Pas dorëheqjes si kryetar, ja çfarë roli do të ketë Memli Krasniqi brenda PDK-së
Pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e tij brenda partisë dhe se nuk do të largohet nga politika aktive.

Në një deklaratë për media, Krasniqi tha se dëshiron të shmangë çdo keqkuptim apo spekulim, duke theksuar se zyrat dhe puna e tij mbeten brenda PDK-së.

“Por, një gjë që me pasë të qartë, që mos me pasë ndonjë spekulim – unë këtu vazhdoj me qenë, edhe zyrat këtu i kam, edhe punën këtu e bëj, edhe angazhimin e kam me i fitu zgjedhjet e me hjek Albin Kurtin prej qeverisë,” deklaroi ai.

Krasniqi shtoi se do të qëndrojë në detyrë deri të hënën si kujdestar i partisë, për të siguruar që procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të zhvillohet pa probleme.

“Normal që do të jem, se më takon me qenë kujdestar dhe me u siguru që procesi të hënën të shkojë si duhet. Besoj që është gjithçka në rregull. I ftoj kolegët dhe anëtarët që i përmbushin kushtet të shprehin vullnetin e tyre, dhe nëse jo, të gjejmë një rrugë të përbashkët me udhëheqësin tonë të ardhshëm,” shtoi ai.

Krasniqi dha dorëheqjen të mërkurën pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, duke e cilësuar vendimin si “hap reflektimi dhe përgjegjësie” për t’i hapur rrugë një fryme të re brenda partisë.

Ja kur do të zgjidhet kryetari i ri i PDK-së

Kryetari i sapo-dorëhequr i PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar se ka thirrur Konventën e PDK-së për të hënën, më 17 nëntor, ku do të zgjidhet Kryetari i ri i partisë.

“E di se ajo ditë do të jetë dëshmi e pjekurisë sonë politike, e demokracisë sonë të brendshme dhe e forcës sonë për të ecur përpara,” – deklaroi ai.

Kryetari Krasniqi përmbylli fjalimin e tij me mirënjohje për qytetarët, aktivistët, bashkëpunëtorët dhe familjen e tij: “Unë largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së me paqe, me mirënjohje dhe me krenari. Kam bindjen e thellë se PDK do të mbetet në duar të sigurta – në duar të njerëzve që besojnë, që punojnë dhe që bashkojnë. Kjo nuk është lamtumirë – por vetëm mirupafshim. Sepse kjo është shtëpia ime e dytë, shtëpia ime politike, shtëpia e krenarisë sime jetësore.”

Ai ka bërë të ditur se vendimi nuk lidhet me zhvillimet e fundit politike, por është rezultat i reflektimit për të ardhmen e partisë.

“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën”, tha Krasniqi, përcjell Insajderi.

FSK merr vendim ndaj ushtarit që po gjykohet për sulm seksual në Britani

Ushtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bali Hoxha është suspenduar nga detyra e tij pasi po ndaj tij është duke u zhvilluar një proces gjyqësor në Britani me akuzat për sulm seksual.

Lajmin për suspendimin e tij e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Vëllazërim Qerimi.

“Pasi që jeni njoftuar nga pala britanike për rastin në fjalë, FSK ka marr masat bazuar në aktet ligjore në fuqi, është suspenduar dhe jemi duke pritur procesin në lidhje me rastin” ka thënë Qerimi për Insajderin.

BBC ka raportuar të mërkurën se Bali Hoxha, 28 vjeç, që ishte pjesë e kampit West Tofts në Thetford, Norfolk, akuzohet për përdhunim dhe dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje.

Lidhur me këto akuza, ushtari i ka mohuar para trupit gjykues në Britani.

Sulmi i pretenduar ndodhi përgjatë një shtegu këmbësorësh midis rrugës Prince of Wales dhe qendrës tregtare Riverside Retail Park, rreth orës 23:30 më 17 shtator, në Norwich.

Hoxha është dërguar në paraburgim nga Gjykata e Kurorës në këtë qytet deri në fillimin e gjyqit më 7 prill, i cili pritet të zgjasë pesë ditë.

Hoxha është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por është kontraktuar për të trajnuar ushtarë ukrainas në terrenin stërvitor të Ushtrisë Britanike pranë Thetfordit, në bazë të një kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes.

Ai konfirmoi vetëm emrin gjatë paraqitjes në gjykatë, por avokati mbrojtës Jonathan Goodman ka thënë se, ndonëse anglishtja e tij ishte e mjaftueshme për seancën e pranimit të fajësisë, do të kërkohej një përkthyes në gjuhën shqipe për gjyqin dhe për çdo seancë ndërmjetëse.

Gjithashtu, tre dëshmitarë, që janë po ashtu pjesëtarë të FSK-së, do të kenë nevojë për përkthyes kur do të mbahen seancat.

Gjykatës iu tha se ka gjasa që ata dëshmitarë të jenë të angazhuar në Kosovë në kohën e gjyqit, por FSK-ja do t’i lirojë për të marrë pjesë në seancë.

Rritet numri i votave të Arian Tahirit pas verifikimit të procesit të numërimit
Një maratonë e numërimit dhe verifikimit të votave u bë në komunën e Mitrovicës pas dyshimeve që u ngritën për ndërhyrje në proces zgjedhor.

KQZ tashmë ka publikuar edhe rezultatin e Qendrës së Numërimit pas verifikimit të votave ku kandidati i LVV-së, Faton Peci ka marrë 53,44% apo 17,834 vota, 3 më pak se në rezultatin preliminar ku doli me 17 mijë e 837 Vota.

Ndërsa kandidati i PDK-së, Arian Tahiri pas verifikimit del se mori 46,56% ose 15 mijë e 541 Vota apo 19 më shumë se në rezultatin preliminar të KQZ-së, ku kishte 15 mijë 522 Vota.
REZULTATI PRELIMINAR
REZULTATI NGA QKN
Dorëheqja e Krasniqit, kush po e paralajmëron rikthimin e Limajt si kryetar të PDK-së?
Sot, Memli Krasniqi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të PDK-së, i cili ka bërë të ditur se të hënën (17 nëntor) do të mbahet konventa e partisë për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Pas këtij zhvillimi ka reaguar gazetari i Veriu.info, Gazmend Morina, duke thënë se vetëm rikthimi i Fatmir Limajt në PDK si kryetar partie i jep mundësi rritjes së kësaj parti

Postimi i Gazmend Morina:

Vetem rikthimi i Fatmir Limajt si kryetar i PDK-se mundet me i jep fryme rritjes se kesaj partie.

Ne krejt tjerat versione, PDK-ja vetem ka me u administru deri ne kthimin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

A ishte Ramiz Lladrovci shkaku i dorëheqjes? – ja si përgjigjet Memli Krasniqi
Memli Krasniqi ka dhënë arsyet e dorëheqjes së tij nga lidershipi i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një konferencë për media, Krasniqi kumtoi të mërkurën dorëheqje e tij nga udhëheqja e PDK-së.

Ai bëri të ditur edhe arsyet e këtij vendimi, teksa u përgjigj edhe në pyetjet nëse ky vendim është marrë pas presioneve nga Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit.

“Ma merr mendja se gjatë dy dekadave në politikë kam qenë i sinqertë me mediat. Unë tregova arsyet e mija më parë. Ajo që e thash është e gjitha. Ka qenë një reflektim më i gjatë. Këtë vendim do ta merrja nëse do të kishte një stabilitet institucional më parë. Nëse do të kishte një Qeveri, do të shpallja zgjedhjet e partisë dhe nuk do të garoja. Çështjen e Drenasit e kam adresuar, në këtë rast ajo është thjeshtë një fusnotë në të gjithë këtë që e fola”, deklaroi Krasniqi.

Ai u deklarua edhe për preferencat e tij se kush do ta marrë detyrën e tij, duke theksuar pëlqimin e tij për Bedri Hamzën.

“Jam i bindur se kandidat për kryetar duhet të jetë Bedri Hamza, ose jam i bindur se do të jetë kryeministri më i mirë që do ta ketë Kosova. Besoj në lidershipin e tij dhe besoj që është figura që mund t’i prijë PDK-së. Megjithatë, gara është e hapur, ashtu siç ka qenë gjithmonë dhe kushdo që i plotëson kriteret mund të kandidojë”, përfundoi Krasniqi.

Dha dorëheqje nga posti i kryetarit – reagon babai i Memli Krasniqit

Milazim Krasniqi, profesori dhe babai i ish-kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi ky i fundit dha sot dorëheqje nga drejtimi i partisë.

Krasniqi ka publikuar dy fotografi të djalit të tij, dikur kur ishte i vogël dhe një të tashmes.

Ai ka shkruar se janë krenar me djalin e tyre.

“Jemi prindër krenar me djalin tonë të dashur, Memlin. Është shembull shembullor, që nga fëmijëria e deri sot”, ka shkruar ai.

U përmend si emër për kryetar të PDK’së, reagon Bedri Hamza

Bedri Hamza, emri i cili po përmendet për kryetar, ka reaguar pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga funksioni i të parit të PDK’së.

Hamza me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka vlerësuar udhëheqjen e Krasniqit. Ndër të tjera, ai ka thënë se PDK ka nevojë të qëndrojnë të bashkuar, por pa dhënë detaje nëse do të kandidojë për të parin e partisë, shkruan Insajderi.

Postimi i plotë:

Nuk gjej fjalë për ta falënderuar mikun tim, Memli Krasniqin, për kontributin e madh që ka dhënë në udhëheqjen e PDK-së. Me integritet, vendosmëri dhe përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta, ai e drejtoi partinë në periudhat më të vështira.

Respekt dhe mirënjohje për bashkëpunimin korrekt dhe për gjithçka që ke bërë për PDK-në, miku im!

Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar, të përkushtuar dhe të vendosur përballë sfidave që na presin. Bashkimi, besimi dhe përkushtimi ynë i përbashkët janë forca më e madhe e PDK-së dhe garancia e suksesit tonë

Krasniqi tregon arsyet e dorëheqjes nga posti i Kryetarit të PDK-së

Memli Krasniqi ka folur pas dorëheqjes nga posti i Kryetarit të PDK-së. Ai tha se kjo dorëheqje e tij nuk lidhet me zhvillimet e fundit, por që ka qenë reflektim i gjatë mbi atë se çka i duhet partisë.

“Jam krenar me atë që kemi arritur, por s’është përmbushje e ambicieve tona. Megjithatë secili kryetar e mendon njëjtë, ditën kur e merr detyrën e mendon se si do të largohet dhe sot pas shumë kohësh ka ardhur momenti i duhur, sepse një parti që beson në zhvillim duhet të besoj në ripërtëritje. Prandaj sot kam vendosur që të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së”.

“Nuk është vendim i momentit dhe nuk lidhet me zhvillimet e fundit. Është reflektim më i gjatë mbi atë çka i duhet PDK-së. Është nevoja për të krijuar një mundësi të re. Dhe si dikush që nuk ka pasur ambicie për të qenë Kryeministër i vendit, e mendoj se kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetari i partisë. PDK është më shumë se një parti, amanet nga ata që luftuan për liri”, tha Krasniqi në konferencë.

Tutje ai shtoi se si “PDK kemi kaluar shumë sfida dhe shumë momente krenarie, në tri palë zgjedhje PDK është rritur dhe forcuar”.

Ish-kreu Krasniqi theksoi se PDK-ja është parti që ka shkruar faqet më të ndritura të Kosovës.

“Partinë që ka shkruar faqet më të ndritura të kosovës, partinë që e kanë udhëhequr dy burra para meje, Thaçi dhe Veseli. Prej tyre kam mësuar se lidershipi është përulësi”, shtoi ai.

“Mbi 20 vjet angazhim me PDK-në kam pasur nderin të punojë për shtetin dhe qytetarët, të rrugëtojë nga kryetari i rinisë deri te Kryetari i PDK-së. Dhe mbi të gjitha kam pas krenarinë jetësore që ta nënshkruar edhe deklaratën pavarësinë e Kosovës. Një familje politike që më mësoi se dashuria për Kosovën është më e madhe se çdo dallim”.

Dorëheqja e Memli Krasniqit, ky është reagimi i Lladrovcit
Memli Krasniqi gjatë ditës së sotme pritet të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së.

Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai përmes një postimi në rrjetin social ka bërë të ditur se Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës.

Ai madje ka propozuar që kryetar i PDK-së të jetë Bedri Hamza.

Postimi i plotë:

 

 

Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës!

Përgëzoj strukturat e PDK-së për mbështetjen që ma kanë dhënë në çdo situatë, me besimin e plotë se do të bëhet mirë. Falënderim i veçantë shkon për qytetarët e komunës së Drenasit, të cilët besuan në zotimin tim se s’ka bir nane që më largon nga PDK-ja.

Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi do përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza.

Të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe, përgjegjësi për ta dërguar shtetin në nivel më të lartë, sinqerisht, me tërë forcat përparimtare të vendit. Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës!

Të jesh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, do të thotë të jesh shtetformues e shtetndërtues, gjithëpërfshirës e përbashkues, trim dhe i drejtë, largpamës e vizionar, burrështetas dhe lider në fjalë e vepra. Suksese të mëtejme parti e liderëve tanë të luftës dhe paqes, suksese PDK!.