25.6 C
Pristina
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Refuzoi të pranojë gjobën, polici e godet disa herë me grushta qytetarin në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit policor Remzi Pulaj, i cili dyshohet për keqtrajtim të një qytetari gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lëndim të rëndë trupor.

Seanca dëgjimore në të cilën pritet të vendoset lidhur me masën e sigurisë, mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prizren.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 14 qershor 2025 rreth orës 21:35 në orën 21:35 në Prizren, tek një kafene, i dyshuari Remzi Pulaj si zyrtar policor, duke keqpërdorur autorizimet e tij, e ka keqtrajtuar personin tjetër, derisa ishte me një zyrtar tjetër policor gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit S.F., i kanë shqiptuar gjobë të kundërvajtjes për shkak të parkimit të palejuar të veturës të cilën ia kanë vendosur tek xhami i veturës, e në ato momente ka dalë i dëmtuari i cili ka qenë brenda kafenesë, duke e hedhur gjobën e kundërvajtjes në tokë. Pas kësaj, thuhet se zyrtari policor Remzi Pulaj së bashku me kolegun e tij, duke e parë gjobën e hedhur, të dëmtuarit i kanë dhënë urdhër verbal që t’i prezantojë dokumentet e idenfikimit, mirëpo ai nuk i është bindur urdhrit të tyre.

Me këtë, thuhet se zyrtarët policorë kishin filluar ta arrestojnë të dëmtuarin, mirëpo ai përsëri nuk ka lejuar ta arrestojnë dhe se gjatë përpjekjes për ta arrestuar, në një moment i pandehuri të dëmtuarit ia ka vënë këmbën, ndërsa kolegu i tij me të dëmtuarin ishin rrëzuar në tokë, duke rënë mbi të dëmtuarin dhe aty në pozitën e shtrirë përtokë e në tentim për ta vënë nën kontroll, i pandehuri të dëmtuarin disa herë e ka goditur me grushte në kokë, tek syri dhe pjesën e veshit të majtë.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195, paragrafi 1 të Kodit Penal.

 

 

Gjithnjë sipas Prokurorisë, me datë, kohë dhe vend si në pikën e parë të këtij dispozitivi, i pandehuri i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore personit tjetër, në atë mënyrë që i pandehuri Remzi Pulaj të dëmtuarin S.F., disa herë e ka goditur me grushte në kokë, sy dhe pjesën e veshit të majtë. Si pasojë, të dëmtuarit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 1 të Kodit Penal.

 

 

Prokuroria vlerëson se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, pasi me lirimin e tij, i pandehuri mund të ndikojë tek kolegu i tij (në dëshminë e tij), i cili është dëshmitar okular. Po ashtu, thuhet se duhet të merret parasysh faktin se vepra është kryer nga një zyrtar policor.

Po ashtu, Prokuroria vlerëson se duhet të merret parasysh pesha dhe natyra e veprës penale, si dhe pasoja e saj- gjendja e të dëmtuarit që nuk është stabile.

 

 

Sipas Prokurorisë, masat e tjera alternative për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale janë të pamjaftueshme, andaj propozon caktimin e masës së paraburgimit.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here