Presidentja sjell lajmin e shumëpritur: një shtet i ri njeh Kosovën

Bahamas e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njoftoi se në kryeqytetin e Bahamas është nënshkruar marrëveshja dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

“Edhe një vendim historik për vendin tonë. Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë”, ka deklaruar Presidentja Osmani.

Sipas saj, marrëveshja për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në deklaratën e përbashkët, Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës riafirmojnë përkushtimin ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Dy shtetet shprehin synimin për të zhvilluar bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët, si konsultimet politike, tregtia dhe investimet, turizmi, arsimi dhe kultura, teknologjia dhe inovacioni, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve.

Në deklaratë thuhet se Bahamas dhe Kosova mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, që do t’u shërbejë interesave të të dy popujve dhe do të kontribuojë në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *