Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar se do ta shtojë mbikëqyrjen në sektorin e derivateve të naftës, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
Ky veprim i MINT erdhi pas raportimeve për rritjen e çmimit të naftës, pasi SHBA sulmoi Iranin, i cili po konfliktuohet me Izraelin.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorit, rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konkurrencës, si dhe menjanimin e çrregullimeve në treg, përmes inspektimeve të tregut dhe rregullimit të çmimeve të produkteve të naftës.
Në këtë qëllim, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka intensifikuar inspektimet në terren, ndaj operatorëve ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës në të gjithë vendin, gjatë gjithë javës e madje edhe sot me katër (4) ekipe”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, sot do të sjell raportin përfundimtar të inspektimeve në terren ndaj operatorëve ekonomikë që merren me tregtimin e derivateve të naftës.
Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi apo mashtrim të mundshëm, përmes kanaleve tona të komunikimit: Duke telefonuar në numrin pa pagesë: 0800 11000 apo përmes e-mailit zyrtar, Email: konsumatori@rks-gov.net”, apelon ministria.