div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-6 category-paged-6 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Qeveria Kurti merr edhe këtë vendim: Nga Qershori kjo kategori do i merr nga 500 euro

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e mbështetjes financiare për lehonat e papuna, duke filluar nga ky muaj.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se lehonat e papunësuara do të përfitojnë 500 euro në muaj për një periudhë prej gjashtë muajsh, që në total kap vlerën e 3 mijë eurove për përfitues.

Sipas tij, kjo rritje vjen në kuadër të politikave sociale të qeverisë dhe synon mbështetjen e nënave në periudhën e paslindjes.

Kurti theksoi se për lehonat e punësuara mbështetja financiare, së bashku me kompensimet nga punëdhënësi dhe shteti, mund të arrijë deri në 1500 euro shtesë për periudhën e paraparë me ligj.

Qeveria ka bërë të ditur se kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet nga institucionet përkatëse.

Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me masat e njëhershme mbështetëse financiare

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me varësinë në rritje nga masat e njëhershme të mbështetjes financiare si përgjigje ndaj sfidave ekonomike dhe presioneve të inflacionit. Derisa mbështetja e kategorive të cenueshme dhe ruajtja e fuqisë blerëse të qytetarëve përbëjnë objektiva të rëndësishme, masat e përkohshme financiare ofrojnë vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk adresojnë faktorët e nevojshëm strukturorë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Përmes, një komunikate për media, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson fuqishëm se masat të cilat fokusohen kryesisht në stimulimin e konsumit afatshkurtër rrezikojnë të prodhojnë ndikim të kufizuar afatgjatë ekonomik, veçanërisht në një ekonomi si ajo e Kosovës, ku një pjesë e konsiderueshme e rritjes së konsumit përkthehet në rritje të importeve, e jo në shtim të prodhimit vendor dhe të investimeve. Masat e tilla po ashtu kufizojnë disponueshmërinë e fondeve publike për iniciativa dhe investime me ndikim më të madh ekonomik dhe me përfitime më të gjera e më afatgjata.

Në vend të pagesave të përkohshme dhe të njëhershme, fokusi duhet të zhvendoset drejt investimeve në infrastrukturë dhe në politika që forcojnë ekosistemin e sektorit privat. Investimet strategjike në infrastrukturën e transportit dhe të energjisë, infrastrukturë digjitale, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore krijojnë kushte që u mundësojnë bizneseve të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të rrisin produktivitetin.

Fuqizimi i sektorit privat ka ndikim më të gjerë dhe më të qëndrueshëm në shoqëri. Një sektor privat më konkurrues dhe në rritje gjeneron mundësi të reja punësimi, kontribuon në rritjen graduale të pagave dhe krijon stimuj për përmirësimin e kushteve të punës dhe investimin në zhvillimin profesional të punonjësve. Rritja ekonomike e nxitur nga investimet produktive ofron përfitime më të forta dhe më afatgjata sesa masat e përkohshme të konsumit.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se prosperiteti i qëndrueshëm arrihet përmes politikave që forcojnë bazat ekonomike, përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe krijojnë një mjedis ku bizneset mund të zhvillohen dhe qytetarët të përfitojnë nga punësimi i qëndrueshëm dhe standarde më të mira jetese.

Sejdiu për 100 eurot: Ky nuk është kujdes për qytetarin, kjo është blerje e votës

Analisti Dardan Sejdiu e ka kritikuar vendimin e Qeverisë Kurti për shpërndarjen e buxhetit të shtetit në prag të zgjedhjeve.

Ai ka vlerësuar se ndarja e nga 100 eurove për pensionistët, studentët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat nuk është kujdes për qytetarin.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se kjo është blerje e votës me paratë e qytetarit.

“Ju qe punoni. Ju qe paguani taksa. Ju qe ndertoni biznese, krijoni vende pune, mbani familje, prodhoni, rrezikoni, djersiteni. Sot, Kryeministri ne detyre i kesaj Republike, krejt mundin tuaj e hodhi ne toke. Sepse kur, 15 dite para zgjedhjeve, shperndan para publike me vendim qeverie, kjo nuk eshte kujdes per qytetarin. Kjo eshte blerje e votes me parate e qytetarit. Me parate e atyre qe punojne, po mundohet me e mbajte kolltukun ai qe nuk punoi sa duhet per pese vjet”, ka shkruar Sejidu.

E goditi babanë me shkop druri në kokë – arrestohet 29-vjeçari

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në Kllokot, ku një 29-vjeçar dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e tij pas një mosmarrëveshjeje familjare, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 21 majit në fshatin Gërçar.

Sipas kallëzimit të bërë nga D. S, djali i tij M.S, e kishte goditur me shkop druri në kokë, duke i shkaktuar lëndime në anën e majtë të kokës.

Viktimës fillimisht i është dhënë ndihma mjekësore në Qendrën Shëndetësore në Viti, ndërsa më pas është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjilanit për trajtim të mëtejshëm.

Pas tretmanit mjekësor, ai është liruar për në shtëpi.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të Prokurorit ndaj tij janë iniciuar veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Sinjali mëson se M. S është recidivist i rasteve të dhunës në familje.

Me vendim të Prokurorisë, ai është ndaluar për 48 orë në qendrën e ndalimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Qeveria mori edhe një vendim për familjet në nevojë

Përveç vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen prej 100 euro për fëmijët, pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, në mbledhjen e sotme po ashtu u aprovua ndarja e mjeteve buxhetore në vlerë prej një milion euro, për zbatimin e masës 3.4 kuponë ushqimi për familjet në nevoje.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë, tha se ky vendim është në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike.

”Ndarja e mjeteve buxhetore në vlerë prej një milion euro, synon mbështetjen e familjeve në nevojë, përmes masës 3.4 kupon ushqimi në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike. Mjetet transferohen nga programi i ringjalljes ekonomike në departamentin e skemave sociale dhe do të përdoren për mbulimin e kostove sipas thirrjes së shpallur për përfituesit”, tha Kurti.

Gjithashtu, në mbledhje u emërua edhe komiteti për partneritet publiko-privat i përbërë nga përfaqësues së institucioneve kryesore qeveritare.

Sipas Kurtit, komiteti do të ketë rol kyç në avancimin e projekteve në përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve publike dhe zhvillimit ekonomik përmes bashkëpunimit publiko-privat.

“Emërohet komiteti për partneritet publiko-privat i përbërë nga përfaqësues së institucioneve kryesore qeveritare, me qëllim forcimin e koordinimit dhe mbikëqyrjes së projekteve strategjike të partneritetit publiko-privat. Komiteti do të ketë rol kyç në shqyrtimin dhe avancimin e projekteve, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës, shërbime publike dhe zhvillimit ekonomik përmes bashkëpunimit mes sektorit publik dhe privat”, tha Kurti.

Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati përmendi përmbledhjen e këtij komiteti.

“Përbëhet prej anëtarëve të përhershëm, ministri i financave kryesues, ministrja e industrisë Mimoza Kusari Lila anëtare, ministri i infrastrukturës Dimal Basha anëtar, ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli dhe ministri i administrimit publik Elbert Krasniqi”, shtoi Murati.

Ndarja e 100 eurove nga Kurti, Behrami i PDK-së kërkon nga Prokuroria të marrë masa

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka kërkuar nga Prokuroria që të marrë masa pas ndarjes së pakos për përballjen me inflacionin nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Behramit, veprimi i fundit i Qeverisë me në krye Albin Kurtin është blerje klasike e votës.

Ai ka thënë se vendimi për këto pako është ndikim i drejtpërdrejt te votuesit.

“Prokuroria duhet tani të zbarkojë në Qeverinë e Kosovës. Kjo është blerje klasike e votës, është ndikim i drejtpërdrejtë te votuesit. Sipas Kodit Penal të Kosovës: “keqpërdorimi i varësisë ekonomike/profesionale ndikon te votuesi për të votuar në një mënyrë të caktuar ose të mos votojë, dënohet me 1 deri në 5 vjet burgim”, thuhet në reagimin e Behramit.

Përndryshe, Qeveria në mbledhjen e mbajtur të premten mori vendim që të ndajë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat, pensionistët, studentët dhe fëmijët.

Ndarja e 100 eurove nga Kurti, reagon ashpër Abdixhiku

Qeveria e Kosovës gjatë ditës së sotme njoftoi për pakon e re ‘’Inflacioni 2.0’’. Përmes kësaj pako u njoftua se do të shpërndahen nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, punëtorët e sektorit privat dhe studentët.

E lidhur me këtë ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas Abdixhikut kjo është blerje votasah, propagandë e fyrje e ofendim.

Më tutje ai thotë se kjo nuk është pako e inflacionit.

Postimi i plotë:

Blerje votash, propagandë. fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet.

Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë.

Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit!

Populli i Kosovës nuk blihet.

E ardhmja e tyre nuk është në shitje.

Kosovës i duhet një kapitull i ri. Një kapitull ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh. Ku mirëqenia nuk shpërndahet si favor elektoral, por ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore. Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranoj të jetë në fund të Evropës!

Blerta Deliu: Ndarja e 100 eurove, “lëmoshë elektorale”

Ish-deputetja Blerta Deliu, ka kritikuar vendimin për ndarjen e 100 eurove para zgjedhjeve, duke akuzuar qeverinë për “lëmoshë elektorale” dhe tentim për blerje të votës.

Deliu tha se qytetarët e Kosovës “nuk janë lypsarë” dhe se kanë nevojë për paga dinjitoze, ekonomi të fortë dhe perspektivë për të rinjtë, e jo ndihma të përkohshme pak ditë para zgjedhjeve.

Ajo shtoi se më 7 qershor qytetarët do t’i thonë “STOP krizës” dhe do të votojnë për ndryshim. /Zëri

Murati jep detaje për pakon e Qeverisë, jo të gjithë punëtorët e sektorit privat do të përfitojnë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë detaje për shpërndarjen e pakos për përballjen e inflacionit, e cila u miratua sot në mbledhjen e Qeverisë.

Murati bëri të ditur se mjetet financiare për pensionistët dhe fëmijët do të ndahen javën e ardhshme, kurse punonjësit e sektorit privat do të duhen të aplikojnë për të përfituar më pas.

Megjithatë, në fjalimin e tij Murati bëri të ditur se jo të gjithë punëtorët e sektorit privat do të përfitojnë nga ndihma e Qeverisë.

Ai tha se të drejtë aplikimi për të përfituar nga 100 euro do të kenë vetëm punëtorët e sektorit privat të regjistruar në muajin prill, me të ardhura mujore më pak se 1000 euro në muaj.

“Qeveria ka prezantuar pakon për përballjen me inflacionin 2.0, e cila përfshinë mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale, mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët, mbështetje të njëhershme për të gjithë të punësuarit të deklaruar në muajin prill, me të ardhura mujore prej më pak se 1 mijë euro, e që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit. Pra, sektori privat dhe sektori tjetër publik por jashtë organizatave buxhetore ku përfshihen shoqëria civile por edhe ndërmarrjet publike dhe ndërmarrjet tjera që nuk marrin paga nga buxheti”, ka thënë Murati.

Në mbledhjen e mbajtur të premten, Qeveria miraton pakon për përballjen e inflacionit e cila përfshin ndarjen e 100 eurove për pensionistët, studentët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat.

Kur do të ndahet pagesa prej 100 euro për pensionistët dhe studentët

Kryeministri në detyrë Albin Kurti pasi ka dhënë lajmin për ndarjen e nga 100 euro për pensionistet, studentët dhe punëtoret e sektorit privat, ai ka treguar se kur do të ndahen këto mjete.

Ai ka bërë me dije se pagesat për pensionistë dhe studentët do të bëhet para festes së Bajramit.

“Meqenëse për pensionistët dhe fëmijët nuk do të ketë nevojë për aplikim, sepse i kemi listat e përfituesve tashmë, do të synojmë që pagesat e njëhershme për familjet përfituese t`i bëjmë në fillim të javës që vjen, pra para ftesës se bajramit. Ashtu që secila familje të ndjehet e barabartë me atë ditë feste, duke e ditur se dora e mirë e shtetit kujdeset për ta” tha Kurti.

Kurse, për të punësuarit e sektorit jo publik dhe studentët, nga ministri i financave jam njoftuar që nevojitet procedurë aplikimi e cila do të hapet në javën e ardhshme, ka shtuar Kurti.