Momente paniku në një aeroplan, vdes një pasagjer, bëhet ulje emergjente në Londër

Një fluturim i avionit të Ryanair u detyrua të bënte një ulje urgjente në Londër pasi një pasagjer u konfirmua i vdekur në bord.

The Mirror shkruan se fluturimi nga Tirana për në Aeroportin e Mançesterit, u detyrua të devijonte pak para orës 20:00 të së dielës, pasi kishte fluturuar tashmë mbi Zvicër dhe Francë.

Ekuipazhet e urgjencës mbërritën në avion pas uljes, por edhe pse i kanë dhënë ndihmën e parë pasagjerit, nuk kanë mundur ta shpëtojnë. Ende nuk dihet mosha dhe shtetësia e pasagjerit, transmeton TopChannel.

London Stansted konfirmoi se sapo avioni u ul mbërritën në kohë mjekët dhe shërbimi zjarrfikës, sapo u dha alarmi se një person kishte shfaqur probleme shëndetësore. Por edhe pas ndihmës mjekësore, pasagjeri nuk ia dalë. Referuar mediave të huaja viktima shoqërohej nga disa miq të tij, ndërsa paraprakisht dyshohet se ka pësuar infarkt.

Ngjarja ka shkaktuar momente paniku në avion dhe te pasagjerët tjerë, të cilët deklarojnë se kanë tentuar që t’i japin ndihmë dhe ta mbajnë në jetë, ndërsa situatën e përshkruajnë si tronditëse.

Ganja, Kurtit: Do të mbetesh në histori si rrenc, ti veç nder s’ke – je turpi i këtij vendi

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, “rrenc”.

Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme, ajo u shpreh se një kryeministër që ka nder e arsye të shëndoshë, e dorëzon karrigen e jo shtetin.

“Ti Albin the “e kam nderin që po e çoj mandatin deri në fund”. Jo Albin, ti nuk ke nder, ti nuk e din çka është nderi, ti ke turp, turpin që e ke mbajtë këtë shtet peng me zero zhvillim, me dialog në favor të Serbisë, me sanksione nga BE-ja, me ministra antikushtetues”.

“Një kryeministër që ka nder e arsye të shëndoshë e dorëzon karrigen nuk e dorëzon shtetin si ti Albin. Pesë vjet në pushtet do të mbahen në mend si pesë vitet më të errëta të ngritjes së Kosovës shtet. Do të mbetesh në histori si një rrenc destruktiv antishtetëror, antikombëtar. Ti je turpi i këtij vendi”, tha Musliu në Kuvend.

“Kurti apo Vuçiq, i ka raportet më të mira me Trump”, flet kryeministri

Kryeministri Albin Kurti, ka shprehur qëndrimin e qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.

“Ne bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe sinqeritetin dhe seriozitetin tonë,” u shpreh Kurti, duke shtuar se për qeverinë e Kosovës bashkëpunimi me SHBA-në është prioritet.

Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale, Kurti ritheksoi përkushtimin e qeverisë së tij për të ruajtur marrëdhëniet e ngushta me administratën amerikane, duke theksuar se synojnë t’i thellojnë ato jo vetëm në aspektin diplomatik.

“Ne dëshirojmë, jemi të gatshëm, shumë të interesuar që ta vazhdojmë këtë angazhim, pse jo edhe ta zgjerojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim i cili shprehet jo vetëm në aspektin diplomatik,” theksoi Kurti.

Kryeministri është pyetur për bisedën mes Trump dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kush i ka raportet me të mira.

“Unë bëjë raporte zyrtare, shtetërore, politike. Kush i ka raportet më mirë me kënd nuk e di këtë punë.”

Ai shprehu qëndrimin se Kosova do të vazhdojë traditën e bashkëpunimit me SHBA-në, pavarësisht se cila parti është në pushtet në Uashington.

Duke kujtuar historinë e mbështetjes amerikane, Kurti theksoi se kjo marrëdhënie është e palëkundshme.

“Çlirimin e kemi në kohën e presidentit demokrat, pavarësinë e kemi shpallur në kohën e presidentit republikan. Besoj që kjo flet shumë,” tha ai, duke rikujtuar kontributin e figurave të njohura amerikane, si Bob Dole dhe Tom Lantos, në mbështetje të Kosovës që nga fundi i viteve ‘80.

Kur do të paditet Serbia për gjenocid, flet kryeministri Kurti

Kryeministri Albin Kurti pas vizitës që i bëri Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, është pyetur se a do të ndihmojnë materialet që të hartohet padia për gjenocid ndaj Serbisë dhe se ku është Qeveria me përgatitjet për këtë padi.

Padia për gjenocid ndaj Serbisë është një premtim i kahmotshëm i kryeministrit Kurti.

Ai ka thënë se përgatitjet janë konfidenciale, pasi që kanë të bëjnë me një shtet armiqësor dhe agresor si Serbia

“Ky është Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe synimi është hulumtimi, dokumentimi, e vërteta në përmasën e saktë për hir të historisë dhe drejtësisë, por natyrisht që i përket organeve të tjera që më pastaj të punojnë dhe të veprojnë mbi bazën e këtyre materialeve të arkivuara këtu”.

“Ne po e vazhdojmë punën tonë, përgatitjet tona që janë të thella e komplekse, e për të cilat në kuptimin konkret të përmbajtjes së tyre nuk mund të flas, meqenëse këto përgatitje zhvillohen në konfidencialitet, sepse natyrisht kemi të bëjmë me një shtet agresor, i cili është shtet armiqësor ndaj nesh dhe nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë, përkundrazi i quan ato fabrikime”.

“Duke e pasur parasysh kontekstin rajonal, fqinjin tonë armiqësor, këto përgatitje duhet t’i zhvillojmë jashtë syve të opinionit publik”, tha kryeministri para gazetarëve.

Ja kur pritet të nisin reshjet e borës në Kosovë

Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se nga fundi i nëntorit, në Kosovë priten reshje bore.

Po ashtu ai shton se këtë vit, dimri pritet të jetë më i ftohtë se ai paraprak.

“Masat e ajrit të ftohta që kanë mbizotëruar ditëve të fundit, kanë ndikuar që në disa pjesë të territorit të Kosovës, në zona të izoluara që të ketë rënie të temperaturave, dhe të krijohen kushte për reshje bore. Patëm reshje bore që nuk e kanë përfshirë të gjithë territorin. Nuk janë reshje të dendura, janë të lehta. Në ditët në vijim presim të kemi riga shiu të cilat në vise të ulëta vijnë në formë shiu, e në vise të larta me borë”, tha Aliu në emisionin “Fol me Arin”.

“Bora në viset e ulëta pritet diku nga data 26 apo 27 nëntor. Sipas statistikave tona, ky vit do të jetë më ndryshe se viteve të tjera, në kuptimin e temperaturave më të ulëta dhe reshjeve më të dendura të borës, të cilat do të na shoqërojnë nga nëntori e edhe në muajt pasues, deri në mars”.

E rëndë: Një burrë ther me thikë katër persona, dy vajza e dy djem

Një burrë në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci” në Ferizaj në rrethana ende të pasqaruara ka therur me thikë katër persona kalimtarë të rastit , dy femra ( të moshave nën 18 vjeçe) dhe dy meshkuj ( të moshave madhore, rreth 29-32 vjeçare).

Të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, dy persona janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ndërsa dy të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj.

Rastin për Gazetën Demos e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intenzive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ” Riza Matoshi” në afërsi të qendrës tregtare ” Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura”, tha Veseli për Demos.

PAMJE: Prishtina zbardhet nga bora

Gërmia mëngjesin e sotëm ka marrë pamjen e bardhë nga bora.

“Mushkëritë e Prishtinës” duken më ndryshe me këtë pamje.

Lexuesit e Indeksonline kanë dërguar fotografi ku shihet gjendja e motit.
Bie bora e parë për këtë sezonë në Kosovë

Për këtë të hënën është parashikuar të mbajë mot kryesisht i vranët, ku pritet të ketë edhe reshje të izoluara shiu e bore të karakterit lokal, jo vetëm në zonat malore, por edhe në ultësira. Reshjet e borës pritet të paraqiten qysh në orët e para të 24-orëshit në zona të caktuara.

Ashtu siç dhe u parashikua nga meterologët, bora e parë për këtë sezonë ra qysh në orët e hershme të mëngjesit, në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe në disa qytete tjera.

Qytetarët kanë publikuar edhe pamje, ku shihen fjollat e para të reshjeve shumë të lehta të borës në vend.Era do fryjë nga verilindja me shpejtësi prej 10-28 km/h.

Temperaturat do të pësojnë ulje të mëtejshme, me minimale që do të lëvizin prej -3 deri në 0°C, ndërsa ato maksimale prej 4 deri në 8°C./MK

Ja kur pritet të përfundoj lufta në Ukrainë

Data e përfundimit të konfliktit në Ukrainë mund të përcaktohet shumë shpejt pasi Donald Trump të marrë detyrën si president i SHBA-së, tha kryeministri polak Donald Tusk në një konferencë për shtyp.

“Shumë shpejt, kur Donald Trump të marrë detyrën, ne mund të presim një propozim për një armëpushim të mundshëm”, sugjeroi ai.

Gjatë fushatës së tij elektorale, Trump ka deklaruar vazhdimisht se, nëse fiton zgjedhjet, do t’i japë fund konfliktit në Ukrainë brenda një dite.

Bien temeraturat, kështu do jetë moti këtë javë

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës pesë ditët e ardhshme do të jenë të kryesisht të ftohta në Kosovë.

E hëna pritet të jetë me mot të vranët dhe me intervale me diell.

Moti i ngjashëm pritet të jetë edhe gjatë ditëve të tjera të javës së ardhshme, e hënë-premte.

Më poshtë njoftimi nga IHMK:

E hënë – Mot i vranët dhe me intervale me diell. Nëpër ultësira parashihet mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 1gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.

E martë – Mot i vranët dhe me intervale me diell dhe vende –vende me mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes.

E mërkurë – Mot kryesisht i vranët dhe vende -vende me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8-10 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtim i verilindjes e lehtë deri mesatare.

E enjte – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësira më të fokusuara parashihen për rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-3gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-9gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.

E premte – Edhe dita e premte parashihet me pak vranësira dhe me intervale me diell dhe vende-vende me mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-3gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-11 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes.