Shpërthen virusi i rrezikshëm në Britani, mbyllen disa shkolla, bëhet thirrje për rikthimin e maskave
Një numër i madh nxënësish dhe stafi janë duke munguar në një numër të madh shkollash në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të shpërthimeve të gripit dhe viruseve të tjera, duke mbyllur shumë prej tyre përkohësisht.
Drejtuesit e shkollave pohojnë se situata po ngjason me periudhën e pandemisë Covid-19.
Një nga rastet më të prekura është St Martin’s në Caerphilly, Uellsi, ku më shumë se 250 nxënës dhe mësues u sëmurën, duke u rikthyer te mësimi online. Simptomat përfshijnë të vjella, diarre, temperaturë të lartë, kollë dhe lodhje, me një periudhë rikuperimi prej rreth shtatë ditësh.
Daily Mail raporton se në County Londonderry, 170 nxënës munguan në një ditë për shkak të sëmundjeve të ndryshme. Shkollat britanike po përballen me një grip të veçantë, i njohur si H3N2 “supergripi”, që po përhapet më shpejt dhe shkakton simptoma më të rënda. Londra ka trefishuar numrin e pacientëve të shtruar me grip krahasuar me vitin e kaluar, shkruan A2 CNN
Autoritetet shëndetësore po rekomandojnë përdorimin e maskave për të reduktuar përhapjen e virusit, ndërsa NHS paralajmëron për një valë të madhe infeksionesh dhe shtim të ndjeshëm të numrit të të shtruarve në spital.
Gjithashtu, rreth 100 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi të një anijeje janë prekur nga norovirusi gjatë një udhëtimi nëpër botë. Kjo situatë po shkakton shqetësim të madh në Britani, ku autoritetet paralajmërojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në shtëpi nëse shfaqin simptoma./Indeksonline/
