Prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, i kanë propozuar Gjykatës që kryeministri në detyrë Albin Kurti të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor lidhur me skandalin e rezervës shtetërore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar t’i përgjigjej çdo ftese për të dëshmuar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë (PSRK) lidhur me rastin “Rezervat shtetërore”.
Kurti ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, duke qenë se kishte nënshkruar dy vendime që lidhen me ndarjen e mjeteve buxhetore për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit dhe përjashtimin nga procedura e prokurimit publik, thuhet në aktakuzën e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”.
“Për ta siguruar dëshminë e dëshmitarit Kurti në këtë çështje penale, prokuroria i ka dërguar atij 3 thirrje të rregullta, e para më datë 11.12.2024 për t’u paraqitur në prokurori më datë 16.12.2024, ora 09:30, e dyta me datë 16.12.2024, për t’u paraqitur në prokurori nga datat 17-20.12.2024, ora 09-16:00, dhe thirrja e tretë, me datë 23.12.2024, për t’u paraqitur në prokurori, me datë 26.12.2024, ora 08:30. Në të tri thirrjet, dëshmitari ka gjetur arsye të ndryshme, për të mos u paraqitur në prokurori, për të cilat është njoftuar në kohë edhe gjykata”, thuhet në sqarimet e aktakuzës.
Por, prokurorët specialë i ishin drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për lëshimin e urdhrit për paraqitjen e dëshmitarit me detyrim dy herë radhazi, të cilat ishin miratuar nga ana e gjykatës.
Mirëpo, Kurti sërish nuk i ishte përgjigjur as këtyre ftesave. Në anën tjetër, bazuar në mospërgjigjen e ftesës së parë me detyrim, gjykata kishte shqiptuar gjobë ndaj kryeministrit Kurti.
“Më datë 13 mars 2025, dëshmitari Albin Kurti kishte parashtruar ankesë ndaj Vendimit të gjykatës për shqiptimin e gjobës për shkak të mosparaqitjes në prokurori. Më datë 24 mars 2025, Kolegji penal i Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte nxjerrë aktvendim me të cilin ishte refuzuar ankesa e dëshmitarit ndaj vendimit për shqiptimin e gjobës për shkak të mosparaqitjes në prokurori sipas urdhëresës së gjykatës”, thuhet në aktakuzë.
Duke u bazuar në këtë, prokurorët specialë Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi i kanë propozuar gjykatës që kryeministri Kurti të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor.
Për rastin e “Rezervave shtetërore”, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj ish-zëvendëssekretarit të MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristi Ridvan Muharremi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.
“Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.
“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftim.
Pas ngritjes së aktakuzës, Hajdari ka thënë se ndihet krenare për punën në ministri.
“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022″, ka shkruar ajo.




