Vetëm pak kohë pas rifillimit të procesit të numërimit, janë numëruar 100% të votave të rregullta në Mitrovicë të Jugut.
Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, numërimi tashmë ka përfunduar.
Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 53,47% apo 17,837 vota, ndërsa Arian Tahiri i PDK-së mori 46,53% apo 15,522 vota.
Kujtojmë që pas dyshimeve për manipulim të votave, Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka urdhëruar të martën Komisionin Komunal Zgjedhor ta rifillojë numërimin e votave të balotazhit të 9 nëntorit në Qendrën Komunale në Mitrovicën e Jugut, i cili u ndërpre dje pas raportimeve për parregullsi.





