17.6 C
Pristina
E premte, 24 Tetor, 2025

Nga VV e pranojnë se nuk i kanë numrat e mjaftushëm për formimin e Qeverisë, afati skadon të dielën

Nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë pranuar se nuk i kanë numrat e nevojshëm për Qeverinë Kurti 3, shkruan Reporteri.net.

Zyrtari i lartë i VV’së, njëherit Kryetar i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se po punojnë maksimalisht në këtë drejtim që t’i sigurojnë votat deri të dielën.

Sipas Bulliqit, një qeveri stabile do të ishte VV-LDK, duke thënë se me një përbërje të tillë do të tejkalohej edhe sfida e zgjedhjes së presidentit, që e pret vendin vitin e ardhshëm.

‘’Ne jemi duke punuar në këtë drejtim për formimin e Qeverisë së re, por ne nuk mund të themi me optomizëm të plotë se diçka e tillë do të ndodh. Ka përpjekje maksimale për me zgjidhë këtë problem, por tash ju e dini se ne nuk i kemi numrat e mjaftushëm, dhe sigurisht se na nevojitët ndihma e subjekteve të tjera politike. Për të qenë një Qeveri stabile dhe për të tejkaluar edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit do të ishte shumë e lëverdisshme të kemi një Qeveri e cila do të ishte e përbërë nga LVV-ja dhe LDK-ja, por tash kjo nuk varët prej neve si subjekt politik, mbetet për tu parë se cilat kanë me qenë veprimet e metejshme në këtë process”, ka deklaruar Bulliqi për RTV 21.

Ai nuk ka përjashtuar bashkëpunimin me Nismën Socialdemkrate.

‘’Ju e dini se disa diskutime në fillim ka pasur me këtë subjekt politk, nuk kam informacione se në cfarë mase kanë shkuar këto bisedime. Ne jemi të interesuar që në çdo aspekt të krijojmë hapsirë që të formohen institucionet e vendit sepse është e rendësishme për Kosovën që të vazhdojmë me punë dhe projektet që janë nisur’’, shtoi Bulliqi.

Edhe vetë Kurti, në fillim të kësaj jave la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, deklaroi Kurti të martën.

Afati kushtetues prej 15 ditësh për prezantimin e Qeverisë së re skadon më 26 tetor.

Pastaj, presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare./Reporteri.net

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here