Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së shpejti do të publikojë emrat e skuadrës së tij të katërt, me të cilët do të qeverisë.
TCH, duke cituar burime të mediumit, ka raportuar se kryeministri Edi Rama ka vendosur datën 11 shtator, ora 10:00 në Tiranë, për njoftimin e ministrave të rinj, transmeton albinfo.ch.
Prezantimi i emrave të ministrave të rinj, një ditë pas seancës së parë të Parlamentit, shënon një ndryshim në traditën e shpalljes së qeverisë në këto 12 vite, kur deri tani fundi i gushtit ka qenë periudha kur Asambleja Socialiste thirrej për t’u njohur me kabinetin e ri.
Me këtë rast, kabineti “Rama 4” do të mësohet një ditë pas betimit të deputetëve të rinj, dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Ndërsa sot gjatë ditës burime të Raporto24 bënë të ditur se ish ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në detyrë, Liburn Aliu, ka marrë një ftesë nga kabineti qeveritar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Sipas këtyre burimeve, me shumë gjasë Aliu do t’i bashkohet ekipit qeveritar në Tiranë, edhe pse ende nuk ka konfirmim nga kabineti i Ramës.
Ky zhvillim, nëse zyrtarizohet, do të përbënte një lëvizje të papritur në skenën politike shqiptare.