Një djalë 14-vjeçar me origjinë nga Kosova, Len Fejzullahu, është bërë hero në Gjermani, pasi rrezikoi jetën për të shpëtuar shokun e tij nga një sulm me çekan.
Gazeta gjermane Friedberger Allgemeine ka sjellë rrëfimin tronditës dhe njëkohësisht frymëzues të Lenit, i cili tregoi guxim e vendosmëri.
Gjithçka ndodhi në oborrin e shkollës, pak para fillimit të orës së parë. Leni dhe dy shokët e tij po bisedonin, kur një adoleshent 15-vjeçar iu afrua, i veshur me uniformë ushtarake dhe me një çekan në dorë.
“Fillimisht mendova se po bënte shaka, se çekani ishte lodër”, rrëfen Leni. Por sekondat në vijim do të tregonin se nuk kishte asgjë për të qeshur. Sulmuesi papritur nisi të godasë njërin prej shokëve të Lenit në kokë.
Pa menduar gjatë, Leni u vërsul për ta ndihmuar. Edhe pse u godit në krah, ai arriti të shmangej dhe t’i kundërpërgjigjej agresorit.
“E pash shokun tim të shtrirë në tokë… Mendova se nuk mund ta lë vetëm”, kujton 14-vjeçari me emocione.
Në përleshje, Leni arriti t’ia rrëmbejë çekanin sulmuesit dhe ta godasë në bark, duke e rrëzuar në tokë. Falë reagimit të tij të shpejtë, ai dhe shoku i plagosur arritën të shpëtonin.
Ndërsa po vraponin drejt hyrjes së shkollës, sulmuesi shtiu në drejtim të tyre me një armë false, ndërkohë që shoku i Lenit, i lënduar rëndë në kokë, kishte nevojë urgjente për ndihmë. Dy mësues që ndodheshin aty njoftuan menjëherë policinë dhe ambulancën.
Sulmuesi 15-vjeçar u arrestua në vendngjarje dhe po hetohet për tentim vrasjeje dhe lëndim të rëndë trupor. Autoritetet gjermane kanë hapur hetime edhe për mundësinë e motivimit ekstremist të ngjarjes.
Leni ka dhënë dëshminë e tij në polici dhe ka hedhur poshtë komentet që qarkullonin në rrjetet sociale, se sulmuesi kishte qenë viktimë bullizmi.
“Nuk e njihja personalisht, vetëm e kisha parë më parë”, thotë ai. “Por po të kishte qenë i huaj, njerëzit do të flisnin ndryshe”.
Për veprimin e tij heroik, kryebashkiaku i Friedbergut, Roland Eichmann, e ka ftuar Lenin në takim për ta falënderuar publikisht për guximin e treguar.
