LDK-ja thërret konferencë për media, zbulohet arsyeja

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë konferencë për media sot në ora 15:00.

Arsyeja e mbajtjes së kësaj konference në selinë e partisë është ngritja e aktakuzës ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve lidhur me keqpërdorimin me rezervat shtetërore.

“Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medis sot, në orën 15:00, në selinë qendrore. Tema e konferencës do të jetë ngritja e aktakuzës lidhur me keqpërdorimin me rezervat shtetërore”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të martën e 11 nëntorit ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës. “Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.