PZAP vendos, a do të ketë rivotim në Mitrovicë?

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkonte përsëritje të procesit zgjedhor dhe rivotim në Komunën e Mitrovicës së Jugut, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025.

Në vendimin e publikuar të premten, PZAP ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të pretendimeve të PDK-së dhe përgjigjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk ka gjetur bazë ligjore që procesi të shpallet i pavlefshëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, me të cilën është kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), brenda afatit ligjor, të urdhërohet të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës së Jugut duke organizuar rivotim, në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Në vendim thuhet gjithashtu se Paneli ka hedhur poshtë pretendimin për të ashtuquajturin “tren bullgar”, duke theksuar se nuk është gjetur asnjë provë që vërteton manipulime të tilla.

Pretendimet e PDK-së

PDK kishte dorëzuar një ankesë më 11 nëntor, ku ngrinte dyshime për: përzierje të fletëvotimeve mes vendvotimeve të ndryshme; fletëvotime të pavulosura ose të vulosura dy herë (“tren bullgar”); mos-përputhje mes kodit të vendvotimit dhe fletëvotimit; rritje të pazakontë të daljes në votime në balotazh; presion ndaj qytetarëve ditën e votimit.

Sipas PDK-së, këto parregullsi “cenonin integritetin e procesit zgjedhor”, duke kërkuar rivotim të plotë në komunë.

PZAP vlerësoi se: shkeljet e raportuara janë rezultat i një defekti teknik të operatorit ekonomik; gabimet janë të izoluara dhe nuk ndikojnë vullnetin e përgjithshëm të zgjedhësve; nuk ekziston bazë ligjore për rivotim në tërë komunën; procesi i numërimit dhe administrimi i fletëvotimeve përputhet me të gjitha regjistrat zyrtarë./Reporteri.net/