Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar të premten se vendi i tij është i gatshëm të marrë pjesë në operacione për mbrojtjen e Izraelit, nëse ky i fundit sulmohet nga Irani, duke theksuar se çdo përfshirje do të varet nga zhvillimet në terren.

“Ne mbështesim sigurinë e Izraelit dhe, nëse Izraeli sulmohet, Franca do të marrë pjesë në operacionet mbrojtëse të tij”, u shpreh Macron, sipas raportimeve të gazetës Le Monde.

Megjithatë, presidenti francez theksoi se prioriteti i Francës mbetet zgjidhja diplomatike e krizave, duke bërë të qartë se nuk ka qenë pjesë e sulmeve ajrore të fundit të kryera nga Izraeli.

“Ne nuk e morëm këtë vendim së bashku me Izraelin. I kam ofruar Izraelit gatishmërinë time për ndihmë, por në asnjë mënyrë nuk kam ndërmend të marr pjesë në ndonjë operacion ofensiv,” shtoi ai.