Autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrestim të shtunën ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës, lidhur me një incident që ndodhi një ditë më parë në veri të Kosovës, në zonën e banuar kryesisht nga komuniteti serb.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili deklaroi se “polici i Kosovës, Dylot Brahimi, do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për autoritetet serbe, pa afat kohor dhe sa herë që të jetë e mundur”.
Megjithatë, Serbia nuk ka juridiksion mbi territorin e Kosovës, që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, e cila është njohur nga mbi 100 vende anembanë botës.
Incidenti në Mitrovicën e Veriut, më 23 maj, ka shkaktuar reagime të shumta, kryesisht për shkak të reagimit të pjesëtarit të Policisë së Kosovës që ishte në vendngjarje.
Ky polic është kritikuar për veprime të “selektive” dhe për përdorim të “forcës së tepruar”, pasi ndaloi një maturant serb gjatë festës së maturantëve në Mitrovicën e Veriut, për shkak se, sipas raporteve, ai kishte provokuar disa persona në një kafene pranë.