Ministri i propozuar nga Kurti mbron gazetarin Kërquki pas sulmeve të Gërvallës

I propozuari i Albin Kurtit për ministër të Kulturës në qeverinë e re, aktori Fatmir Spahiu e ka mbrojtur gazetarin Leonard Kërquki nga sulmet e Donika Gërvallës, zëvendëskryeministres në detyrë të Qeverisë së Kosovës.

Spahiu e ka vlerësuar Kërqukin si “personin, gazetarin dhe moderatorin më ballansues në Kosovë”.

Reagimi i tij ndërlidhet me sulmin e rëndë të Donika Gërvallës ndaj gazetarit.

Zëvendëskryeministrja në detyrë e quajti ‘rrugaç’ Kërqukin të martën në mbrëmje, pas një debati televiziv që përshkallëzoi gati në përplasje fizike mes dy të ftuarve në studion e emisionit Pressing. Dy protagonistët ishin gazetari Parim Olluri dhe deputeti Nezir Kraki.

“Leonard Kerquki është personi, gazetari dhe moderatori më ballansues në Kosovë”, tha Spahiu. “Autor i kronikave dhe dokumentarve që kanë zgju interesim të madh tek publiku! Person që meriton respekt, nëse ka mbet diku naj atom prej tij në Kosovën momentale”.

Spahiu, i cili rreth tri javë më parë u propozua si anëtar i kabinetit qeveritar të Qeverisë Kurti III – e cila nuk mori mbështetjen e deputetëve në Kuvend, tha se në emisionin Pressing të Kërqukit ka hapësirë për gjithëkënd.

“Ne Pressingun e tij, për aq sa e kam përcjell unë, kanë gjetë hapësirë prej Noel Malcolmit e deri tek zavendësdrejtorët e ujësjellseve rajonale”, vazhdoi Spahiu në një shkrim të postuar në Facebook të mërkurën.

Ai, vuri në dukje edhe prezencën e tepërt të politikës në media.

“Nëse publiku shqiptar i Kosovës dikur zbavitej me premierligë e kafene, etj, sot zbavitet me fatin e vet në debate të shumta”, tha ai.

Spahiu rekomandoi që protagonistët e politikës e medias të përpiqen të imitojnë mënyrën e komunikimit të Ibrahim Rugovës e Fehmi Aganit, dy personaliteteve të ndjera të njohur për gjuhën e butë të komunikimit.