Ndeshja e ditës- Ky është formacioni i mundshëm i Kosovës
Përballë Kombëtares së Sllovakisë, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda pritet të hedhë në fushë një formacion të balancuar 3-5-2, që në fazën mbrojtëse shndërrohet në 5-3-2, duke synuar siguri prapa dhe rrezik konstant përpara.
Trajneri gjerman nuk do të bëjë ndryshime të mëdha për ndeshjen e sotme (e enjte) që Kosova do ta luajë në stadiumin “Tehelne pole”, me fillim nga ora 20:45.
Foda do të vazhdojë edhe në këtë ndeshje t’i besojë rreshtimit që e solli deri në play-off, po ashtu edhe lojtarëve që mbajtën barrën kryesore të ekipit kombëtar në kualifikuese
Në portë, besimi i Fodas mbetet te portieri i Sassuolos, Arijanet Muric, i cili pritet të jetë pika kyçe me ndërhyrjet e tij në një ndeshje ku presioni do të jetë i madh.

Reparti mbrojtës përbëhet nga treshja Lumbardh Dellova si gjysmë i djathtë, Kreshnik Hajrizi në qendër dhe Albian Hajdari gjysmë i majhtë, që do të kenë detyrën të mbajnë kompaktë vijën e fundit dhe të ndalin sulmet e vendasve.
Në fazën mbrojtëse, ata do të ndihmohen nga krahët që zbresin prapa, duke krijuar një vijë me pesë lojtarë.

Hajrizi në duel me Muriqin
Në mesfushë, dinamika dhe balanca janë thelbësore. Në krahë pritet të aktivizohen Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni, të cilët do të kenë rol të dyfishtë – si në mbrojtje, ashtu edhe në mbështetje të sulmit.
Në qendër, Elvis Rexhbecaj do të jetë shtylla e mesfushës, i ndihmuar nga kreativiteti i Florent Muslijës dhe energjia e Veldin Hoxhës.

Në sulm, dyshja Fisnik Asllani dhe Vedat Muriqi pritet të udhëheqin ofensivën.
Muriqi mbetet pika referente në zonë me forcën fizike dhe lojën ajrore, ndërsa Asllani ofron lëvizshmëri dhe rrezik në hapësira.

Asllani dhe Vojvoda
Ky rreshtim i jep Kosovës fleksibilitet taktik dhe mundësi për të reaguar në çdo moment të lojës. Mbetet të shihet nëse kjo skemë do të jetë çelësi për të thyer Sllovakinë dhe për të hedhur hapin drejt finales.
Formacioni i mundshëm i Kosovës: Muric, Dellova, Hajrizi, Hajdari; Vojvoda, Hoxha, Rexhbecaj, Muslija, Gallapeni; Asllani, Muriqi;
