Lëvizja Vetëvendosje, ka thirrur për të mërkurën dy seanca të jashtëzakonshme.
Seanca e parë, me fillim nga ora 11:00 është thirrur për Buxhetin e vitit 2026 dhe tetë pika të tjera të rendit të ditës.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar mbështetjen e partive politike për të miratuar buxhetin.
Megjithatë, partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës refuzojnë të marrin pjesë në këtë seancë.
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk bëhet pjesë e “imponimit teatral”.
Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e NISMA, vetëm kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë.
Për të nisur punimet e kësaj seance, duhet të ketë kuorum që garantohet me pjesëmarrjen e 61 deputetëve.
“Kuvendi ka kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit”, thuhet në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.
Me mospjesëmarrjen e katër partive shqiptare, Vetëvendosjes, kuorumin mund të ia bëjë vetëm Lista Serbe e cila nuk është deklaruar ende nëse do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00.
Nëse as Lista Serbe nuk merr pjesë të mërkurën paradite në seancë, atëherë, nuk do të ketë kuorum për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, pasi në sallë do të jenë vetëm deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të pakicave joserbe, që janë të pamjaftueshëm për të vazhduar me punimet e seancës.
Seanca tjetër është thirrur për orën 14:00 e në rend dite ka vetëm një pikë, atë të votimit të qeverisë me mandatarin e dytë, Glauk Konjufcën.




