Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është përfshirë në një përleshje me një qytetar, derisa ishte duke dhënë një intervistë në qendër të Prishtinës. Zemaj thuhet se e ka sulmuar qytetarin pasi që ai dyshohet se e ka provokuar me fjalë.
I përfshirë në incident me deputetin Zemaj është Nuha Osmani, mërgimtar nga Gjermania.
Ai ka folur pas incidentit duke kërkuar që deputetët që sillen dhunshëm të japin dorëheqje.
“Ai më ka fyer me grua dhe me nënë, ai u sjell dhunshëm, kisha kërku që ai të më kërkojë falje. Të tjerat le ti kryn drejtësia”, tha ai për RTK.
Avokati Liridon Kutllovci ka bërë të ditur se deputeti ka ushtruar dhunë fizike ndaj qytetarit që ai përfaqëson.
Sipas versionit të avokatit, ngjarja ka ndodhur gjatë një interviste publike të deputetit Zemaj. Klienti i tij, i cili po kalonte pranë bashkë me bashkëshorten, i është drejtuar deputetit me fjalët: “Të gjithë jeni njësoj, vetëm gënjeni”, duke shprehur, siç thuhet në deklaratë, frustrimin qytetar ndaj gjendjes politike e ekonomike në vend.
Në vend që të ruante qetësinë, deputeti Zemaj, sipas Kutllovcit, është kthyer me fjalë fyese, duke i thënë qytetarit: “Gënjen nëna dhe gruaja juaj”, fjalë që, sipas avokatit, janë shqiptuar në prani të bashkëshortes së qytetarit.
Pas pak sekondash, deputeti Zemaj e ka goditur me grusht klientin e tij, “pa asnjë provokim tjetër nga ana e tij”, thuhet në deklaratë. Klienti i Kutllovcit, sipas avokatit, nuk është kundërpërgjigjur me dhunë, por ka reaguar duke njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës.
“Ky akt përbën sjellje të papranueshme dhe të dënueshme ligjërisht, veçanërisht kur vjen nga një deputet që ka për detyrë të japë shembull qytetarie dhe respekti ndaj ligjit,” thuhet ndër të tjera në reagimin e avokatit.
Kutllovci ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore që, sipas tij, rasti të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që “dinjiteti i qytetarit të mbrohet plotësisht”.
