Shqiprim Arifi i bën ftesë publikisht Albin Kurtit: “Baba” juaj të dal në debat me mua ku të dojë dhe kur të dojë
Kryetari Shqiprim Arifi, ka publikuar një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ku ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit që ai e quan “Baba” i kësaj partie, duke e akuzuar për qasje autoritare dhe për izolimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Arifi ka kujtuar se, sipas tij, për herë të parë ishte pozicionuar ndryshe ndaj VV-së në vitin 2017, kur siç thotë ai kishte vërejtur “qasje destruktive, diktatoriale dhe imponuese”.
Ai shton se që nga ajo kohë ishte përballur me “kërcënime, sharje dhe komente banale”, sidomos pas pretendimit të tij se “Baba i VV-së është non-grata në SHBA”.
Postimi i plotë:
Ofertë publike për “Babën” e VV-së!
Gjatë vitit 2017, për herë të parë jam pozicionuar NDRYSHE në drejtim të VV-së, pasi atë kohë hasëm në një qasje përveç destruktive e diktatoriale, poashtu dhe imponuese (siç vërehet qartësisht sot tek pushteti aktual në Preshevë – i nënshtruar ndaj VV-së).
Që atëherë, më kanë vërshuar kërcënimet dhe sharjet banale, me komente të ulëta në faqen time, apo në faqet e mediave anembanë shqiptarëve. Sidoqoftë, ndër të parët ju solla informacione në raport me aleatin tonë historik SHBA, se “Babai” i VV-së është “Non-Grata” në Amerikë, me ç`rast jam kërcënuar e sharë në gjitha mënyrat. Tani askush nuk ka dyshim se atë që e bëra publik vite më parë është faktike, sepse “Baba” është izoluar si askush më parë dhe ka izoluar Republikën e Kosovës si kurrë më parë në qarkun diplomatik, e sidomos atë të SHBA-së. I paprecedentë është një konsensus i demokratëve dhe republikanëve të SHBA-së se “Baba” është duke sharruar Republikën drejtë humnerës së iluzioneve dhe eksperimenteve të tij patologjike.
Falë qasjes suaj të pa rezervë, “Baba” juaj ka filluar të ndjehet superior dhe i pakonkurrent, besa mendjemadh edhe arrogant, duke i ikur çdokujt që mendon ndryshe nga ai, veçanërisht mediave që tanimë në baza ditore kanë material që e shpërfaqin në mënyrë të qartë keqqerverisjen e keqpërdorimet në pushtet. Tani ka pesë vite pushtet absolut, zotëron pothuajse të gjitha institucionet publike e gjysëm publike. Por, ja që ai bashkë me kukavajkat e tij ditë e natë ankohet se nuk po mundet të punojë, “sepse Kosovën në 20 vitet e fundit e paskan rrënuar të tjerët”, ndërkohë Kosova për 20 vite doli e djegur nga lufta dhe kaloi nëpër proceset më të rëndësishme shtetndërtuese, duke kulminuar me shpalljen e pavarësisë, të cilën i ashtuquajturi “Baba” e kundërshtoi.
“Baba” kurrë në jetë nuk ka punuar për të mbajtur familjen sikurse 2 milion shqiptarë të tjerë në Kosovë, kurse përnjëherë i ra në hise që t’i “menaxhoj” rreth 25 miliardë Euro të Buxhetit të Kosovës, të cilat kryesisht rrëshqitën drejt xhepave të klikës së tij. Shihet qartë se është peng i botës paralele ku jeton ai dhe mendja e tij e “ndritur”.
Prandaj, sot vi me një ofertë publike:
Ju kritikues, opinionistë, militantë, të papunë, kafexhinj, komunistë, ateistë, analfabetë, spiuna e UDB-asha, pseudopolitikanë, e të tjerë, ftojeni “Babën” tuaj të dalë në debat publik me mua, ku të dojë dhe kur të dojë!
