“SHBA dhe BE e duan një Qeveri pa Kurtin”
Një varg veprimesh të Qeverisë në detyrë dhe zyrtarëve të LVV-së së fundmi, sulmet ndaj mediave dhe mos certifikimi i Listës Serbe ngjallën reagime të ashpra të faktorit ndërkombëtar. SHBA dhe BE i cilësuan veprime që minojnë stabilitetin e Kosovës dhe të ardhmen e saj integruese. Analistët politikë thonë se këto qëndrime të aleatëve ndërkombëtarë përbëjnë një sinjal serioz, i cili duhet të trajtohet me kujdes nga institucionet e vendit.
Profesori, Jeton Kelmendi, vlerëson se reagimet e faktorit ndërkombëtar nëkuptojnë se ata po kërkojnë që në të ardhmen të ketë një Qeveri pa LVV-në.
‘’Ajo që ideale do të ishte, bazuar edhe në raportet e fundit që kemi me SHBA-të që Kosova të ndërtojë një Qeveri pa LVV-në. Sepse kemi parë reagimet nuk janë më siç i bëjnë diplomatët reagimet e balancuara, ishin shumë të hapur kishim reagimin e SHBA-së e cila emëron fajtorin kryesor LVV-në”, tha Kelmendi për RTV21.
Profesori i shkencave politike, Basri Muja, vlerëson se Lista Serbe nuk duhet ta ketë vendin në Parlamentin e Kosovës për shkak të qasjes dhe veprimeve të saj kundër Kosovës. Por, sipas tij, këtë nuk e vendos KQZ-ja por institucionet e drejtësisë. Ndërsa, reagimet e faktorit ndërkombëtar profesori Muja i sheh me shqetësim, megjthatë mendon se nuk do të ndikojnë në përbërjen e formimit të Qeverisë së re.
“Unë nuk mendoj se kjo do të ketë reflektim në formimin e Qeverisë së ardhshme. Mendoj se Qeveria e re do të varët prej numrave të cilët do të dalin nga zgjedhjet. Nuk do të jetë lehtë sepse këto zgjedhje do të prodhojnë shumica të cilat kanë me qenë në gjendje që me zgjedhë përveç Qeverisë edhe presidentin e ri.”, tha Muja për RTV21.
Të dy profesorët Kelmendi dhe Muja e parashikojnë situatë sfiduese për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve. Kjo sipas tyre varet nga rezultati i zgjedhjeve dhe mundësia për të gjetur kompromis për ndarjen e pushtetit duke përfshirë edhe atë të presidentit. Prandaj presin një koalicion të madh paszgjedhor.
‘’Pozita e presidentit e detekton një koalicion të madh sepse duhen të jenë 80 vota. Partitë e deri djeshme do t’i kenë 61 vota, por çështja është më serioze sepse në fillim të marsit duhet edhe zgjedhja e presidentit dhe këtu ështëproblemi spese Albin Kurti do të tentojë që të prolongojë me ankesa që t’i çojë në pako që së paku të merr diçka në pushtet”, u shpreh Kelmendi.
“Përcaktuese do të jetë nëse ndonjëra prej partive do të fitojë 40 ulëse në Kuvend sepse ajo parti do ta ketë mundësinë e bllokadës për zgjedhjen e presidentit të ri. Mendoj se partitë do ta tejkalojnë vetën dhe do të kemi një koalicion të madh në mes të parës dhe të dytës sepse duhen 80 vota.”, u shpreh Muja.
Partitë politike shqiptare nuk kanë preferuar që të ketë koalicion të madh parazgjedhor. Ndërkohë, pas zgjedhjeve PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në. Kjo e fundit ka thënë se është e hapur për bashkëpunime paszgjedhore./RTV21/21Media
