div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-54 category-paged-54 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Presidentja sjell lajmin e shumëpritur: një shtet i ri njeh Kosovën

Bahamas e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njoftoi se në kryeqytetin e Bahamas është nënshkruar marrëveshja dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

“Edhe një vendim historik për vendin tonë. Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë”, ka deklaruar Presidentja Osmani.

Sipas saj, marrëveshja për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në deklaratën e përbashkët, Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës riafirmojnë përkushtimin ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Dy shtetet shprehin synimin për të zhvilluar bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët, si konsultimet politike, tregtia dhe investimet, turizmi, arsimi dhe kultura, teknologjia dhe inovacioni, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve.

Në deklaratë thuhet se Bahamas dhe Kosova mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, që do t’u shërbejë interesave të të dy popujve dhe do të kontribuojë në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Mbledhja e qeverisë në detyrë – të gjitha vendimet që u miratuan

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për të hequr masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat sipas saj ishin të padrejta që në fillim.

Sipas Qeverisë, institucionet e vendit nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat e veriut, ndërsa deeskalimi i situatës është meritë e tyre.

“Ndërkohë, Republika e Kosovës dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, përfshirë incidentin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe sulmin mbi kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024. Për këto raste tashmë janë ngritur aktakuza”, u tha në mbledhjen e Qeverisë.

Qeveria gjithashtu ka bërë të ditur se çdo përpjekje për të cenuar sundimin e ligjit do të kishte pasojat e veta, ndërsa stabiliteti dhe funksionimi i institucioneve në veri është rezultat i respektimit të ligjit dhe rendit publik.

Qeveria u shpreh se pavarësisht vështirësive, ka mbetur e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.

Sipas Qeverisë, masat financiare më të mëdha nuk u vunë nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare, e cila pengoi votimin e Planit të Rritjes së BE-së dhe marrëveshjeve me Bankën Botërore, me një vlerë totale mbi 1 miliard euro

Përveç kësaj, Qeveria ka njoftuar edhe vendime të tjera: konfirmimin e zbatimit të vendimeve dhe protokolleve të CEFTA-s, themelimin e Komisionit Profesional për ngritjen e Memorialit të Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali, si dhe ndarjen e 1.65 milionë eurove për grupin e parë të studentëve përfitues të Programit të Bursës së Mobilitetit.

“Ky memorial do të jetë donacion i Qeverisë për arbëreshët në Itali, ndërsa bursat synojnë të zvogëlojnë pabarazitë dhe të krijojnë mundësi për studentët nga zonat më të largëta”, thuhet në komunikatë.

Në përmbyllje, Qeveria uroi mirëseardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje dhe siguroi se institucionet, duke nisur nga policët kufitarë, do të jenë të gatshëm për mikpritje dhe shërbim për qytetarët.

Vdes pjesëtari i Policisë së Kosovës në moshë të re

Ka vdekur Albion Maxhuni, zyrtari policor i Policisë së Kosovës.

Për ndarjen nga jeta të Maxhunit, telegram ngushëllimi ka shkruar Policia.

“Me rastin e vdekjes të zyrtarit policor Albion Maxhuni, familjes, miqve dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta! Sindikata e Policisë së Kosovës”, thuhet në telegram.

Qeveria në detyrë mban mbledhjen e radhës, merr këtë vendim

Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, ka miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të ndërmarrjes shoqërore industria e mobilieve “Përparimi”, si dhe të pronave private, për nevoja të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtën mbledhje, qeveria… ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i /kyçjes/ lidhjes së Vitisë në autoudhën ‘Arbër Xhaferi’, Prishtinë – Hani i Elezit”.

Po ashtu, është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës transit në Klinë, nga N9 deri në R-104”, Klinë – Gurakoc.

Gjatë kësaj mbledhjeje, qeveria në detyrë ka marrë gjithashtu vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i rrugës nacionale M25 Prishtinë – Podujevë”.

Kurti: Kosova masat më të mëdha financiare s’i ka vuajtur nga BE-ja, por nga opozita

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen  e sotme të qeverisë,  ka komentuar vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj vendit të vendosura në qershorin e vitit 2023

Kurti ka theksuar se këto masa ishin të padrejta qysh në fillim, por ka thënë se nuk kanë qenë asnjëherë “të hidhëruar” me BE-në, por të përkushtuar në rrugën drejt integrimit.

Por, sipas Kurtit, Kosova masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga BE-js, por siç tha ai nga opozita parlamentare.

“Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar ndaj BE-së, por kemi qenë të përkushtuar në rrugën drejt integrimit, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleatë dhe kampionë të vlerave demokratike.

Por më duhet të ju them edhe diçka. Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga BE-ja, por nga opozita parlamentare.

Në muajin e kaluar përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Kosovës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 880 milionë eurove dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro. Pra mbi 1 miliardë euro gjithsejt, në mungesë të vullnetit dhe të votës së opozitës. Andaj, uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konsitutimit të Kuvendit, edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës”, tha ai. /Reporteri.net/

Kosova përfshihet në ligjin mbrojtës të ShBA-ve: Kërkohet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, të cilat “duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të kësaj marrëveshjeje”.

Kështu thuhet në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 18 dhjetor.

“Pasi të arrihet përparim i mjaftueshëm, SHBA-ja duhet të shqyrtojë iniciativa për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet”, thuhet në tekst, duke shtuar se kjo përfshin dialogun strategjik dypalësh dhe nisma konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve.

Sipas aktit, SHBA-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

Për Kosovën, aleanca me SHBA-në mbetet një bosht i pathyeshëm. Pas një takimi me presidetin amerikan, Donald Trump, në shtator, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se e ka falënderuar atë për, siç u shpreh, angazhimin e palodhshëm për paqe.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë edhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Akti Kombëtar për Mbrojtje për vitin fiskal 2026 autorizon shpenzim vjetor rekord për ushtrinë amerikane që arrin vlerën e 901 miliardë dollarëve, 8 miliardë më shumë seç kishte kërkuar Trumpi.

Akti përfshin gjithçka, nga numri i anijeve, avionëve dhe sistemeve raketore që do të blihen, e deri te rritja e pagave për ushtarët dhe mënyra se si do të adresohen kërcënimet gjeopolitike, raporton Radio Evropa e Lirë.

Teksti i këtij dokumenti përmend një sërë çështjesh, përfshirë edhe varësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga energjia ruse. Aty thuhet se kjo varësi lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Moskën dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian, ndërsa korrupsioni, përfshirë edhe në nivelet e udhëheqësve kryesorë politikë, vazhdon të përbëjë një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit.

Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare thuhet se ulja e varësisë së Ballkanit Perëndimor nga gazi dhe karburantet fosile ruse është në interes kombëtar të SHBA-së, dhe se Uashingtoni duhet të mbështesë anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Varësia e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga burimet fosile ruse dhe gazi natyror lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Federatën Ruse dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian”, thuhet në këtë dokument.

Rritja e ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor gjithashtu mund të ketë ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën, thuhet në dokument, ku kërkohet që sekretari i Shtetit, në koordinim me atë të Mbrojtjes, drejtorin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës dhe agjencitë e tjera përkatëse, t’i raportojë rregullisht Kongresit për ndikimin dashakeq të Rusisë dhe Kinës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqetësim i thellë” për gjendjen e demokracisë në Serbi

Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare është shprehur shqetësim edhe për gjendjen e demokracisë në Serbi.

“Zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor 2023 dhe pasojat e tyre të menjëhershme ngjallin shqetësim të thellë lidhur me gjendjen e demokracisë në Serbi, duke përfshirë përfundimet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it”, thuhet në tekstin e dokumentit.

Aty shtohet se Zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut ka vlerësuar se në ato zgjedhje kishte “kushtet jo të drejta” për votim, “shumë mangësi procedurale, përfshirë zbatimin jo të barabartë të masave mbrojtëse gjatë votimit dhe numërimit, mbingarkimin e qendrave të votimit, shkelje të fshehtësisë së votës dhe raste të shumta të votimit në grup”.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjithashtu ka theksuar se zyrtarët serbë kanë akuzuar kryesisht protestuesit paqësorë, partitë opozitare dhe shoqërinë civile për “përpjekje për të destabilizuar Qeverinë”, një pretendim shqetësues që rrezikon sigurinë e pjesëve të rëndësishme të shoqërisë serbe, thuhet në tekstin e Kongresit, ku vlerësohet se vendet demokratike, të cilat ndajnë vlerat e SHBA-së, përfaqësojnë partneritete më të forta dhe afatgjata.

Mbështetje për EUFOR-in në Bosnjë dhe Hercegovinë

Ndër qëndrimet e Kongresit, sipas aktit, është se duhet të mbështetet ruajtja e mandatit të plotë të EUFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke e konsideruar këtë në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Gjithashtu kërkohet që NATO-ja dhe BE-ja të rishikojnë mandatin dhe vendosjen e misioneve në Bosnjë dhe Hercegovinë për t’u siguruar që të luajnë një rol proaktiv në krijimin e një mjedisi të sigurt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – përbëjnë një rajon pluralist dhe multietnik në zemër të Evropës, i cili është thelbësor për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit, thuhet në fillim të seksionit kushtuar rajonit, për të cilin u tha se mund të quhet “Ligji për demokracinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”.

Paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor lidhen drejtpërdrejt me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik të këtyre gjashtë vendeve, dhe është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të rajonit të përmirësojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në rajon.

Reformat drejt Bashkimit Evropian, të kryera nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë sjellë përparim të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik në rajon, por pavarësisht këtij përmirësimi, nivelet e varfërisë dhe papunësisë në Ballkanin Perëndimor mbeten më të larta se në vendet fqinje të BE-së.

Gjithashtu theksohet se “korrupsioni, përfshirë edhe tek udhëheqësit kryesorë politikë, vazhdon të prekë Ballkanin Perëndimor dhe përbën një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit”, ndërsa “fushatat e dezinformimit të drejtuara ndaj Ballkanit Perëndimor minojnë besueshmërinë e institucioneve demokratike, përfshirë integritetin e zgjedhjeve”.

Për këtë arsye, Kongresi ka theksuar se SHBA-ja duhet, ndër të tjera, të bashkëpunojë me aleatët dhe partnerët e përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit, diversifikimin e burimeve energjetike, reformat demokratike dhe ekonomike dhe reduktimin e varfërisë; të nxisë forcimin e lidhjeve tregtare dhe investimeve midis SHBA-së dhe aleatëve/partnerëve në Ballkanin Perëndimor dhe të zgjasë ndihmën amerikane për përpjekjet e integrimit rajonal në rajon.

SHBA-ja duhet të mbështesë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së dhe NATO-s, dhe që duan të anëtarësohen, të përmbushin kriteret për anëtarësim, kanë mbështetjen e të gjithë aleatëve për të marrë ftesën për anëtarësim dhe që janë në gjendje të promovojnë më tej parimet e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në sigurinë kolektive të NATO-s.

SHBA duhet të rrisë lidhjet tregtare dhe investimet në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për të zvogëluar varësinë nga burimet energjetike ruse, për të rritur diversifikimin e energjisë, efikasitetin dhe kursimin, si dhe për të lehtësuar kalimin te burimet e energjisë së pastër.

Aty shtohet se duhet të vazhdojë mbështetja e zhvillimit të shoqërisë civile të fortë, partneriteteve publike-private, medias së pavarur, qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, stabilitetit politik dhe ekonomive moderne të tregut.

Në aktin për mbrojtjen, sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i kërkohet të nxisë iniciativa për zhvillim demokratik dhe ekonomik dhe prosperitet, përfshirë zgjatjen e ndihmës teknike në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh kushtet lokale dhe miratimin e qeverisë vendase; të forcojë strategjitë kombëtare ekzistuese kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin politik, veçanërisht në gjyqësor, organet e pavarura të mbikëqyrjes së zgjedhjeve dhe prokurimet publike; dhe të promovojë rolin e medias së pavarur në luftën kundër korrupsionit.

Kongresi gjithashtu ka shprehur mbështetje për sigurinë kibernetike dhe rezistencën kibernetike në Ballkanin Perëndimor, iniciativat për lidhje ekonomike rajonale dhe zhvillim, si dhe për promovimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe arsimor midis SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Autori i këtij dokumenti për Ballkanin Perëndimor, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga radhët e demokratëve, William Keating, tha për televizionin Insajder se miratimi i legjislacionit në dy dhomat e Kongresit tregon se Ballkani mbetet në radarin amerikan.

“Mesazhi i rëndësishëm është se Amerika vazhdon të jetë e interesuar për Ballkanin Perëndimor. Unë merrem me këtë rajon prej shumë vitesh dhe gjithmonë e kam konsideruar si një zonë të rëndësishme për ne. Njerëzit duhet ta dinë se edhe në këtë Qeveri të SHBA-së ka njerëz që e shohin Ballkanin si prioritet”, tha Keating.

Ai shpjegoi se legjislacioni u prezantua që në shtator, dhe më pas u përfshi në Aktin për mbrojtjen, me qëllim që të sigurohet miratimi i tij.

Vdes afaristi i njohur kosovar

Ka vdekur biznesmeni i njohur kosovar në sektorin e barnave Armend Agani.

Ai po trajtohej në Gjermani nga një sëmundje e rënd.Kështu ka bërë të ditur familjari i tij, Ferid Agani.

I ndjeri ishte edhe kryetar i ASPK-së.

E rëndë: Vdes një 12-vjeçare – Policia jep detaje

Një vajzë rreth 12 vjeçe ka vdekur në rrethana ende të panjohura në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se të enjten rreth orës 16:00, Stacioni Policor ka pranuar informatën për vdekjen e një pacienteje në Qendrën Emergjente – Repartin e Pediatrisë. Menjëherë pas njoftimit, patrullat policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Nga mjeku përgjegjës i repartit, në cilësinë e dëshmitarit, ishte konfirmuar se viktima ishte pranuar për trajtim më 17 dhjetor rreth orës 23:50, ndërsa një ditë më vonë, rreth orës 15:55, kishte vdekur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Stacionit Policor Prizren, si dhe Njësia e Hetimeve Rajonale. Për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar i shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si hetim i vdekjes.

“Me datën 18.12.2025, rreth orës 16:00, Stacioni Policor Prizren ka pranuar informatën se një paciente kishte humbur jetën në rrethana ende të panjohura. Patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në Qendrën Emergjente – Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal në Prizren. Nga mjeku përgjegjës i repartit, në cilësinë e dëshmitarit, është marrë konfirmimi se viktima, gjinia femërore, rreth 12 vjeçe, ishte pranuar për trajtim më 17.12.2025, rreth orës 23:50, ndërsa më 18.12.2025, rreth orës 15:55, kishte ndërruar jetë”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente të Stacionit Policor Prizren, si dhe Njësia e Hetimeve Rajonale. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të inicohet si hetim i vdekjes dhe trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit. Rasti, për hetime të mëtejme, i është kaluar Hetimeve”, tha Bytyqi.

Lajm i keq për aplikuesit e Green Card-it, Trump pezullon programin e lotarisë

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ka njoftuar se ka urdhëruar pezullimin e programit të lotarisë së kartës së gjelbër me urdhër të presidentit Donald Trump.

Kjo, pasi autoritetet konfirmuan se autori i dyshuar i sulmeve vdekjeprurëse në Brown University dhe Massachusetts Institute of Technology (MIT) kishte hyrë dhe marrë rezidencë të përhershme në SHBA përmes këtij programi.

I dyshuari Claudio Neves Valente, shtetas portugez, fillimisht hyri në SHBA me vizë studenti në vitin 2000 dhe më vonë u bë banor i përhershëm në vitin 2017, sipas Oscar Perez, shefi i policisë në Providence, Rhode Island. Valente u gjet i vdekur të enjten në mbrëmje nga një plagë e shkaktuar nga armë zjarri, e vetëshkaktuar

“Ky individ i tmerrshëm nuk duhej të ishte lejuar kurrë në vendin tonë,” tha Noem në X.

Trump prej kohësh e ka kundërshtuar lotarinë e vizave të diversitetit.

Pasi një burrë afgan u identifikua si personi që qëlloi për vdekje anëtarë të Gardës Kombëtare në nëntor, administrata e Trumpit vendosi rregulla të gjera kundër emigracionit nga Afganistani dhe vende të tjera

Programi i vizës DV1 vë në dispozicion deri në 50,000 karta jeshile çdo vit përmes lotarisë për njerëz nga vende që janë pak të përfaqësuara në SHBA, shumë prej tyre në Afrikë.

Gati 20 milionë njerëz aplikuan për lotarinë e vizave të vitit 2025, me më shumë se 131,000 të përzgjedhur, duke përfshirë bashkëshortët e fituesve. Pas kësaj, ata duhet t’i nënshtrohen verifikimit për t’u pranuar në SHBA.

Mblidhet qeveria në detyrë, ky është rendi i ditës

Qeveria në detyrë do të mblidhet sot.

Mbledhja e Qeverisë do të mbahet në orën 10:00, është bërë e ditur në një njoftim nga Kryeministria.

10 pika janë në rend dite në mbledhjen e sotme.

Në mbledhjen e sotme ndër të tjera do të bëhet shqyrtimi i Propozim-vendimit për Konfirmimin e obligimit të zbatimit të vendimeve të
CEFTA-s dhe protokolleve të saj dhe po ashtu do të shqyrtohen disa propozim-vendime për shpronësime./Reporteri.net/

Rendi i plotë i ditës: