Ministri në detyrë, Hekuran Murati, u deklarua pas takimit që pati me përfaqësues të sindikatave të punonjësve nga sektori privat si dhe me përfaqësues të odave ekonomike.

Murati tha se ky takim bie në kuadër të dialogut social për rritjen e pagës minimale dhe tha se aty dëgjoi propozimet e sugjerimet e tyre.

“Nga ky takim, dëgjova propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e po ashtu dëgjova edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bëjnë me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar”.

Por, pak më herët Oda Ekonomike e Kosovës njoftoi se nuk ka qenë pjesë e takimit të thirrur nga Ministria e Financave për çështjen e rritjes së pagës minimale dhe tha se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit

Ndërkaq, Murati tha se paga minimale është “instrument tejet i rëndësishëm që përcakton minimumin e pagesës së një ore pune, dhe ka për synim mbrojtjen e punëtorëve nga praktikat jo të mira”.

Megjithatë, ai s’përmendi se paga minimale do të jetë 500 euro siç deklaroi Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit privat pas takimit me Muraitn.

“Njëkohësisht, rritja e pagës minimale duhet të marrë parasysh edhe kushtet e tregut, dhe kapacitetin absorbues nga ana e ndërmarrjeve. Si qeveri, pagën minimale e rritëm për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi, dhe premtuam që paga minimale do të rishikohej çdo vit. Nga takimi dola më i informuar, dhe patjetër që do ti kem parasysh të gjitha sugjerimet e rekomandimet kur të bëj propozimin e pagës minimale të re për miratim në Qeveri. I falënderoj të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmueshëm në këtë bashkëbisedim”, tha ai.