div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="home blog paged custom-background wp-custom-logo paged-55 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
“Jam Albini pushkë me qitë”, Sibel Halimi e LDK’së i reagon Llalloshit: Kujt do t’i drejtohen plumbat artiste e dashur?

Kandidatja e LDK’së për deputete, Sibel Halimi, i ka reaguar Edona Llalloshit të VV’së për këngën që e këndoi në tubimin e VV’së në Zvicër, ku ishte edhe kandidati i VV’së për kryemiistër, Albin Kurti. Një nga vargjet ishte “jam Albini pushkë me qitë”.

Halimi ka thënë se romantizimi i dhunës nuk është art.

Ajo e ka pyetur Llalloshin se kujt do t’i drejtohen plumbat.

“Arti nuk është pushkë, as thirrje për të qëlluar. Arti është ndërgjegje, është pyetje, është dritë që e ndal dorën para dhunës.  “Jam Albini, pushkë me qitë”, kujt do t’i drejtohen plumbat, artiste e dashur?! “Pushka” e artistit nuk duhet t’i drejtohet askujt si armë, por padrejtësisë si ide, frikës si sistem, dhe heshtjes si bashkëfajësi. Vendit i duhet paqja dhe mirëqenia, jo romantizimi i dhunës.  Artisti ka përgjegjësi të mos bëhet jehonë e instinkteve të errëta, por zë i arsyes, i humanizmit dhe i shpresës. Kur arti humb këtë busull, ai pushon së qeni art dhe shndërrohet në propagandë”, ka shkruar Halimi.

Ndërron jetë papritur inspektori i AVUK-ut, Besnik Sadriu

Ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur Besnik Sadriu, inspektor dhe punonjës i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka tronditur familjen, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën për profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin e tij në kryerjen e detyrës zyrtare.

Gjatë angazhimit të tij institucional, Sadriu u dallua për integritet dhe përgjegjësi, duke fituar respekt të gjerë në rrethin profesional.

I ndjeri ishte djali i profesorit të nderuar Mahmut Sadriu, ndërsa humbja e tij e parakohshme përbën një humbje të madhe për familjen, institucionin dhe shoqërinë në tërësi.

Varrimi do të bëhet sot, më 14 dhjetor 2025, pas namazit të ikindisë, në ora 14:00, në varrezat e fshatit Davidovc.

Mustafa i ashpër me Albin Kurtin: Ai është veteran, por ka prodhuar situata kundër tyre

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me shpenzimet prej 36 milionë eurosh për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Mustafa tha se kjo shumë është e vogël krahasuar me peshën e çështjes që po zgjat prej pesë vitesh, duke theksuar se vetëm shpenzimet e udhëtimeve të familjarëve dhe qytetarëve për vizita i afrohen kësaj vlere.

“Ndjehem keq që kryeministri i vendit tim merret me aq pak mjete për një çështje aq të madhe që po e jetojmë prej pesë vitesh. Pesë vite, të gjithë ata familjarë dhe gjithë ajo shoqëri që kanë shkuar për vizita, vetëm biletat e udhëtimit mund të kushtojnë diku përafërsisht sa kjo vlerë që po e përmend Kurti”, tha Mustafa.

Mustafa shtoi se, ndonëse Kurti është veteran, ka ndërmarrë veprime që, sipas tij, kanë dëmtuar veteranët, përfshirë largimin e tyre nga ligji për pagën minimale.

Në fund, Mustafa theksoi se do të vazhdojë të reagojë derisa, sipas tij, të ndalet keqmenaxhimi dhe qasja e gabuar ndaj vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur zhgënjim edhe për politikat që, sipas tij, po ndërtohen nga rrethi i kryeministrit.

“Ka mundur të ndërtohet një strategji që do të ndërhynte pozitivisht në qasjen se si do të dukej procesi i ndjekjes së eprorëve të UÇK-së. Kryeministri është veteran, por ka prodhuar situata kundër veteranëve, i ka larguar nga ligji për pagat e veteranëve të UÇK-së dhe nga paga minimale.”

“Derisa ta ndalim këtë keqmenaxhim dhe këtë keqdrejtim karshi vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë do të reagoj. Jam i befasuar dhe po ndihem keq pse njerëzit rreth tij ndërtojnë kësi politika”, tha Mustafa në Debat Plus

Kiara ‘rikthehet’ në Big Brother VIP

Numërimi mbrapsht ka filluar! Tashmë gjithçka është gati për startin e madh të fenomenit televiziv që mban mbërthyer shqiptarët. Burime pranë produksionit konfirmojnë se Kiara Tito do të jetë zyrtarisht prezantuesja e re e “Big Brother Fan Club”, duke shënuar një rikthim të bujshëm në formatin që i ndryshoi jetën.

Për Kiarën, ky pozicion vjen si një kurorëzim i natyrshëm i një rrugëtimi televiziv mbresëlënës. Pas eksperiencës së saj brenda shtëpisë së famshme – ku ajo spikati si një nga banoret më të pëlqyera, më të dashura dhe më protagoniste – karriera e saj njohu vetëm ngjitje. Ajo periudhë, e cila shënoi një kthesë rrënjësore në jetën e saj, ia rihapi dyert e mëdha të televizionit.

Menjëherë pas daljes, Kiara u besua me drejtimin e “Dancing With The Stars Fan Club”, dhe më pas bëri hapin e madh drejt “Prime Time”. Ajo aktualisht shkëlqen çdo javë si prezantuese e spektaklit të humorit “Portokalli”, një rol që vazhdon ta mbajë me sukses, duke u konfirmuar si një nga figurat më të rëndësishme të Top Channel.

Fansat nuk do të presin më gjatë. Dritat e shtëpisë më të famshme në Shqipëri do të ndizen me datë 20 Dhjetor. Spektakli “Big Brother VIP Albania 5” premton të nisë fuqishëm që në natën e parë, me një kast personazhesh që pritet të bëjnë zhurmë.

Ndërkohë, analiza e lojës, debateve dhe dinamikave nën drejtimin e Kiarës do të nisë pak më vonë. Emisioni “Big Brother Fan Club” do të startojë transmetimin një javë pas nisjes së spektaklit, për të komentuar gjithçka që do të ketë ndodhur gjatë 7 ditëve të para të bashkëjetesës.

Me Kiarën në timon dhe një sezon që nis prag festash, ky edicion i pestë pritet të jetë zjarrtë.

Publikohet sondazhi, kjo është partia e dytë

Një analizë e gjerë online, e mbështetur në rreth 20 mijë respondente dhe në modele të avancuara statistikore, tregon se situata elektorale në Kosovë mbetet e ndërlikuar dhe me gjasa të larta për ngerç politik.

Sipas të dhënave të prezantuara, lëvizjet e votuesve nga 9 shkurti e deri më tani kanë qenë minimale, ndërsa vetëm 6% e qytetarëve deklarohen të pavendosur se kujt do t’ia japin votën.

Sipas këtij sondazhi online fituese e zgjedhjeve do të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 40.8%.

Në vendin e dytë është PDK me 23.2%, ndërsa LDK në vendin e tretë me 17.2%.

AAK është në vendin e katërt me 8.6%.

Sqarim: Kjo matje është publikuar nga Bleron Baraliu.

Alarmante: Paralajmërohet tjetër shtrenjtim i rrymës

Rritja e madhe e importit të energjisë elektrike dhe rënia e prodhimit vendor kanë shtuar pasigurinë për sektorin energjetik në vend, kanë vlerësuar njohës të kësaj fushe. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë nëntëmujorit të këtij viti importi është rritur për 48 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke hapur debatin për mostransparencën e ZRRE-së dhe mundësinë e rritjes së tarifave të energjisë.

Për 48 për qind është rritur importi i energjisë elektrike gjatë nëntëmujorit të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, derisa importi ka shënuar rritje, gjatë kësaj periudhe është regjistruar rënie e prodhimit vendor për afro 20 për qind.

Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, tha se importi në pesë vjetët e fundit është katërfishuar krahasuar me pesë vjetët paraprakë. Ai tha se rritje e madhe vërehet edhe kur krahasohet 3-mujori i vitit të shkuar me atë të sivjetmë.

“Në bazë të të dhënave të Doganës së Kosovës rrjedh që në tremujorin e parë të 2025 janë importuar rreth 125 milionë euro energji elektrike, ndërsa në tremujorin e parë të 2024 janë diku rreth 45 milionë euro. Shihet një rritje enorme e importeve, për diku trefishim të sasisë dhe më shumë shqetësuese në këtë është se kjo sasi e importeve është para se të fillojë procesi i renovimit të “Kosovës B”. Kjo e rrit edhe frikën se do të kemi ndoshta nevojë për korrigjim të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026”, ka thënë Haxhimusa.

E në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kanë njoftuar se në fund të këtij muaji do të fillojë shqyrtimi i tarifave të reja për vitin 2026, por nuk kanë treguar nëse ka indikacione për rritje të tyre apo jo.

“Shqyrtimi i tarifave do të bëhet sipas orareve të përcaktuara në Rregullën për Përcaktimin e Tarifave dhe Çmimeve. Procesi pritet të fillojë në fund të këtij muaji dhe pritet të zgjasë deri në fund të muajit mars të vitit 2026”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Rritja e importit të energjisë është shoqëruar edhe me dominimin në treg të një kompanie, gjë që ka nxitur debat e akuza mes partive politike në vend.

Sipas Haxhimusës, kjo do të mund të sqarohej lehtësisht nëse do të kishte transparencë nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Këtë zjarr do ta shuante apo ndizte më shumë nëse Zyra e Rregullatorit për Energji do të dilte dhe do të tregonte se nga po vijnë këto importe dhe se ata nëse nuk i kanë këto të dhëna shumë lehtë e obligojnë tregtarin që të ofrojë këto të dhëna se nga po vijnë importet dhe cilat rrugë janë shfrytëzuar për të ardhur ajo energji deri tek konsumatori fundor”, ka thënë Haxhimusa.

Jotransparente ZRRE-ja është treguar edhe në rastin e mospublikimit të Planit Vjetor për Energji për vitin 2025, të cilin e miratoi 13 muaj pas pranimit të kërkesës nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

KOHA ka kërkuar nga ky institucion arsyet e vonesës në miratimin e Planit vjetor dhe për mospublikimin e tij, por nuk ka marrë përgjigje.

Ani se ky plan është miratuar më 7 nëntor 2025, nuk është publikuar ende në faqen e ZRRE-së.

Të dhënat e bilancit vjetor, që bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë për vitin 2025, nuk u bënë publike as në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së./koha.net

Mbështetje financiare prej 295 mijë euro për studentët

Ministrja në detyrë e arsimit, Arbërie Nagavci ka dhënë një lajm të mirë.

Për studentët që kanë studiuar jashtë Republikës së Kosovës janë ndarë 295 mijë euro.

59 studentë kanë përftuar mbështetje financiare prej 5 mijë euro.

Më poshtë postimi i Nagavcit:

🎓 Mbështetje e vazhdueshme për arsimimin e studentëve tanë.

✅295,000 euro mbështetje për studentët tanë për studimet bachelor jashtë Republikës së Kosovës.

✅59 studentë kanë përfituar mbështetje financiare nga 5,000 euro secili për ndjekjen e studimeve bachelor jashtë vendit gjatë periudhës 2021–2025.

Mbetemi të përkushtuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen, në funksion të zgjerimit të mundësive arsimore për studentët tanë.

Dy të vdekur e dy të lënduar afër dheut në autostradë që ministria nuk e hoqi që më shumë se një vitë

Për më shumë se një vit dheu që rrëshqiti nuk është hequr tërësisht nga një pjesë e autostradës në afërsi të Prizrenit.

Ministria përgjegjëse, ajo e mjedisit, planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës që udhëhiqet nga Vetëvendosje nuk arriti që ta largonte krejtësisht dheun që rrëshqiti, por e hapi vetëm një korsi.

Këtë javë në këtë vend, dy gra humbën jetën si pasojë e aksidentit dhe në të njëjtin vend për 24 orë u shkaktua edhe një aksident, në të cilin mbetën të lënduar dy persona.

Policia e Kosovës më 11 dhjetor kishte konfirmuar se aksidenti me fatalitet ndodhi në afërsi të punishtes në autostradë.

“Sipas të dhënave fillestare, në lagjen Lakuriq në Prizren, drejtuesi i një kamioni derisa ishte duke lëvizur në afësi të punishtes, nga pakujdesia ka goditur viktimën, ku shërbimi i urgjencës është njoftuar menjëherë dhe mjekët në vendngjarje kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Orë më vonë edhe e aksidentuara tjetër vdiq.

“Policia ka dalë në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa i dyshuari është ndaluar në stacionin policor.  Është njoftuar prokurori i Shtetit lidhur me rastin dhe në bashkërendim me prokurorin po ndërmerren të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhej më tej.

PZAP-ja rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikohet lista me kandidatë për deputetë e Listës Serbe

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar vendimin e KQZ-së dhe ka vendosur për certifikimin e listës me kandidatë për deputetë të Listës Serbe.

Kjo pas ankesës që është bërë në PZAP nga kjo parti, meqë në KQZ nuk ishte certifikuar lista me kandidatët për Parlamentin e Kosovës.

“APROVOHET ankesa e subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, e paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me Nr. Protokolli 01/3771-2025, të datës 10.12.2025, NDRYSHOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me Nr. Protokolli 01/3771-2025, të datës 10.12.2025, ashtu që PRANOHET rekomandimi i Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 11.12.2025, CERTIFIKOHET lista e kandidatëve (33 kandidat) të subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025”, thuhet në vendim.

Image
PZAP-i vendos për motrën e Donika Kadaj Bujupit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik “Koalicija Vakat”, me të cilën kërkohej anulimi i vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe detyrimi i tij për të certifikuar kandidaten Ena Krasniqi në listën e këtij subjekti për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit 2025.

Çka kërkonte ankesa dhe çfarë vendosi PZAP

Sipas vendimit, ankesa e “Koalicija Vakat” ishte paraqitur kundër vendimit të KQZ-së me të cilin ishte refuzuar certifikimi i kandidates në fjalë, ndonëse Zyra për Certifikimin e Partive Politike kishte rekomanduar certifikimin e listës. PZAP, në seancën e mbajtur më 13.12.2025, e ka refuzuar ankesën, duke e konsideruar vendimin e KQZ-së të ligjshëm dhe të arsyetuar.

Në arsyetim, PZAP e vendos çështjen në kontekstin kushtetues dhe ligjor të vendeve të garantuara/rezervuara për komunitetet jo-shumicë. Kuvendi ka 120 ulëse, ndërsa 20 prej tyre janë të garantuara për komunitetet jo-shumicë; me ndarje ku përmenden, ndër të tjera, ulëse të garantuara për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera (përfshirë edhe komunitetin boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran).

PZAP thekson se logjika e këtyre ulëseve nuk është formale, por substantive: përfaqësimi përmes vendeve të rezervuara duhet të jetë real dhe efektiv, dhe kandidatët që synojnë këto vende duhet të kenë “lidhje objektive” me komunitetin përkatës, e cila mund të shprehet përmes elementeve si përkatësia etnike, përdorimi i gjuhës, identiteti kulturor apo angazhimi publik brenda komunitetit.

Pse u rrëzua ankesa

Sipas vendimit, KQZ kishte certifikuar 42 nga 43 kandidatët e listës, ndërsa kishte refuzuar vetëm kandidaten Ena Krasniqi, me arsyetimin se kishte pamundësi verifikimi të përkatësisë etnike për kontekstin e garimit në vendet e garantuara. PZAP vlerëson se, në rrethanat e rastit, kandidatja nuk ka paraqitur prova që të dëshmojnë ekzistimin e lidhjes objektive me komunitetin përkatës, çka e bën të justifikueshëm refuzimin e certifikimit në këtë format.

Po ashtu, vendimi trajton edhe dimensionin e së drejtës për t’u zgjedhur, duke theksuar se ajo nuk është e pakufizuar, por ushtrohet brenda kushteve që përcakton Kushtetuta dhe ligji; në këtë rast, kufizimi lidhet me natyrën specifike të listave që synojnë vendet e rezervuara dhe me nevojën për të ruajtur integritetin e këtij mekanizmi përfaqësimi.

“PZAP vlerëson se nga shkresat e lëndës rezulton se, me rastin e aplikimit për certifikim, si dhe më pas përmes ankesës para PZAP-it, kandidatja Ena Krasniqi nuk ka paraqitur asnjë provë që do të dëshmonte ekzistimin e lidhjes objektive me komunitetin boshnjak, në veçanti lidhjen e përkatësisë etnike, pa përjashtuar elemente të tjera si gjuha apo identiteti kulturor. Po ashtu, kandidatja nuk ka ofruar argumente që do të kundërshtonin pretendimin se në zgjedhjet lokale të vitit 2009 ka marrë pjesë si kandidate në listën e një subjekti politik të komunitetit shumicë.” – thuhet ndër të tjera në vendim.