11.9 C
Pristina
E premte, 24 Tetor, 2025

“Para se Zemaj ta sulmonte qytetarin ia ofendoi edhe nënën e gruan”

Avokati Liridon Kutllovci ka reaguar pas një incidenti që, sipas tij, ka ndodhur sot mes klientit të tij dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj. Në një deklaratë publike, Kutllovci ka bërë të ditur se deputeti ka ushtruar dhunë fizike ndaj qytetarit që ai përfaqëson.

Sipas versionit të avokatit, ngjarja ka ndodhur gjatë një interviste publike të deputetit Zemaj. Klienti i tij, i cili po kalonte pranë bashkë me bashkëshorten, i është drejtuar deputetit me fjalët: “Të gjithë jeni njësoj, vetëm gënjeni”, duke shprehur, siç thuhet në deklaratë, frustrimin qytetar ndaj gjendjes politike e ekonomike në vend.

Në vend që të ruante qetësinë, deputeti Zemaj, sipas Kutllovcit, është kthyer me fjalë fyese, duke i thënë qytetarit: “Gënjen nëna dhe gruaja juaj”, fjalë që, sipas avokatit, janë shqiptuar në prani të bashkëshortes së qytetarit.

Pas pak sekondash, deputeti Zemaj e ka goditur me grusht klientin e tij, “pa asnjë provokim tjetër nga ana e tij”, thuhet në deklaratë. Klienti i Kutllovcit, sipas avokatit, nuk është kundërpërgjigjur me dhunë, por ka reaguar duke njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës.

“Ky akt përbën sjellje të papranueshme dhe të dënueshme ligjërisht, veçanërisht kur vjen nga një deputet që ka për detyrë të japë shembull qytetarie dhe respekti ndaj ligjit,” thuhet ndër të tjera në reagimin e avokatit.

Kutllovci ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore që, sipas tij, rasti të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që “dinjiteti i qytetarit të mbrohet plotësisht”.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here