Serbia në prag të humnerës, ja çka paralajmëroi Vuçiq
Pasojat e mbylljes së rafinerisë së vetme të naftës në Serbi mund të ndihen për vite me radhë, sepse do të rrezikojnë mijëra vende pune dhe buxhetin shtetëror, dhe do ta ekspozonin vendin ndaj sanksioneve të mëtejshme, thanë ekspertët për AFP, shkruan gazeta kroate “Jutarnji List”.
Rafineria e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) nuk mund të marrë naftë të papërpunuar nga 9 tetori, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione kundër pronarëve kryesorë të kompanisë nga Rusia, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Uashingtoni kërkon largimin e plotë të aksionarëve rusë nga kompania, por negociatat për një shitje të mundshme janë zvarritur, për shkak të të cilave kompania u detyrua të mbyllë rafinerinë të martën, transmeton Paparaci.
“Çdo reduktim i aktivitetit të saj do të ketë një efekt të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik të përgjithshëm”, ka thënë profesori i ekonomisë dhe ish-guvernatori i bankës qendrore serbe, Dejan Shoshkiq, për AFP.”
“Mbyllja e rafinerisë mund të ulë zhvillimin ekonomik për vitet e ardhshme”, ka paralajmëruar ai.
Humbja e rafinerisë, e cila siguron 80 për qind të nevojave për karburant të Serbisë, do të nënkuptonte gjithashtu një rritje të madhe të importit për të kompensuar mungesën.
Kompania energjetike hungareze MOL ka pranuar muajin e kaluar të rrisin sasinë e furnizimit të naftës në Serbi, por ekspertët paralajmëruan se mbështetja në importin e karburantit është një zgjidhje e shtrenjtë dhe zgjidhje jo praktike.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se kompania do të ketë qasje në sistemet e pagesave në vend të paktën deri në fundjavë, për të paguar pagat dhe për t’u rregulluar me furnitorët.
Çfarë do të ndodhë pas kësaj periudhe, Vuçiq nuk e sqaroi, përcjell Paparaci.
Megjithatë, ai ka thënë se biznesi me një kompani ndaj së cilës janë vendosur sanksione mund të çojë në shkatërrimin e plotë të sistemit financiar të Serbisë nëse Uashingtoni gjithashtu vendos sanksione ndaj bankës qendrore.
Shoshkiqi ka thënë se kjo do ta vendoste bankën në ”listën e zezë” dhe se kjo do të shënonte fundin e kushteve normale të biznesit në vend.
Gjithashtu, kjo do të çonte në ngrirjen e fondeve shtetërore jashtë vendit dhe përjashtimin nga tregjet globale, gjë që do të kufizonte ndjeshëm funksionimin e bankës.
NIS dhe degët e saj kanë sjell mbi dy miliardë euro në arkën shtetërore vitin e kaluar, sipas raportit vjetor të kompanisë, që është pothuajse 12 për qind e buxhetit shtetëror.
Përveç rafinerisë së naftës, kompania zotëron rreth një të pestën e pikave të karburantit dhe përshkruhet si një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Serbi me mbi 13.500 punonjës.
“Mbyllja e rafinerisë me gjasë do të çojë në humbje të vendeve të punës, ndërsa humbja e qasjes në sistemin serb të pagesave do të thotë se kompania nuk do të mund të marrë ose të dërgojë para lirisht”, ka thënë Shoshkiqi.
“Kjo do të nënkuptonte gjithashtu se pikat e tyre të karburantit do të duhet të mbyllen”, ka paralajmëruar eksperti i energjisë, Zhelko Markoviq.
Përveç NIS-it, kompania ruse Lukoil, e cila gjithashtu është nën sanksione amerikane, ka pak më shumë se 100 pika karburanti në Serbi.
Licenca e saj për veprimtari skadon më 13 dhjetor dhe nuk ka shenja se do të rinovohet.
Markoviqi tha se këto dy situata mund të çojnë në mbylljen e pothuajse një të tretës së të gjitha pikave të karburantit në vend./Paparaci.com
