Policia aksion në veri, gjen uniforma, municion dhe pajisje tjera ushtarake

Gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në pjesën veriore të vendit.

Sipas informacioneve aksioni është zhvilluar në Zubin Potok.

‘’Me datën 20.11.2024 rreth orës 12:00 njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikeve – Mitrovicë Veri në koordinim me njësitë policore Mitrovicë Veri me autorizim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore Mitrovicë në fshatin Drobnjak Komuna Zubin Potok ka kërkuar të dyshuarin me iniciale ( S.M.) si person në kërkim në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin Potokut i cili rast ishte hetuar në vitin 2018.I dyshuari nuk është gjetur në lokacionin ku dyshohej se mund të jetë, mirëpo në pronën e tij gjegjësisht në mal në një vend të mbuluara me dhe janë gjetur uniforma dhe pajisje tjera ushtarake’’, thuhet në njoftimin e PK-së.

Më tutje është bërë e ditur se në vendin e ngjarjes është thirrë njësia e specializuar respektivisht njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive, ku gjatë kontrollit edhe në 3 vende tjera të groposura janë gjetur dhe sekuestruar pajisje të ngjashme.

Vëllai i Liridona Ademajt tregon se ku ndodhën fëmijët e viktimës: Janë të brengosur që ishin në veturë dhe që babai i tyre u përfshi

Leonard Ademaj ka thënë se ngritja e një aktakuze më shpejtë për vrasjen e motrës së tij, Liridona Ademaj dhe dënimi maksimal sipas ligjit në fuqi është lehtësim për familjen.

Ai ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorinë për ngritje të aktakuzës, por siç tha ai ka ende afat ligjor për këtë.

“Tash po bëhet 1 vit që nga vrasja e Liridona Ademaj. Ne si familje jemi në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin për aq sa ata po munden të na gjejnë kohë, edhe pse ne do të kishim dashur që të takohemi më shpesh. Sidoqoftë, vrasja e Liridones është një ndër rastet me të rënda qe ka ndodhur vendit tonë, si për nga natyra e viktimës ashtu edhe për nga veprimet kriminale e dinake ndaj një burri kundër një nëne para fëmijëve të tyre. E kuptojmë që prokuroria duhet të përgatisë aktakuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këtë ka afat ende në bazë të ligjit. Por ngritja e një aktakuze sa më shpejtë dhe dënimi maksimal që parasheh Kodi Penal i RKS është një lehtësim për ne si familje dhe për gjithë popullin sakrifikues e dashamirës të Kosovën”, ka thënë ai.

Ademaj më tej, ka thënë se vrasja është e qartë se ka ndodhur në bashkëkryerje dhe se ishte e planifikuar nga Naim Murseli.

“Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkëkryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe se bashku te 3 duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake. Pra, është bërë tërësisht e qartë se Naimi ka kërkuar nga Kushtrimi që t’i ndihmojë ta vrasë Liridonën duke i dhënë mbështetje në planifikim e organizim të vrasjes duke i gjetur një personi që e njeh se mund ta kryej këtë punë. Kushtrimi i kishte gjetur dorasin Granit Plava si personin adekuat sipas Kushtrimit.

Sipas planifikimit të tyre i kishin kërkuar Granitit të ekzekutonte planin, i cili në natën kritike, sipas koordinimit, Granit Plava e ekzekuton motrën tonë duke e mbajtur shtrëngueshëm për krahu Naimi, në veture ne prezence te dy fëmijëve të mitur. Është e paparamendueshme se si është ndjerë motra ime (e tradhtuar dhe e pambrojtur nga personi që duhet ta mbronte)  në atë moment kur vetura i është ndalur me dinakëri kinse si rezultat i një hajni, e ku papritur është shtrënguar për krahu nga vetë burri i saj”, ka thënë ai.

Tutje, vëllai i Liridonës ka thënë se familja dhe fëmijët po e vuajnë shumë mungesën e saj, i cili tregojë se janë në kontakt të vazhdueshëm më fëmijët.

Ai ka thënë se fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin ne veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës e tyre në momentin kritik qe vrasja te kryhet sa me lehtë.

“Krahas mungesës deri në amshim që do të kemi, kjo është gjëja që edhe ne si familje e edhe fëmijët po e vuajnë më shumë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me fëmijët të cilët gjendën nën kujdesin e socialit dhe organeve kompetente në Suedi të cilët i falënderojmë për angazhimin e tyre. Fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin ne veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës e tyre në momentin kritik qe vrasja te kryhet sa me lehtë. Falënderojmë të gjithë për ngushëllimet, bashkëndjerjen e dhimbjes dhe solidarizimin me ne si familje dhe rastet e ngjajshme në Kosovë, që shpresojmë të mos përsëritën kurrë”, ka thënë ai për tëvë1.

Ndryshe, Liridona u vra me armë zjarri në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt deri tani janë arrestuar tre persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Stuhia “Kaitano” nga nesër prekë edhe Kosovën, paralajmërohen reshje bore për 2-3 orë

Dita e enjte mund të zbardhë me borë. Kështu ka paralajmëruar meteorologu Mendim Rugova.

Ai thotë se përsëri nga e premtja mund të ketë ngritje të temperaturave dhe rritje të intervaleve kohore me diell.

“Po na vjen tash një ciklon i ri prej Atlantikut, do të depertojë deri mbi Ballkan që është emëruar si stuhia “Kaitano” sipas Agjencionit Meterologjik Spanjoll”, tha ai.

Rugova tha se gjatë orëve të mbrëmjes të ditës së premte sërish parashihet që reshjet e borës të kthehen, e pastaj ditën e shtunë ato pushojnë.

“Pastaj kemi sërish kthjellim të motit nga dita e diel”, tha ai në Klan Kosova.

Ndahet nga jeta polici nga Klina, ishte ish-pjesëtar i UÇK-së

Ka ndërruar jetë zyrtari i Policisë nga Klina, Deli Tigani.

Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij, përmes postimeve në rrjete sociale.

I ndjeri ka qenë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me fjalë prekëse për vdekjen e zyrtarit policor, ka reaguar një nga miqtë e tij, i cili ka treguar për virtytet me të cilat cilësohej Tigani.

Deliu qysh në rini na u bashku në aksionet tona kundër regjimit serb. E kishim gjithëher në mbështetje të çdo aksioni. U dallua në luftën e UÇK-së edhe në liri në detyra të rëndësishme në Polici të Kosovës. Prehu në tokën e Kosovës që nuk kurseve asgjë për ta parë të lirë dhe prosperuar”ka shkruar Abaz Foniqi.

Valë e re me të reshura shiu e bore në pjesë të ndryshme të Evropës, përfshinë edhe Kosovën

Cikloni i parë i fuqishëm, i shoqëruar me masa të ftohta me origjinë polare, ka sjellur reshje të dendura shiu dhe bore në shumë pjesë të Evropës, e po ashtu edhe erëra të forta.

Ky ciklon po vazhdonë rrugëtimin drejt vendit tonë dhe lindjes së kontinentit, duke sjellur sonte intensifikim të reshjeve të shiut dhe borës, e po ashtu edhe erëra të forta.

Cikloni i dytë, i cili gjindet në Oqeanin Atlantik, gradualisht do të shtrihet të enjten dhe të premten në pjesë të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe vendin tonë, duke sjellur reshje të dendura shiu e bore si dhe erëra mjaft të forta.

Reshjet e borës priten edhe në ato vende të cilat nuk janë shumë të zakonshme, e njëra ndër to është edhe qyteti i Parisit.

Reshje bore priten edhe në gjithë Zvicrën, në shumë vende të Austrisë, në pjesën jugore të Gjermanisë, në Hungari, Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi, Kosovë, në Shqipëri në zonat malore, pjesë të Maqedonisë së Veriut dhe kështu duke vazhduar drejt lindjes së kontinentit gjatë fundjavës, përfshirë edhe Turqinë me reshje të dendura bore në shumë zona. /MeteoKosova/

Aksident në mes të dy veturave te konviktet, bllokohet rruga në drejtim të ‘Bregut të Diellit’

Një aksident trafiku ka ndodhur para pak çastesh te semaforat afër konvikteve të studentëve.

Në aksident janë përfshirë dy vetura, njëra e tipit BMV dhe tjetra Mercedes, raporton Gazeta10.

Përveq dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

Si pasojë e këtij aksidenti rruga në drejtim të Bregut të Diellit është bllokuar tërsisht.

Policia ende nuk ka dal në vendin e ngjarjes./Gazeta10

Hedhet për diskutim mbyllja e TikTok-ut dhe Snapchat-it

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama – duke folur pas mbledhjes së qeverisë – ka njoftuar se qeveria do të hedhë për diskutim të gjerë mbylljen e plotë të TikTok-ut dhe Snapchat-it, në Shqipëri.

Kjo, erdhi pas ngjarjes së rëndë që ndodhi dy ditë më parë, pranë shkollës Fan Noli në kryeqytet, ku mbeti i vrarë me thikë një 14-vjeçar nga bashkëmoshatari i tij.

“Prej tre ditësh i madh e i vogël është tronditur nga vrasja makabër e një nxënësi 14 vjeçar. E gjithë dinamika nxjerr në pah kërcënimin permanent ku TikTok apo Snapchat thithin përditë fëmijët që në moshat më të vogla”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, autoriteti i prindërve apo mësuesve sfidohen “orë e çast nga bota paralele e këtyre rrjeteve ku nuk ka asnjë filtër, e deri shëndeti mendor vihen në pikëpyetje. Janë të vërteta që nuk është e vështirë të biem dakord”.

“Garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive tona. Shumë shtete po përpiqen të vendosin filtra mbrojtës, por pa rezultat. Jemi angazhuar në hulumtimin e kësaj problematike. Austria e Franca po diskuton vendosjen si kusht hapjen e një llogarie online të fëmijëve. Por tej këtyre përpjekjeve, problemi ende i hapur mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre”.

Për këtë, thekson kryeministri, “dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, kur në fakt efektiviteti i tyre është i ulët ndërsa stimujt e dhunës dhe bullizmit vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike, për mbylljen e plotë të TikTok dhe Snap chat”.

U zumë sepse po më shikonte”, zbardhet dëshmia e 14-vjeçarit që vrau shokun e klasës

A2 CNN ka zbardhur dëshminë e autorit të vrasjes së 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Sipas burimeve, pasditen e së martës ai është marrë në pyetje dhe ka deklaruar: “Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishim lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët, si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes, ndodhi ajo që ndodhi”.

I pyetur nese është penduar, ai nuk ka pranuar të flasë.

Ndërkohë, as thikën nuk ka treguar se ku e ka fshehur. Ai ka thënë se nuk e kishte në shkollë brenda, por e kishte fshehur diku aty afër.

Dëshmitari i 105-të në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Me kanë akuzuar se kam vrarë shqiptarë, ishte justifikim për ndalimin tim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 105-të i cili mban kodin W00344 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes dhe sipas kryetarit të turit gjykues, për arsyeje shëndetësore ky dëshmitar e dha ulur betimin solemn. Ai gjatë dëshmisë në publik tha se është ndaluar dhe si justifikim për ndalimin e tij është thënë se kishte vrarë shqiptarë.

“Thjesht me kanë akuzuar se kam vrarë disa shqiptarë. Nuk kishte kuptim kjo fare se ishte thjeshtë një arsye-justifikim për ndalimin tim”, tha dëshmitari duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Cezary Mihailzcuk.

Megjithatë, përpara kësaj, prokurori lexoi një përmbledhje për dëshmitarin ku tregoi se gjatë ndalimit, i njëjti ishte rrahur dhe keqtrajtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në vitin 1999, dëshmitari 00344 u rrëmbye nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së përpara shtëpisë së tij dhe u dërgua me makinë se bashku me një tjetër person në një vendndalimi të UÇK-së, dëshmitari 00344 është mbajtur në atë vend me disa të ndaluar të tjerë. Gjatë ndalimit të tij, ai është rrahur në mënyrë të vazhdueshme dhe ka dëgjuar që edhe të ndaluar të tjerë janë keqtrajtuar në shumë raste”, tha ai.

Prokurori tha se dëshmitari ka pasoja fizike dhe psikologjike si pasojë e atij ndalimi dhe keqtrajtimi që iu është bërë atje.

“Dëshmitari 00344 është liruar pak ditë pasi u ndalua dhe është larguar nga Kosova disa ditë më pas. Si rezultat i keqtrajtimit të tij në ndalim, ai vazhdon edhe sot e kësaj dite që të vuaj nga probleme të ndryshime fizike dhe psikologjike”, tha ai.

Kur u pyet se a i ka thënë ndonjë njëri në ndalim se për çfarë akuzohej, dëshmitari tha se askush drejtpërdrejtë nuk ia kishte thënë një gjë të tillë.

“Jo, drejtpërdrejt nuk më kanë bërë asnjë pyetje. Thjesht me kanë akuzuar se kam vrarë disa shqiptarë. Nuk kishte kuptim kjo fare se ishte thjeshtë një arsye-justifikim për ndalimin tim”, tha dëshmitari.

Pjesa tjetër e dëshmisë së dëshmitari kaloi në përmbajtje të redaktuar dhe më pas seanca kaloi në private.

Sipas kryegjyqtarit, dëshmia këtij dëshmitari pritet të zgjas më pak se një ditë dhe nga kjo kohë, Prokuroria ka parashtruar se i duhen vetëm një orë për pyetje.

Pyetje do të bëjë edhe mbrojtësi i viktimave i cili ka parashtruar se i duhen rreth 15 minuta. Ndërsa, mbrojtja e të akuzuarve ka parashtruar se i duhen rreth një orë e 15 minuta.

Vlen të theksohet se me kërkesë të ZPS-së, u pranuan në prova materiale të gjitha deklaratat e mëhershme të dëshmitarit së bashku me materialet përcjellëse në tri gjuhet zyrtare të gjykatës.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

“Një pjesë e vogël e sasisë…”, Kurti publikon pamjet e armatimit të ri që është blerë për FSK-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në profilin e tij në Facebook ka publikuar pamjet nga njëra nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për ushtrinë e Kosovës.

Ai tha se ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që janë bërë për ushtrinë e Kosovës.

Sipas Kurtit, kjo është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë është blerë.

“Mbrëmë së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vizituam njërën nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për ushtrinë tonë.

Ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që jemi duke i bërë për forcën tonë dhe është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë kemi marrë.

Ngritja e kapaciteteve tona ushtarake ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit tonë territorial dhe të ruajtjes së paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Kurti.

VIDEO