div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="home blog paged custom-background wp-custom-logo paged-14 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Edhe 25 kuti pa numëruar, ky është rezultati nga votat me postë

Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve janë numëruar 72.83 për qind e votave me postë. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani janë numëruar 67 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë.

Në këto rezultate prin Lëvizja Vetëvendosje me 72.56 për qind të votave, apo gjithsej 13,917 vota.

Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.62% ose 2,036 vota ndërsa Partia Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me 8.19% që përfaqësojnë 1,571 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 4.73% apo 908 vota.

Ndryshe sipas një njoftimi nga KQZ, nga fillimi i procesit të numërimit (e shtunë, 3 janar, ora 16:00) e deri të dielën në orën 16:00, ishin numëruar 41 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë, brenda të cilave ndodhen pakot me fletëvotime që deri tani janë sjellë në Kosovë.

Fletëvotimet e numëruara u takojnë komunave: Deçan (4 kuti), Gjakovë (6), Gllogoc (2), Gjilan (7), Dragash (1), Istog (4), Kaçanik (2), Klinë (2), Fushë Kosovë (2), Kamenicë (3), Mitrovicë e Jugut (4), Lipjan (2) dhe Rahovec (2).

Luizi rikthehet në ‘Big Brother’?

Këngëtari i njohur Luiz Ejlli ka ngjallur sërish kuriozitet te fansat e Big Brother, pas një postimi në rrjetet sociale.

Ai publikoi një foto nga prapaskena e Fan Club-it të programit, ku shihet në një ambient që lidhet me shtëpinë e BB, ndërsa moderatore është gruaja e tij, Kiara Tito.

Ky postim ka bërë që ndjekësit të spekulojnë se Luizi mund të rikthehet si pjesëmarrës në një nga edicionet e ardhshme të Big Brother.

Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga produksioni apo nga vetë këngëtari, prandaj mbetet e paqartë nëse rikthimi i tij është i vërtetë apo thjesht një prapaskenë nga Fan Club-i.

Lushtaku mesazh diasporën: Kthjelluni, qëndroni tre muaj në Kosovë dhe përballuni me faturat, shkollimin e shëndetësinë

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, që në bazë të votave të numëruara ka fituar prapë mandatin, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar diasporën për votimin me shumicë të Albin Kurtit.

Ai u ka thënë diasporës që të qëndrojnë tre muaj këtu, të paguajnë faturat, të shkollojnë fëmijët këtu edhe të përballen me shëndetësinë e Kosovës

I plotë:

Të dashur miq e dashamirë,

Falë besimit tuaj do të vazhdoj të jem zëri dhe përfaqësuesi juaj në Kuvendin e Kosovës.

Nuk i gëzohem fitores personale kur shoh gjendjen në të cilën është katandisur shteti ynë nën këtë regjim. Për pesë vite në pushtet nuk morën kurrë përgjegjësi për dështimet, por zgjodhën shpifjen dhe etiketimin e kundërshtarëve politik si “miliarderë”, “kriminelë” e “vrasës”, duke mbjellë urrejtje për të fshehur paaftësinë.

Një thirrje të sinqertë kam edhe për një pjesë të bashkatdhetarëve tanë në diasporë. Qëndroni dhe jetoni realitetin e Kosovës, me paga të Kosovës. Paguani faturat, shkolloni fëmijët këtu dhe përballuni me shëndetësinë tonë. Faturat mujore shpesh janë sa një pagë mesatare, nuk kemi shëndetësi moderne e as sigurime shëndetësore, andaj qëndroni dhe jetoni këtu veç  tre muaj, sepse vetëm kështu bie propaganda e këtij regjimi.

Kthjelluni nga hipnoza politike dhe herën tjetër votoni me arsye, jo me inat. Thirrni mendjes, mendoni me kokë të ftohtë dhe bëni krahasimet, ku ishim para pesë viteve dhe ku jemi sot krahasuar me vendet e rajonit.

Gjithsesi, urime për ata që zgjodhën varfërim dhe izolim. Më së shumti urime Martinit, Vuk Hamoviqit, urime atyre që janë kundër familjes, si dhe të gjithëve që janë kundër Kosovës.

Në fund, falënderimi im shkon nga zemra për votuesit e PDK-së dhe veçanërisht për votuesit e mi. Faleminderit për besimin.

Nuk dorëzohemi!❤️

Mergim Lushtaku

A do të shtrenjtohet rryma sërish, deklarohet Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se qeveria e re do të formohet menjëherë pasi të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit.

Ai u pyet në një intervistë për KosovaPress se “kur pritet që qytetari të ndjejë rritjen ekonomike, meqenëse janë shtrenjtuar produktet esenciale siç janë vaji, buka… për të cilat është thënë se s’do të ketë shtrenjtim, por megjithatë ka pasë”.

Tha se qytetarët tashmë e ndiejnë rritjen ekonomike që tha se ka ndodhur përgjatë viteve të qeverisjes së tij.

“Unë besoj që qytetarët e kanë ndjerë dhe po e ndiejnë rritjen ekonomike. Asnjëherë nuk kemi rënën nën 4%. 6% është mesatarja e rritjes ekonomike gjatë qeverisjes sonë. Dëshirojmë që kjo të vazhdojë edhe më tutje dhe punojmë për këtë gjë”, tha ai.

“Është paralajmëruar edhe një shtrenjtim i rrymës”, i tha gazetarja.

Kurti vazhdoi: “Tash, papunësia ka rënë nën 11%. Ka qenë 26%. Kur unë e kam marrë detyrën, para më pak se pesë vjetëve, çdo i katërti në Kosovë ka qenë i papunë. Sot që po flasim është çdo i nënti. Pra, para pesë vjetëve s’ka pasë familje pa dikë të papunë. Tash duhet t’i bësh dy familje që mezi ta nxjerrësh një të papunë. Papunësia ka rënë, punësimi është rritur. Gjithashtu janë rritur pensionet, i janë shtuar mirëqenies së përgjithshme shtesat për fëmijë dhe për nënat lehona, të cilat më pastaj janë rritur, është rritur shumë fitimi i korporatave. 2.3 miliardë euro është fitimi i korporatave në vitin që shkoi, sepse 230 milionë euro kanë paguar tatim, sipas ATK-së”.

Edhe pagat në sektorin privat, Kurti tha se janë rritur.

“Totali i pagesave në sektorin privat është rritur nga 1.2 milionë sa ka qenë, më shumë se dyfishim – 2.6 milionë. Paga mesatare në sektorin privat është rritur për katër vjet, bruto 57%, neto 50%”.

Ai pranoi se shporta e konsumatorit do të duhej të ishte më e përballueshme, por shtoi se “kjo nuk ka të bëjë me rritjen ekonomike, sa ka të bëjë me tavanin e munguar për produktet bazë”.

Për paralajmërimin se rryma do të shtrenjtohet sërish së shepjti, Kurti tha: “Ne do ta themi qëndrimin tonë në këtë pranverë, kur të vijë koha”.

Kurti paralajmëron: Mund të shkojmë sërish në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka refuzuar të deklarohet nëse përkrah rikandidimin e Presidentes Vjosa Osmani për këtë post, duke theksuar se paraprakisht duhet të përmbyllen disa procese kyçe institucionale.

Kurti tha se e ka parë deklarimin e Presidentes lidhur me gatishmërinë për një mandat të dytë, por shtoi se prioritetet aktuale janë formimi i Kuvendit, i Qeverisë dhe miratimi i buxhetit.

Sipas tij, këta tre hapa janë parakusht për çdo diskutim serioz rreth rizgjedhjes së Presidentes, ndërsa vetëm pas përfundimit të tyre mund të vlerësohen realisht gjasat përpara.

“Ne e kemi parë deklarimin e Presidentes. Së pari, duhet ta formojmë Kuvendin e Qeverinë, gjithashtu duhet ta votojmë buxhetin. Unë besoj që këta janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e Presidentes, dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do të shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që të ulemi me Presidenten dhe të diskutojmë të gjitha gjërat. 80 vota në sallë është vështirësi e konsiderueshme. 

Përderisa kësaj radhe ne 61 vota i kemi, 80 nuk i kemi, dhe këto marrëveshje ndërkombëtare të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj gjithashtu që mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Nuk besoj që është e drejtë dhe e dobishme që të flasim për hapin e katërt pa i parë të tre të parët. Vetëm pasi t’i kemi kaluar këta tre hapa, ne mund të flasim.” – tha Kurti për “KosovaPress”.

Kur do të ekzekutohet paga e 13-të për puntorët? Kurti jep detajet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e ardhshme synon të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes ekonomike në Kosovë, përfshirë pagën e 13-të për administratën shtetërore dhe masa për përballje me çmimin e energjisë elektrike.

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, e cila përkon edhe me 27-vjetorin e themelimit të këtij mediumi, Kurti thotë se me Ligjin e ri për Buxhetin e vitit 2026 parashihet paga e 13-të për të gjithë shërbyesit publikë.

Sipas tij, normalisht paga e 13-të do të duhej të jepej në fund të vitit, por një nga vendimet e para të Qeverisë së re do të jetë që kjo pagë të jepet në fillim të vitit, sapo të formohet qeveria dhe të votohet ligji për buxhetin. Kurti theksoi se sa më herët të formohet qeveria, aq më herët do të realizohet edhe pagesa e 13-të.

Ai rikujtoi se gjatë mandatit të tij, pagat në administratën shtetërore janë rritur në përgjithësi për 47 për qind, ndërsa pabarazia mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët është zvogëluar ndjeshëm, nga raporti 20 me 1 në 4 me 1

“Me ligjin e ri për buxhetin e vitit 2026, ne parashohim edhe pagën e 13-të në administratën shtetërore. Pra, të gjithë shërbyesit publikë do ta marrin pagën e 13-të. Me fjalë të tjera, kush punon 12 muaj, i merr 13 paga. Normal do të ishte që pagën e 13-të ta marrin kah fundi i vitit, atje te dhjetori diku. Mirëpo, një ndër pesë vendimet e para që do të marr, përveç atyre që përmenda, do të jetë natyrisht edhe paga e 13-të në fillim të vitit. Tash kjo varet kur formohet qeveria dhe kur votohet ligji për buxhetin. Porsa të bëhen këto, do ta marrim vendimin edhe për pagën e 13-të dhe ajo do të jetë në fillim të muajit. Tash, ne më të mëdha i kemi gjasat që do ta formojmë qeverinë në muajin shkurt sesa në janar, po kushedi, ndoshta dhe në janar. Sa më herët që e formojmë qeverinë, aq më herët do të mund të jepet paga e 13-të, e cila padyshim që do të jetë në fillim të vitit për administratën shtetërore, të cilëve në fakt edhe u është rritur paga në përgjithësi gjatë qeverisjes në mandatin tim, për 47%, sepse aq është rritur buxheti total i pagesave për rrogat në administratën shtetërore, me ç’rast edhe është zvogëluar dallimi i pagës më të lartë me pagën më të ulët, prej 20 me 1 siç ka qenë, në 4 me 1. Pra, 47% është rritur paga përgjithësisht në administratën shtetërore, te shërbyesit publikë, dhe në të njëjtën kohë pesëfish është zvogëluar pabarazia aty”, thotë Kurti për KosovaPress.

Duke folur për çështjen e energjisë elektrike dhe çmimin e saj, Kurti tha se qëndrimi i Qeverisë do të bëhet i ditur në pranverë, duke rikujtuar se vendimet për tarifat i takojnë institucioneve të pavarura, si Zyra e Rregullatorit të Energjisë

Megjithatë, ai nënvizon se Kosova vazhdon të bartë pasojat e privatizimit të padrejtë dhe të lirë të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.

“Ne do ta themi qëndrimin tonë në këtë pranverë kur të vijë koha, por ta keni parasysh që janë institucione të pavarura shtetërore, sikurse Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ajo e cila merret me këtë çështje. Ndërkohë që ne edhe më tutje jetojmë me një trashëgimi me të cilën nuk jemi pajtuar, por është fakt që shpërndarjen dhe furnizimin e energjisë elektrike, Kosova e ka të privatizuar tepër lirë e padrejtësisht. Në anën tjetër, ndër vendimet e para që do të marrim, do të jenë edhe një pako e përgjithshme prej 200 milionë euro për përballje me inflacionin, për kategori të cilat kanë më së shumti nevojë dhe që preken më së rëndi: pensionistët, fëmijët, sektorët, sektori privat përkatësisht punëtorët aty, punëmarrësit, dhe gjithashtu edhe studentët. E paralelisht me këtë, edhe do ta rikthejmë atë skemën që kush kursen energji elektrike, shpërblehet. E kemi pasur para tre-katër vjetëve dhe ka qenë shumë e suksesshme. Pra, nëse dikush dëshmon, ta zëmë që në muajin shkurt të vitit 2026 ka kursyer energji elektrike duke konsumuar më pak kilovat-orë sesa në shkurtin e vitit 2025, menjëherë do të shpërblehet. 150 milionë euro në mandatin që do të vijë, do t’i ndajmë për efiçiencën e energjisë elektrike. Sepse ne shpenzimin suplementar, le ta quajmë ashtu, por në anën tjetër ekzistencial, që e kemi te energjia elektrike është për ngrohje. Tash merreni me mend, digjet linjiti si qymyr, punojnë turbinat e gjeneratorit, e shndërrojnë energjinë termike në energji elektrike, të cilën ne sërish e shndërrojmë në energji termike nëpër shtëpitë dhe banesat tona. Prandaj kogjenerimi do të jetë një zgjidhje. Do ta dyfishojmë kogjenerimin prej termocentraleve. Do të kemi gjithashtu edhe mundësinë për ngrohje nëpërmjet paneleve solare dhe do ta shohim edhe mundësinë që sa më shpejt të hyjmë në gazifikimin e linjitit, pra në kapacitete të reja energjetike. Besoj që e ardhmja afatshkurtër dhe afatmesme do të jenë shumë të mira edhe në këtë aspekt”, tha Kurti./KosovaPress.

Vuçiç “shpërthen” kundër Shqipërisë: Është kërcënim, rezoluta 12 44 e Kosovës ka rënë

“Rendi botëror ka rënë!”. Kështu u shpreh presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pas një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku diskutoi me tonë kritike për operacionin amerikan për kapjen e mikut të tij në Venezuelë, Nikolas Maduro.

“Pas veprimeve në Venezuelë, është plotësisht e qartë se rendi publik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së nuk zbatohen”, theksoi Presidenti serb, duke shtuar se ligji i forcës dhe ligji i më të fortit po dominojnë botën.

“Pra, ju e shihni që nuk ka parime. Kjo është arsyeja pse ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244, e cila është pezulluar de facto, por jo de jure, nga fuqitë e mëdha, siç është Turqia. Ato po e armatosin me shpejtësi Prishtinën. Një kërcënim i veçantë për sigurinë e Serbisë është aleanca ose bashkimi i sapokrijuar i Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cili po zhvillohet në një fushë të gjerë që përfshin zhvillimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake nga automjetet katër me katër deri te armët dhe mjetet më të fuqishme”, tha Vuçiç, duke shtuar se Serbia po e monitoron nga afër këtë dhe po përgatitet për mbrojtje kundër atyre që pretendoi se tani po bëjnë “kërcënime të hapura” ndaj Serbisë.

“Duam t’ju themi se Republika e Serbisë po e ndjek këtë me kujdes dhe ne jo vetëm që po e ndjekim, por po përgatitemi edhe për t’u mbrojtur kundër atyre që, as fshehurazi, por hapur kërcënojnë vendin tonë. Ne besojmë se forca jonë do të jetë një pengesë e mjaftueshme”, theksoi Vuçiç. (A2 Televizion)

Gruaja në Podujevë sulmon fizikisht bashkëshortin

Një grua ka sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj.

Policia e ka arrestuar dhe e njejta është dërguar në mbajtje.

Raporti:

Podujevë 03.01.2026-23:26. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Numërohen gati 30% e votave me postë, VV e para deri tani, kjo është partia e dytë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përditësimin e fundit kur janë numëruar 28.26% e votave me postë, shkruan Reporteri.net.

Nga 26 kuti nga 92 sa janë gjithsej, aktualisht Lëvizja Vetëvendosje prin me 70.67% apo 4,932.

Në vend të dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.65% apo 743 vota

Pas saj vie, Partia Demokratike e Kosovës me 8.68% apo 606 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vend të katert aktualisht me 8.44% apo 589 vota.