Reagon PDK-ja pasi PZAP-ja refuzoi rivotimin në Mitrovicë, paralajmërojnë këtë veprim

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi ankesën e saj lidhur me parregullsitë e pretenduara gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Mitrovicës së Jugut.

Në reagimin e saj, PDK është shprehur thellësisht e zhgënjyer me vendimin, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të shkëputur nga realiteti i situatës në terren.

“E konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në faktet reale. PDK ka paraqitur dëshmi, prova dhe dokumente që qartë tregojnë se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike”, thuhet në reagim.

Partia thekson se nuk do të ndalet dhe do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

“Hapi ynë i radhës është dërgimi i ankesës në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, si instanca e fundit që mund të garantojë drejtësi dhe transparencë të plotë në këtë proces”, ka njoftuar PDK.

Në fund të reagimit, partia thekson se do të vazhdojë betejën ligjore deri në fund, duke mbrojtur, siç thotë ajo, votën e lirë dhe të pastër të qytetarëve të Mitrovicës.

“Ne jemi dhe mbetemi në mbrojtje të votës së lirë, të drejtë dhe të ndershme të qytetarëve. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit dhe të vullnetit të qytetarëve. Drejtësia do të vijë”, përfundon reagimi i PDK-së.