Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte thënë se nuk jep buxhet për kryetarët e komunave nga partitë e tjera.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka quajtur këtë deklaratë “skandaloze” dhe ka pyetur: “Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt ‘s’e jep’? Të popullit që e mban këtë shtet me tatime, punë dhe durim, apo të partisë që e ke shndërru në pronë private?”
Ai ka shtuar se deklarata e Kurtit tregon një “tendencë shkatërruese të shtetësisë dhe përçarje të popullit” dhe ka paralajmëruar se përdorimi i buxhetit për ndëshkimin e komunave që nuk janë me pushtetin është një shkelje e parimeve demokratike.
“Buxheti i shtetit nuk është shpërblim as ndëshkim, është detyrim kushtetues! Në demokraci, kush e përdor paranë publike për të ndëshkuar kundërshtarët, është autokrat që fshihet pas fjalëve ‘populliste’”, ka shkruar Rama.
Ai ka kritikuar gjithashtu arrogancën dhe servilizmin që sipas tij rrethojnë Kurtin: “Ata që i ke pranë servilët dhe të padijshmit që ta ushqejnë egon përditë ndoshta ta kanë krijuar përshtypjen se je figurë superiore, i pazëvendësueshëm, mbi ligjin dhe mbi kushtetutën. Por nuk je!”, ka shtuar tutje Rama.
Kryetari i Prishtinës ka theksuar se Kosova është shtet demokratik dhe i është drejtuar Kurtit:
“Këtë duhet ta mbash mend ti dhe ata që i ke afër. Me këtë tendencë shkatërruese të shtetësisë dhe me këtë përçarje të popullit, nuk do të jesh më kryeministër”, ka shkruar Rama.




