Lista e LDK-së po merr formë – këta janë disa nga kandidatë​t për deputet

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Istog ka zhvilluar sot mbledhjen e Kryesisë, të udhëhequr nga kryetari i degës dhe njëherit kryetar i komunës, Ilir Ferati.

Qëllimi kryesor i takimit ishte caktimi i kandidatëve për deputet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Me vendim unanim, Kryesia e degës ka zyrtarizuar tre kandidatët që do të përfaqësojnë Istogun në garën zgjedhore:Serbeze Kabashi-Muçaj, Shkëmb Manaj, Besim Mulaj.

Njoftimi i plotë:

 

 

Plagosen tre persona, dërgohen në QKUK

Tre persona po trajtohen në Qendren Emergjente të QKUK-së.

Burimet e gazetarës së Klan Kosovës, Arbreshë Uka, viktimat janë të plagosur me mjet të mprehtë.

Bëhet e ditur se aktualisht janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme.

Viktimat janë të lindur në vitin 1995, 2003 dhe 2005.

Nuk ka informacionet se ku ka ndodhur apo se si ka ndodhur ky rast.

Pushteti i VV’së në Fushë Kosovë e zgjedh kryesuesin e Kuvendit edhe me votën e Listës Serbe

Lëvizja Vetëvendosje në Fushë Kosovë arriti ta zgjedhë kryesuesin e Kuvendit Komunal në Fushë Kosovë.

Vlonjat Hasani i LVV’së kaloi me tri vota të PDK’së. Rrahim Terrnava, Ermal Dumani dhe Aida Alimi kanë votuar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit Komunal nga radhët e LVV-së, bashkë me anëtarët e kryesisë.

Pro ka votuar edhe një asamblist i LDK’së.

Për hir të kuorumit ka votuar edhe Radoman Dodoreviq, asamblist nga radhët e Listës Serbe, ku ka futur votën e tij në kuti. Megjithatë, për shkak se vota ka shkuar me procedurë të fshehtë, nuk dihet nëse asamblisti nga Lista Serbe ka votuar pro apo kundër.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë kishte koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si dhe në koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Ashkalinjëve të Kosovës (PDAK).

Skandal: Serbia bën ndryshim në hartë, përvetëson tokë të Kosovës në Leposaviq

Në procesin e demarkimit të kufirit me Serbinë, pritet që të ketë telashe në të ardhmen, kurdo që ky proces të ndodhë.

Emisioni MAT ka hapur gjeoportalin e Serbisë dhe aty vërehet një ndryshim i bërë muajve të fundit, konkretisht në pjesën më veriore të Kosovës në Leposaviq.

Në këtë gjeoportal vërehet se Serbia ka hyrë dukshëm në një pjesë në territorin e Kosovës, të cilin e ka paraqitur edhe nëpër faqe të hartave online.

“Kufiri me Serbinë meqenëse shumica e materialeve në gjeodezike, bazat hartografike janë krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, respektivisht në ish-Jugosllavi janë mirë të saktësuara, mirëpo gjthsesi që do të ketë vështirësi”, shprehet gjeodeti Hamit Basholli.

Sipas tij ndryshimet që ka nisur të bëjë Serbia në vijën kufitare, duhet të merren seriozisht.

“Kosova nuk ka qasje te këto platforma por do të ishte mirë që edhe Kosova të reagojë në këto ndryshime që po ndodhin në platforma ‘online’ por edhe gjeoportalet e shteteve të ndryshme që të mos kalojë kohë e gjatë pa reagim në këtë. Pastaj bëhet njëfarë fakti që është vështirë i diskutueshëm”, shton ai.

Serbia në prag të humnerës, ja çka paralajmëroi Vuçiq

Pasojat e mbylljes së rafinerisë së vetme të naftës në Serbi mund të ndihen për vite me radhë, sepse do të rrezikojnë mijëra vende pune dhe buxhetin shtetëror, dhe do ta ekspozonin vendin ndaj sanksioneve të mëtejshme, thanë ekspertët për AFP, shkruan gazeta kroate “Jutarnji List”.

Rafineria e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) nuk mund të marrë naftë të papërpunuar nga 9 tetori, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione kundër pronarëve kryesorë të kompanisë nga Rusia, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Uashingtoni kërkon largimin e plotë të aksionarëve rusë nga kompania, por negociatat për një shitje të mundshme janë zvarritur, për shkak të të cilave kompania u detyrua të mbyllë rafinerinë të martën, transmeton Paparaci.

“Çdo reduktim i aktivitetit të saj do të ketë një efekt të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik të përgjithshëm”, ka thënë profesori i ekonomisë dhe ish-guvernatori i bankës qendrore serbe, Dejan Shoshkiq, për AFP.”

“Mbyllja e rafinerisë mund të ulë zhvillimin ekonomik për vitet e ardhshme”, ka paralajmëruar ai.

Humbja e rafinerisë, e cila siguron 80 për qind të nevojave për karburant të Serbisë, do të nënkuptonte gjithashtu një rritje të madhe të importit për të kompensuar mungesën.

Kompania energjetike hungareze MOL ka pranuar muajin e kaluar të rrisin sasinë e furnizimit të naftës në Serbi, por ekspertët paralajmëruan se mbështetja në importin e karburantit është një zgjidhje e shtrenjtë dhe zgjidhje jo praktike.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se kompania do të ketë qasje në sistemet e pagesave në vend të paktën deri në fundjavë, për të paguar pagat dhe për t’u rregulluar me furnitorët.

Çfarë do të ndodhë pas kësaj periudhe, Vuçiq nuk e sqaroi, përcjell Paparaci.

Megjithatë, ai ka thënë se biznesi me një kompani ndaj së cilës janë vendosur sanksione mund të çojë në shkatërrimin e plotë të sistemit financiar të Serbisë nëse Uashingtoni gjithashtu vendos sanksione ndaj bankës qendrore.

Shoshkiqi ka thënë se kjo do ta vendoste bankën në ”listën e zezë” dhe se kjo do të shënonte fundin e kushteve normale të biznesit në vend.

Gjithashtu, kjo do të çonte në ngrirjen e fondeve shtetërore jashtë vendit dhe përjashtimin nga tregjet globale, gjë që do të kufizonte ndjeshëm funksionimin e bankës.

NIS dhe degët e saj kanë sjell mbi dy miliardë euro në arkën shtetërore vitin e kaluar, sipas raportit vjetor të kompanisë, që është pothuajse 12 për qind e buxhetit shtetëror.

Përveç rafinerisë së naftës, kompania zotëron rreth një të pestën e pikave të karburantit dhe përshkruhet si një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Serbi me mbi 13.500 punonjës.

“Mbyllja e rafinerisë me gjasë do të çojë në humbje të vendeve të punës, ndërsa humbja e qasjes në sistemin serb të pagesave do të thotë se kompania nuk do të mund të marrë ose të dërgojë para lirisht”, ka thënë Shoshkiqi.

“Kjo do të nënkuptonte gjithashtu se pikat e tyre të karburantit do të duhet të mbyllen”, ka paralajmëruar eksperti i energjisë, Zhelko Markoviq.

Përveç NIS-it, kompania ruse Lukoil, e cila gjithashtu është nën sanksione amerikane, ka pak më shumë se 100 pika karburanti në Serbi.

Licenca e saj për veprimtari skadon më 13 dhjetor dhe nuk ka shenja se do të rinovohet.

Markoviqi tha se këto dy situata mund të çojnë në mbylljen e pothuajse një të tretës së të gjitha pikave të karburantit në vend./Paparaci.com

Ish-anëtari i LVV-së: Gabimi më i madh në jetë që isha pjesë e asaj partie

Selatin Retkoceri ka thënë se është pishman që ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje për më shumë se një vit.

 

Në Klan Kosova, ai ka deklaruar se LVV-ja është një parti e cila është shkatërruesve.

“Për një vit e gjysmë kam qenë në të gjitha instancat e larta të Lëvizjes Vetëvendosje në Këshill të Përgjithshëm, kryetar i Qendrës, kandidat për kryetar, do të thotë i kam pasë të gjitha funksione te mundshme në LVV. E di që asgjë nuk kemi mundur të veprojmë dhe as të punojmë, as të shkruajmë dhe as të lexojmë, as të dalim pa e marrë vizën, unë asnjëherë nuk e kam përfillur, kam pësuar dhe kam pas pësoja”.

“Është fat i mirë që më nuk jam, sepse për një vit e gjysmë, karriera ime politike është përlloçur është shkatërruar, nëse diçka që kam bërë në jetë gabim, është gabimi më i madh është që iu jam bashkuar një partie shkatërruese”, ka thënë Retkoceri.

Beogradi merr vendim për ish-ushtarin e UÇK-së

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar autoritetet e Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, Avni Qenaj, dhe i kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me pretendime për krime lufte të vitit 1999, shkruan Reporteri.net.

MPJD ka thënë se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e z. Qenaj dhe për të kundërshtuar këto akuza të pambështetura dhe me motiv politik. Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar z. Qenaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë, Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit.

“Ai ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim. Familjarët e tij kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor”, thuhet në njoftim.

Qenaj është arrestuar më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin kufitar Merdarë, gjatë transitit drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, ku familja e tij ka një biznes familjar. Pas arrestimit, ai është mbajtur për 48 orë në Prokuplje dhe më pas është transferuar në Beograd.

Më 28 nëntor, ai ka dalë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës të Beogradit, ku është njoftuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit ka iniciuar procedurë penale kundër tij dhe i është shqiptuar masa e paraburgimit./Reporteri.net

Adriana Matoshi i kthehet Lushtakut pasi e ofendoi rëndë, duke quajtur “shtëpi publike”

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana MatoshI nuk ka dashtë ta komentojë deklaratën të cilën e bëri Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku kundrejt saj që sipas tij “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike”, raporton Ekonomia Online.

Matoshi për Ekonomia Online tha se nuk ka interesim për ta komentuar.

“As që jam e interesuar të jap ndonjë koment”, tha shkurt Matoshi.

Ndërsa Lushtaku pas betimit të tij si Kryetar për demos tha se “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë”.

Kusari: Sami Lushtaku e quajti prostitutë Adriana Matoshin që ia përmendi tokat publike, turp

Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku kundrejt Adriana Matoshit të VV-së, për të cilën tha se “është si me dalë prej një shtëpie publike, e jo që është deputete”, raporton GazetaDemos.

“Në një deklaratë të vetme, kryetari i sapobetuar i Skenderajt, Sami Lushtaku, e quan me fjalë tjetër prostitutë Adriana Matoshin, e pastaj kërkon “kujdes” në atë që flasim, sepse sipas tij faktet që ajo ka përmendur (e që vetë Samiu i ka konfirmuar më herët) për shitblerjen e tokës publike, me fitime marramendëse për Lushtakun, paskëshin qenë “jo mjaftueshëm të mbështetura në fakte”.

Pra, kjo është mënyra e komunikimit të Samisë dhe kategorisë së tij: gratë qenka prostituta nëse flasin me fakte, ndërsa burrave u tregon grushtin. Nganjëherë edhe grave u tregohet grushti — vetëm se duhet të jenë “kategori tjetër”.

Eh pra, urime Kryetar, sapo ia konfirmove edhe një mandat Adrianës.Nëse nuk të ka pëlqyer deri tash çka të ka thënë, prit çka do të thotë në katër vitet e ardhshme. TURP për ty!”, ka shkruar ajo.

Specialja merr një vendim për Thaçin

Gjykata Speciale njofton se rastin “Thaçi dhe të tjerët” të administrimit të drejtësisë, Hashim Thaçit dhe të tjerëve u është vazhduar paraburgimi.

“Në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit më 3 dhjetor 2025, Gjykatësi i Vetëm urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut. Gjykatësi Gosnell konstatoi se ekziston rreziku real që të akuzuarit, nëse do të liroheshin, mund të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë vepra penale të tjera”, njofton Specialja.

Ky është vendimi i gjashtë i tillë në këtë çështje; të gjitha vendimet mbi rishikimin e paraburgimit mund t’i gjeni këtu.

Aktakuza kundër të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor dhe u bë publike më 6 dhjetor 2024. Më 3 prill 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht apelin e ZPS-së kundër vendimit të Gjykatëses së Procedurës Paraprake të datës 29 nëntor 2024 për konfirmimin e aktakuzës.

ZPS-ja kundërshtoi interpretimin e Gjykatëses të nenit 32(3) të Kodit Penal të Kosovës (KPK), me argumentin se ajo gaboi që përjashtoi përgjegjësinë penale të Hashim Thaçit për nxitje bazuar në një keqinterpretim të kritereve të dënimit. Me vendim të shumicës – gjykatësja Jorgensen ishte në mospajtim – Paneli u pajtua se neni 32(3) zbatohet për vepra penale për të cilat shkallëzimi i dënimeve përfshin pesë vjet ose më shumë se pesë vjet, edhe nëse jo dënim minimal. Paneli ia ktheu çështjen Gjykatëses së Procedurës Paraprake për shqyrtim të mëtejshëm.

Më 14 prill 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ndryshoi vendimin e saj duke konfirmuar një formë përgjegjësie penale shtesë për Thaçin në bazë të nenit 32(3) të KPK në akuzat e paraqitura në Pikat 1, 2, dhe 3 të aktakuzës. Ajo urdhëroi ZPS-në të dorëzojë aktakuzën e re të konfirmuar, e cila u dorëzua më 16 prill 2025.

Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, me Fazliun dhe me Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

Isni Kilaj u arrestua më 2 nëntor 2023 në Kosovë dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të DHSK-së më 3 nëntor 2023. Seanca e paraqitjes së parë të Kilajt, si i dyshuar, para Gjykatësit të Vetëm, u mbajt më 4 nëntor 2023, në bazë të nenit 41 të Ligjit dhe rregullës 55 të Rregullores. Në maj 2024, për shkak të vonesave të konsiderueshme të afatit të procedurave, Gjykatësi i Vetëm përcaktoi se zgjatja e paraburgimit të tij do të ishte e paarsyeshme dhe urdhëroi lirimin e Kilajt në Kosovë me kushte të rrepta. Vendimi i Gjykatësit të Vetëm u konfirmua në vijim nga Gjykata e Apelit e DHSK-së. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai u konsiderua vetëm si i dyshuar.

Pas konfirmimit të Aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë më 6 dhjetor 2024. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi  në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë.

Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen në formë të shkruar deri më 7 janar 2025. Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar ndërsa u bë publike më 14 janar 2025.

Më 19 shtator 2025, ZPS-ja dorëzoi, si konfidenciale, dosjen e vet paraprake. Më 7 tetor 2025, ZPS-ja e dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake të korrigjuar. Më 20 dhe 23 tetor 2025, Fadil Fazliu dhe Hashim Thaçi dorëzuan versionet e redaktuara publike të dosjeve të tyre paraprake.

Më 11 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, Kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm në gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm.

Konferencat për përgatitjen e gjykimit u mbajtën më 28 nëntor 2025.