniet ndëretnike. Ajo që do të bëjmë është e njëjta gjë edhe në Preshevë, sepse them në Bujanoc është në rrugën e duhur drejt përfundimit”, ka thënë ai, duke aluduar në zvogëlimin e popullatës shqiptare në ato dy komuna.

Kohë më parë deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se propozimi i Demo Berishës për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi.

Sipas tij, ky emërim është jo vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm, sepse Demo Berisha nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por një simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. /Telegrafi/

Në këtë orar i pret nesër Osmani liderët politik

Gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Seanca nis nga ora 10:30 por si herave të kaluara edhe nesër nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim.

E për të zgjidhur këtë ngërq politik, e para e vendit Vjosa Osmani ka ftuar në një takim liderët politik.

Takimi midis Osmanit dhe liderëve politik do të zhvillohet nesër nga ora 13:00.

E sot Osmani ka paralajmëruar se takimi i së enjtes me liderët e partive është vetëm fillimi i një serie takimesh dhe diskutimesh lidhur me këtë çështje.

Ajo ka shtuar se nuk dëshiron të paragjykoj për rezultatet e këtij takimi por ka uruar që secili nga liderët do të angazhohet duke vënë si parësor interesin e Kosovës.

“Unë i falenderoj liderët e partive që i janë përgjigjur pozitivisht. Ky është vetëm fillimi i një serie takimesh ne do të vazhdojmë varësisht se si shkojnë diskutimet nesër, qoftë në atë format, qoftë në formate të ngjashme, qoftë në takime një nga një me liderët e partive. Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese sepse siç e dini neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve. Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës e rrezikon pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara. Nuk do të doja të paragjykoja tani për rezultatet por shpresoj që secili do të angazhohet duke vënë si parësor interesin e vendit dhe kur ndodhë kjo rezultatet gjithmonë janë pozitive”, ka thënë Osmani gjatë konferencës për media, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa./

Kur patriotizmi bëhet tender: Nga Podgorica në Beograd: Rruga e kompanisë që fitoi kontratën në Kosovë

Një hulumtim i #KallxoPërnime i cili transmetohet të premten zbardhë prapavijën e investitorëve të cilët fituan kontratën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për funksionalizimin dhe operimin e objektit të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

#KallxoPërnime ka zbuluar skemën e fshehjes së pronarëve të vertetë të njërës prej kompanieve që e ka fituar kontratën në Ministrin e Bujqësisë. Kompania që kishte 30% të aksioneve të kompanisë kosovare e cila nënshkroi kontratë me Ministrinë e Bujqësisë figuronte e regjistruar në Podgoricë të Malit të Zi, megjithatë #KallxoPërnime ka gjetur se kompania amë e saj është në Beograd dhe pronar është një shtetas i Serbisë.

 

Dosja ekskluzive zbardhë detaje se si biznesmeni me shtetësi serbe u tërhoq nga investimi pak ditë pasi qeveria nënshkroi kontratë me konzorciumin që fitoi kontratën.

Hulumtimi i #KallxoPërnime zbuloi se kompania pak ditë pasi fitoi kontratën për përpunimin e nënprodukteve shtazore vendosi t’i shes aksionet e veta me vetëm 3 mijë euro.

Dosja zbardhë se kompania me seli në Podgoricë dhe Beograd i shiti 20% të aksioneve tek kompania “Arches Bau”, që ka aksionarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe 10% të aksioneve tek Naser Maloku.

Në një bisedë për emisionin #KallxoPërnime, Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sfidohet me transaksionet e pronësisë së kësaj kompanie dhe lëvizjet e aksioneve të cilat u zhvilluan prapa. Ministri Peci në një intervistë të gjatë jep shpjegimet e tij rreth dhënies së kontratës për funksionalizim e objektit të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

“Jo nuk e kam ditë, për herë të parë po dëgjoj nga ju. Nuk e njoh askënd nga pronarët, nuk më takon mua me i hi me shpalos dokumentacionin e konsorciumit” – deklaron ministri Peci.

Kontrata për dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore u nënshkrua nga ministri Faton Peci pas një vendimi që Qeveria e Kosovës e mori në janar të vitit 2025. Kontrata ishtë dhënë për kompaninë “LIP KS & IT” Sh.P.K.

Hulumtimi zbardhë edhe të kaluarën e familjarëve të njërit prej aksionarëve nga Kosov,a i cili ishte i përfshirë në ‘aferën Brezovica’. Detaje për akuzën dhe lidhjet e kësaj familje me dyshimet për mitdhënje për ish-kryetarin e Shtërpcës, Branisllav Nikoliq.

Historia e kontratës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte publikuar dy njoftime, më 19.07.2024 dhe më 18.09.2024, në të cilat kërkonte palët e interesuara të aplikojnë për kontarën për funksionalizmin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Pesë ditë pasi ishte publikuar thirrja e dytë publike në ueb-faqe të AUV, kompania “LIP KS & IT” SH.P.K. ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Dosja e regjistrimit zbulon që fillimisht themelues të kësaj kompanie kishin qenë tre aksionarë, Naser Maloku, si drejtor menaxhues dhe dy kompani të tjera, “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi dhe “LIPITALIA 2000” S.P.S. me adresë në Rosta të Italisë.

Sipas të dhënave që ka siguruar KALLXO.com, pronar i kompanisë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi është një kompani tjetër me emër “MR & Co doo” me seli në Beograd të Serbisë e cila është në pronësi të shtetasit të Serbisë, Muamer Ragipoviq.

Muamer Ragipoviq figuron si drejtor edhe në kompaninë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi që kishte aksione në kompaninë kosovare që e nënshkroi kontratën me Ministrinë e Bujqësisë.

Kompania “MR & MNE” D.O.O. me pronar Muamer Ragipoviq ishte tërhequr nga biznesi që fitoi kontratën nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 20.02.2025, 1 muaj e 10 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata për fabrikën.

Vlera e aksioneve të kompanisë “MR & MNE” D.O.O. ishte 30% në kompaninë e regjistruar në Kosovë “LIP KS & IT” ose në vlerë prej 3,000 eurove. Aksioniet ishin bartur tek Naser Maloku dhe kompania “ARCHES BAU” Sh.P.K., kompani e cila më vonë do të bashkohej në pronësi të kompanisë që kishte fituar kontratën nga Ministria e Bujqësisë.

Sipas të dhënave publike, kompania “MR & MNE” D.O.O. ka vetëm një punëtor në Podgoricë, ndërsa ka katër punëtorë në “MR & Co doo” në Beograd.

KALLXO.com që nga 04.04.2025 ka dërguar kërkesa në Agjencinë e Veterenarisë dhe Ushqimit për të kërkuar qasje në dokumente dhe informata rreth fabrikës e cila nuk ishte funksionaluzar për një kohë të gjatë.

KALLXO.com ka gjetur se procesi për dhënin në shfrytëzim të kësaj fabrike kishte filluar më 19.07.2024 nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.

Pesë muaj më vonë, më 09.01.2025, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të aprovohet dhënia në shfrytëzim e tokës dhe fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Një ditë pas, më 10.01.2025, Faton Peci, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte nënshkruar kontratën me titull “Funksionalizimi objektit për përpunimin e nënprodukteve shtazore”.

Fitues i kontratës ishte shpallur “LIP KS & IT” Sh.P.K., të cilës i është dhënë e drejta për operim për 20 vite, duke u llogaritur viti 2024 deri në vitin 2044, me mundësi vazhdimi.

Sipas kontratës, kompania obligohet të paguaj një qira prej 30 mijë euro brenda vitit, që i bie nga 2 mijë e 500 euro çdo muaj.

Neni 4 i kontratës parasheh edhe subvencionin e kompanisë për çdo kilogram të grumbulluar dhe përpunuar.

“Subvencioni për çdo ton të grumbulluar do të jetë në shumën prej 0.16 cent për kilogram (1 kg)”- thuhet në kontratë. Fabrika për përpunimin e nënprodukteve shtazore kishte nis të ndërtohet nëntë vitë më parë.

Gazetari Ermal Panduri: Allo, ministër Faton Peci! Çka po kërkojnë milionat edhe kompanitë serbe me juve?

Ermal Panduri ka reaguar pas publikimit të skandalit të ri se në kontratën që nënshkroi Peci është i përfshirë edhe një serb.

“Studio e Serbisë, gazetari milioner…”, shkruan Panduri në fillim të reagimit të tij ironik, duke i drejtuar më pas disa pyetje ministrit Peci.

“Allo, ministër Faton Peci! Çka po kërkojnë milionat edhe kompanitë serbe me juve?”, shkruan ndër të tjera gazetari.

Në fund të reagimit të tij, Panduri përmend edhe Naser Malokun, me pyetjen: “Naser Maloku, a je jashtë hala?”, pa dhënë më shumë kontekst për përfshirjen e tij.

Lajmërohen nëntë raste të fruthit në Kosovë, janë nga këto qytete

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.

Sipas grup-moshave, rastet e raportuara janë: 7 raste të moshës 1-2 vjeç dhe 2 raste të moshës 4-5 vjeç.

Të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (fruth, rubeollë dhe shyta).

IKSHPK tërheq vërejtjen se nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të “importuara”, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit.

“IKSHPK u rikujton prindërve se Fruthi është sëmundje shumë serioze, 6 herë më ngjitëse se gripi dhe se 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore si infeksion të veshit, pneumoni, humbje të përhershme të dëgjimit, inflamacion të trurit dhe vdekje.

Më të rrezikuarit nga fruthi janë fëmijët e pavaksinuar nën moshën 5 vjeçe.

Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve, IKSHPK u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë kartonin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë ata sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në njësitë e vaksinimit në QKMF të komunës së tyre.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Vaksina kundër Fruthit (MMR) jepet në dy doza: Doza e parë në moshën 12 muajshe, ndërsa doza e dytë në moshën 6 vjeçe.

Kjo vaksinë është në përdorim prej më shumë se 60 vjetësh dhe se është e sigurt dhe efektive. Të dhënat shkencore kanë dëshmuar se 2 doza të vaksinës ofrojnë rreth 100% mbrojtja nga fruthi.

IKSHPK u rikujton institucioneve parashkollore dhe atyre shkollore detyrimin për zbatimin e Qarkores Informuese Nr. 05/2005 për Informimin e prindërve për vaksinimin e obliguar të fëmijëve, zbatimi i së cilës do të mbikëqyret nga inspektoratet përkatëse.