Dy kandidatë të PDK-së kërkojnë rinumërimin e votave brenda partisë

Dy ankesa lidhur me procesin e rinumërimit janë deponuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e afati 48 orësh ka përfunduar të dielën në mesditë.

Tash, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka afat tri ditë për të marrë vendim lidhur me to.

Të dyja ankesat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës. Njëra është dorëzuar të premten, ndërsa tjetra të shtunën.

Në njërën prej tyre, kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka kërkuar rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve të subjektit të tij.

Sipas tij, rinumërimi i 185 vendvotimeve ka treguar se ai është dëmtuar për gjashtë vota, ndërsa dallimi mes tij dhe Rrustem Mustafës, i cili ka siguruar mandat deputeti, është vetëm 102 vota.

Pas marrjes së vendimeve nga PZAP-ja, palët do të kenë në dispozicion edhe 48 orë për t’u ankuar në Gjykatën Supreme.

Ndërkaq, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep Gjykatës Supreme afat prej pesë ditësh për të vendosur lidhur me ankesat.

Nëse nuk merret vendim për rinumërim të plotë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund ta shpallë rezultatin përfundimtar më së largu në mes të javës së ardhshme.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, subjektet politike sërish kanë të drejtë ankese në PZAP brenda 48 orësh, ndërsa paneli duhet t’i shqyrtojë ato brenda 96 orëve.

Edhe këto vendime mund të kontestohen në Gjykatën Supreme.

Vetëm pas përfundimit të të gjitha procedurave ankimore mund të bëhet certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Sipas legjislacionit në fuqi, Kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin dhe pesë nënkryetarët e tij brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve. Më pas, ekziston edhe një afat prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë.

Megjithatë, sipas Melos Kolshit, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, këto afate nuk është e domosdoshme të shfrytëzohen në tërësi.

“Për shembull te konstituimi i kuvendit munden që të bëhen për një ditë, konstituimi i kuvendit dhe po ashtu edhe formimi i qeverisë në mënyrë që të kemi hapësirë edhe për zgjedhjen e presidentit për faktin se ne e dimë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, nga momenti i konstituimit të kuvendit i kemi afat 60 ditë për të zgjedhur presidentin nëse nuk zgjidhet presidenti atëherë vendi rrezikon që prapë të shkojë në zgjedhje”, ka thënë Kolshi.

Zgjedhjet e 7 qershorit ishin të dytat me radhë të jashtëzakonshme, e të tretat brenda një viti e gjysmë.

Përleshje në turneun e futbollit në Zubin Potok, tifozllëku për ekipet përfundon me grushte

Një turne i futbollit të vogël në fshatin Zupç të Zubin Potokut është shndërruar në arenë përleshjeje mes dy spektatorëve, ku njëri prej tyre ka përfunduar në spital me lëndime në fytyrë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, incidenti ka ndodhur mbrëmjen e 20 qershorit, derisa në oborrin e shkollës së fshatit po zhvillohej një turnir futbolli.

Dy personat e përfshirë në rast, Luka Milanovic dhe Radomir Kasalovic, ndodheshin në mesin e shikuesve, por përkrahja e ekipeve të ndryshme dyshohet se ka çuar në një konflikt verbal që më pas ka eskaluar në përleshje fizike.

Burimet bëjnë të ditur se informacioni i parë për incidentin është dhënë nga një zyrtare policore jashtë detyrës zyrtare, e cila kishte njoftuar Policinë për rrahjen që po ndodhte pranë objektit shkollor.

Në afërsi të vendit të ngjarjes ndodhej një njësi e reagimit të shpejtë, e cila ka ndërhyrë menjëherë deri në arritjen e patrullës së Stacionit Policor në Zubin Potok.

Si pasojë e përleshjes, Luka Milanovic ka pësuar lëndime në pjesën e fytyrës, afër syrit, dhe fillimisht është dërguar për trajtim në QKMF në Zubin Potok, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Veriut, ku është mbajtur nën kujdes mjekësor.

Ndërkaq, Radomir Kasalovic është shoqëruar në Stacionin Policor në Zubin Potok për procedura të mëtejshme.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “Sulm” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa procedurat do të vazhdojnë në rrugë të rregullt.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë në vazhdim.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

22-vjeçari që vdiq në aksident në Vushtrri, familjar i këngëtares se njohur

Dita e sotme ishte e kobshme për këngëtaren Ezo Menic.

Përmes një postimi në Instagram bëri të ditur që Drilon Muniqi, 22-vjeçari që vdiq në aksidentin në Vushtrri është familjar i saj.

“Nuk gjej fjalë për të shprehur dhimbjen për humbjen tënde, Drilon. Do të mbetesh përgjithmonë në zemrat tona, në kujtimet tona dhe në çdo lutje tonën”, ka shkruar ajo.

Ngushëllime!/

Haradinaj: Do ta shqyrtoja kandidaturën për president nëse propozohem nga opozita

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka lënë të hapur mundësinë që të kandidojë për president të vendit, në rast se emri i tij propozohet nga partitë opozitare, raporton GazetaBlic.

Ai tha se për shkak të sfidave me të cilat po përballet Kosova, do ta merrte në konsideratë një propozim të tillë.

“Nëse opozita, Aleanca, PDK, LDK do të më kandidonin, do ta shqyrtoja mundësinë e kandidaturës nga opozita. Kosova është në sfida të mëdha, vështirësi e kisha shqyrtua nëse opozita me propozon për president në një garë në seancë”, ka thënë Haradinaj për Tëvë1.

Megjithatë, ai theksoi se aktualisht nuk është kandidat për president.

Blerim Latifi kritikon protestuesit: “Pse nuk protestojnë për Luginën e Preshevës?”

Analisti Blerim Latifi ka komentuar protestat në Tiranë, ku ndër të tjera deklaron se “shqiptari i Luginës nuk e organizon asnjë miniprotestë kundër spastrimit etnik atje, por merr turr kundër Ramës”.

“..ja që merr turrin të shkojë në Tiranë për të protestuar kundër Edi Ramës dhe kundër një investimi amerikan në bregdetin shqiptar. Dhe këtë e bën pavarësisht faktit se qeveria shqiptare është e vetmja që, të paktën në kanalet diplomatike perëndimore, ka ngritur vazhdimisht zërin për çështjen e shqiptarëve të Preshevës”, shkruan Latifi.

Reagimi i tij i plotë:

Shqiptari i Luginës së Preshevës rri gatitu para xhandarit serb. Nuk arrin të organizojë as një miniprotestë kundër spastrimit të heshtur etnik që Serbia po e zbaton përmes pasivizimit të adresave dhe masave të tjera diskriminuese, të cilat e kanë goditur rëndë të drejtat politike e qytetare të shqiptarëve atje

Por ja që merr turrin të shkojë në Tiranë për të protestuar kundër Edi Ramës dhe kundër një investimi amerikan në bregdetin shqiptar. Dhe këtë e bën pavarësisht faktit se qeveria shqiptare është e vetmja që, të paktën në kanalet diplomatike perëndimore, ka ngritur vazhdimisht zërin për çështjen e shqiptarëve të Preshevës.

Ndërgjegja njerëzore sikletoset nga paradokse të tilla shqiptarësh.

MINT publikon çmimet e derivateve për sot dhe nesër

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka publikuar çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor, për sot dhe nesër.

Për datat 21-22.06.2026, çmimet maksimale të lejuara janë si vijon:

• Nafta (dizel): 1.39 euro/litër;

• Benzina: 1.33 euro/litër

• Gas: 0.67 euro/litër.

 

 

“61 pjesëtarë serbë të “Rojës së Urës” paguhen pa punuar, ndërsa ushtarëve të FSK-së nuk u paguhen orët shtesë”

Deputeti Eman Rrahmani ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën e shpërndarjes së mjeteve buxhetore, duke ngritur shqetësime për pagesat ndaj ish-pjesëtarëve të ashtuquajturës “Roja e Urës” në veri të Kosovës.

Sipas Rrahmanit, 61 pjesëtarë serbë të kësaj strukture kanë përfituar gjithsej 469,885 euro gjatë vitit 2025, pavarësisht pretendimeve se nuk kanë qenë aktivë në punë. Ai ka theksuar se këto pagesa vazhdojnë të bëhen nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në të njëjtën kohë, deputeti ka ngritur shqetësimin se pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk u janë paguar orët shtesë të punës, shuma e papaguar ndaj tyre arrin në 2.8 milionë euro.

Rrahmani e ka cilësuar këtë situatë si padrejtësi ndaj ushtarëve të FSK-së, të cilët, kontribuojnë dhe rrezikojnë për sigurinë e vendit, ndërsa persona të tjerë përfitojnë paga pa kryer detyrat e tyre dhe duke rrezikuar vendin

“Kjo është një padrejtësi për ushtarët tanë, të cilët janë lënë pas dore, ndërsa të tjerë paguhen pa punuar”, ka deklaruar ai.

 

 

 

Agim Bahtiri del në përkrahje të protestave në Tiranë

Agim Bahtiri ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e zhvilluar në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se në protestat e shqiptarëve sheh dhimbjen dhe dashurinë për atdheun, duke theksuar se mbështetja e tij është e plotë dhe e palëkundur.

“Shqipëria Amë është amanet, është identitet. Nuk kemi tokë për të falur. Nuk kemi identitet për të shitur”, shkroi Bahtiri.

Katër persona rrihen mes vete, arrestohen nga policia

Katër persona janë arrestuar të shtunën në Pejë, pasi dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur dje rreth orës 16:29 në rrugën “Mehmet Ibraj”, raporton klankosova.tv.

Si pasojë e përleshjes, tre nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit, tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.

“Rr. Mehmet Ibraj, Pejë 20.06.2026 – 16:29. Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që ishin rrahur mes vete. Si pasojë, lëndime të lehta trupore kanë pësuar tre nga të dyshuarit të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, tre nga ta janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt”.