Mustafa: Ramush Haradinajt duhet t’ia dijë për nder krejt Kosova, e bindi SHBA-në për krijimin e ushtrisë- mua e Thaçin s’na lanë

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj për rolin e tij në krijimin e Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se Haradinaj arriti të bindte SHBA-në për një proces që, sipas tij, ishte i parealizueshëm gjatë qeverisjes së tij dhe të Hashim Thaçit.

Në një intervistë për ATV, Mustafa deklaroi se “Ramush Haradinajt duhet t’ia di për nder krejt Kosova, as vetë se di si ka arritë t’i bind SHBA-të që të bëhet transformimi në ushtri…. S’kanë dashtë të dëgjojnë SHBA e as NATO që ne ta bëjmë ushtrinë pa ndryshim të Kushtetuës… etj.”

Ai kujtoi se gjatë kohës kur ai dhe Thaçi ishin në pushtet, krijimi i ushtrisë pa ndryshime kushtetuese hasi në kundërshtim të qartë nga aleatët ndërkombëtarë. Mustafa theksoi se pikërisht Haradinaj arriti ta çonte përpara procesin.

“Këtë punë e kreu Ramushi dhe ka merita të veçanta për këtë”, u shpreh ai.