PZAP-i vendos për motrën e Donika Kadaj Bujupit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik “Koalicija Vakat”, me të cilën kërkohej anulimi i vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe detyrimi i tij për të certifikuar kandidaten Ena Krasniqi në listën e këtij subjekti për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit 2025.

Çka kërkonte ankesa dhe çfarë vendosi PZAP

Sipas vendimit, ankesa e “Koalicija Vakat” ishte paraqitur kundër vendimit të KQZ-së me të cilin ishte refuzuar certifikimi i kandidates në fjalë, ndonëse Zyra për Certifikimin e Partive Politike kishte rekomanduar certifikimin e listës. PZAP, në seancën e mbajtur më 13.12.2025, e ka refuzuar ankesën, duke e konsideruar vendimin e KQZ-së të ligjshëm dhe të arsyetuar.

Në arsyetim, PZAP e vendos çështjen në kontekstin kushtetues dhe ligjor të vendeve të garantuara/rezervuara për komunitetet jo-shumicë. Kuvendi ka 120 ulëse, ndërsa 20 prej tyre janë të garantuara për komunitetet jo-shumicë; me ndarje ku përmenden, ndër të tjera, ulëse të garantuara për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera (përfshirë edhe komunitetin boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran).

PZAP thekson se logjika e këtyre ulëseve nuk është formale, por substantive: përfaqësimi përmes vendeve të rezervuara duhet të jetë real dhe efektiv, dhe kandidatët që synojnë këto vende duhet të kenë “lidhje objektive” me komunitetin përkatës, e cila mund të shprehet përmes elementeve si përkatësia etnike, përdorimi i gjuhës, identiteti kulturor apo angazhimi publik brenda komunitetit.

Pse u rrëzua ankesa

Sipas vendimit, KQZ kishte certifikuar 42 nga 43 kandidatët e listës, ndërsa kishte refuzuar vetëm kandidaten Ena Krasniqi, me arsyetimin se kishte pamundësi verifikimi të përkatësisë etnike për kontekstin e garimit në vendet e garantuara. PZAP vlerëson se, në rrethanat e rastit, kandidatja nuk ka paraqitur prova që të dëshmojnë ekzistimin e lidhjes objektive me komunitetin përkatës, çka e bën të justifikueshëm refuzimin e certifikimit në këtë format.

Po ashtu, vendimi trajton edhe dimensionin e së drejtës për t’u zgjedhur, duke theksuar se ajo nuk është e pakufizuar, por ushtrohet brenda kushteve që përcakton Kushtetuta dhe ligji; në këtë rast, kufizimi lidhet me natyrën specifike të listave që synojnë vendet e rezervuara dhe me nevojën për të ruajtur integritetin e këtij mekanizmi përfaqësimi.

“PZAP vlerëson se nga shkresat e lëndës rezulton se, me rastin e aplikimit për certifikim, si dhe më pas përmes ankesës para PZAP-it, kandidatja Ena Krasniqi nuk ka paraqitur asnjë provë që do të dëshmonte ekzistimin e lidhjes objektive me komunitetin boshnjak, në veçanti lidhjen e përkatësisë etnike, pa përjashtuar elemente të tjera si gjuha apo identiteti kulturor. Po ashtu, kandidatja nuk ka ofruar argumente që do të kundërshtonin pretendimin se në zgjedhjet lokale të vitit 2009 ka marrë pjesë si kandidate në listën e një subjekti politik të komunitetit shumicë.” – thuhet ndër të tjera në vendim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *