Osmani partive: Nëse s’më votoni presidente, do të përballemi në zgjedhje

Në pranverën e vitit 2026 i përfundon mandati, ndërsa Vjosa Osmani synon që në krye të vendit të qëndrojë edhe për një mandat tjetër.

Si prijëse e vendit, ajo thotë se mbështetet nga 81 për qind e qytetarëve të Kosovës.

Në një intervistë për Klan Kosova, Osmani tha se për këtë ambicie të saj janë njoftuar të gjitha partitë politike në vend.

“Nuk ka parti politike, përveç Listës Serbe, që në një mënyrë apo tjetër nuk ka qenë e informuar se qëllimi im do të jetë t’i siguroj Republikës së Kosovës vazhdimësi të këtyre punëve të mira, në qoftë se edhe ata pajtohen”, theksoi ajo.

Nëse partitë votojnë për t’ia siguruar edhe një mandat presidencial, Osmani thotë se do të respektohen dy parime thelbësore: mbrojtja e interesit të vendit sepse, sipas saj, do të vazhdonin punët e mira që ka nisur dhe reflektimi i vullnetit qytetar, pasi sondazhet e OJQ-ve kanë treguar se 2/3, e në disa raste edhe 81 për qind e qytetarëve, kërkojnë një mandat të dytë për të.

Megjithatë, nëse subjektet politike nuk ia bëjnë kuorumin dhe nuk i japin votat për rizgjedhjen e saj, Osmani paralajmëron se do të përballet me partitë në zgjedhje.

“Është në vullnetin e deputetëve të vendosin nëse do të më përkrahin apo jo. Nëse po, do të vazhdojmë me punë të mira për vendin dhe mbrojtje të interesave të qytetarëve. Nëse jo, unë e vazhdoj punën në një mënyrë tjetër, përmes angazhimit politik dhe kurdo që të ketë zgjedhje, atëherë i përballim idetë, nocionet, qëndrimet, energjinë e shumëçka tjetër. Qëllimi im është të mbetem e angazhuar politikisht dhe ta ndihmoj Republikën e Kosovës të ecë përpara”, tha ndër të tjera Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *