Thirrjet “serbia serbia” dhe “Kosova është serbi”, merret vendimi për ndeshjen Rumani-Kosovë

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka lënë në fuqi vendimin e UEFA-s për ta regjistruar me humbje zyrtare 3-0 ndeshjen e ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës, e zhvilluar më 15 nëntor 2024 në kuadër të Ligës së Kombeve. Sipas CAS-it, largimi i futbollistëve kosovarë nga fusha në minutën e 90-të pas thirrjeve “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi” përbën vendim të njëanshëm që solli ndërprerjen e takimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Në dokumentin 18-faqësh të publikuar nga “Gazeta Sporturilor”, paraqiten dëshmi të delegatit të UEFA-s, Milovan Gjukanoviq, sipas të cilit dëgjoi vetëm thirrjet “Serbia, Serbia”, por jo ato që përmendnin drejtpërdrejt Kosovën. Ai shtoi se iu kërkua lojtarëve të Kosovës të ktheheshin, por ata vendosën përfundimisht të mos vazhdonin ndeshjen, edhe pas përpjekjeve për ndërmjetësim.

Trajneri Franco Foda dëshmoi se ekipi ishte gati të kthehej në fushë, por ndryshoi qëndrim pasi në dhomat e zhveshjes u paraqitën incizime ku dëgjoheshin thirrje “Kosova është Serbi”. Sipas tij, për lojtarët, këto ishin shprehje të qarta të diskriminimit dhe mohimit të identitetit kombëtar.

 

 

CAS theksoi se përgjegjësia për ndërprerjen i takon Kosovës, duke mos parë veprim të mjaftueshëm të gjyqtarit për ndërprerje zyrtare. Si rrjedhojë, Rumanisë i njihet fitorja në tavolinë, ndërsa Federata Rumune u gjobit me 128 mijë euro për sjellje të pahijshme të tifozëve. Federata e Kosovës u ndëshkua me 6.000 euro për braktisjen e fushës.

Shqipëria shpall listën për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Letonisë

Kombëtarja shqiptare ka zyrtarizuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Trajneri Silvinjo ka përzgjedhur 27 lojtarë për përballjet kundër Serbisë dhe Letonisë, që do të zhvillohen në muajin qershor.

 

Granit Xhaka e ka një lajm “bombë”, paralajmëron se do të ndodh diçka e madhe

Është një “bombë” që shpërthen gjatë ceremonisë së lamtumirës së Taulant Xhakës. E hedhur nga vëllai i tij, Graniti

Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës është njëri nga shumë ish-bashkëlojtarë që kishin ardhur në “Joggeli” për ndeshjen lamtumirëse të veteranit të Baselit.

Menjëherë pasi Taulanti del nga tuneli dhe ecën drejt qendrës së fushës mes duartrokitjeve të fuqishme, Graniti merr mikrofonin.

 

 

“Në emër të familjes Xhaka, dua t’i falënderoj lojtarët, stafin dhe gjithë klubin,” tha lojtari i Leverkusenit. Më pas, rekordmeni i paraqitjeve me Kombëtaren shtoi: “Mund t’ju premtoj një gjë: Një Xhaka po largohet, por tjetri do të kthehet së shpejti.”

Megjithatë, pavarësisht këtij premtimi, duket thuajse e pamundur që Graniti të rikthehet në klubin e tij të zemrës që këtë verë. Mesfushori ka kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2028, dhe drejtuesit e klubit gjerman kanë theksuar disa herë kohët e fundit se nuk kanë në plan ta largojnë atë gjatë kësaj vere — veçanërisht jo për një shumë që Basel do të mund ta përballonte.

Më e mundshme është që Xhaka ta përmbushë premtimin e tij për një ose dy vjet.

Vuçiq nxit tranjerin e serbisë: “Shko në Tiranë dhe fito!

Të shtunën mbrëma, në një tubim politik në qytetin e Nishit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përmendur edhe ndeshjen e ardhshme të futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, që zhvillohet më 7 qershor në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, shkruan Gazeta Sinjali.

Në prani të qindra qytetarëve dhe figurave të njohura, Vuçiq iu drejtua selektorit të Serbisë, Dragan Stojkoviq – i cili ishte i pranishëm në tubim – duke e përmendur ndeshjen ndaj Shqipërisë.

“Pak më parë e kam parë dhe tani po e shoh që është sërish këtu. Ju lutem një duartrokitje të madhe për selektorin e Serbisë, Dragan Stojkoviq – Piksi, legjendën e Nishit, që nuk është fshehur si shumë të tjerë dhe erdhi që të jetë sonte me ne. Në qershor apo korrik luan atje ndaj Shqipërisë, t’i mposhtësh ata”, ka thënë Vuçiq, shkruan mediumi serb “Sport Klub”.

Më herët gjatë së shtunës, Vuçiqi ka pasur edhe një takim me Stojkoviqin, i cili kishte ardhur në Nish për t’i dhënë përkrahje presidentit serb në tubimin e partisë së tij.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë pritet të jetë vendimtare për fatin e skuadrave në garën për vendin e dytë në grupin kualifikues.

Interes i jashtëzakonshëm për ndeshjen Shqipëri – Serbi!

Vetëm në 12 orët e para që nga hapja zyrtare për aplikimin e biletave Shqipëri – Serbi, ka pasur 200 mijë kërkesa nga 50 mijë aplikues.

Sipas Telesport, parashikohet që numri i aplikuesve të shkoj deri në 200 mijë, e që do të thotë kërkesë për 800 mijë bileta për një stadium me kapacitet 22 mijë ulësesh.

Atmosfera pritet të jetë si asnjëherë më parë për këtë përballje të jashtëzakonshme.

Dalin në shitje biletat për ndeshjën Shqipëri-Serbi, ja si mund t’i siguroni

Për të gjithë tifozët kuqezi që presin me padurim përballjen e shumëpritur Shqipëri–Serbi, tashmë janë hapur aplikimet për biletat online.

Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar se biletat për këtë supersfidë mund të rezervohen përmes platformës zyrtare ebileta.al dhe çdo person mund të aplikojë për maksimumi 4 bileta.

Ja çfarë duhet të bëni për të siguruar një vend në stadium:

1. Hyni në platformën ebileta.al

2. Zgjidhni eventin për ndeshjen Shqipëri–Serbi

3. Zgjidhni sektorin ku doni të uleni dhe më pas numrin e biletave (maksimumi 4 për përdorues)

4. Bëni log in me profilin tuaj ose krijoni një nëse nuk keni

5. Konfirmoni të dhënat tuaja personale

6. Vendosni emrat e personave në bileta dhe bëni “Booking Confirm”.

Afatet dhe procesi i përzgjedhjes:

Afati i aplikimeve do të zgjasë deri më 30 maj.

Pas mbylljes së aplikimeve, do të zhvillohet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike, përmes shortit elektronik.

Blerja dhe marrja e biletave:

Të përzgjedhurit do të marrin një link unik për të kryer pagesën online, gjatë periudhës 30 maj – 2 qershor 2025.

Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen automatikisht në adresën e regjistruar të e-mailit.

FSHF thekson se bileta mund të transferohet vetëm një herë. Çdo transferim i mëtejshëm do ta bëjë biletën të pavlefshme.

Eksperti heq dyshimet e El Clasicos: Katër momentet që ndezën debatin mes Barcelonës dhe Real Madridit

Përballja e shumëpritur mes Barcelonës dhe Real Madridit në “El Clasico” dhuroi si gjithmonë emocione të mëdha, gola spektakolarë dhe disa momente të diskutueshme.

Ish-gjyqtari Alfonso Pérez Burrull, në emisionin Marcador, analizoi situatat më të debatueshme të ndeshjes që u drejtua nga Alejandro Hernández Hernández.

Penalltia ndaj Mbappé dhe vendimi pas rishikimit me VAR

Momenti i parë i madh i tensionit ndodhi që në minutat e para. Në minutën e 2-të, portieri i Barcelonës, Szczesny, rrëzoi Kylian Mbappé brenda zonës, duke shkaktuar protesta të ashpra nga pankina katalanase.  Pas një rishikimi të gjatë për të verifikuar një pozicion të mundshëm jashtë loje, gjyqtari Hernández Hernández akordoi penallti.

“Një penallti e pastër. Portieri i Barcelonës vrapon drejt sulmuesit të Real Madridit dhe nuk ka pozicion jashtë loje,” tha Pérez Burrull. Mbappé realizoi penalltinë, duke shënuar golin e tij të 25-të në kampionat.

Barazimi dhe dyshimet për prekje me dorë nga Frenkie de Jong

Në minutën e 32-të, Barcelona barazoi rezultatin falë një aksioni të nisur nga Frenkie de Jong. Pamjet e përsëritura ngritën dyshime për një prekje të mundshme me dorë të mesfushorit holandez gjatë kontrollit të topit.

Sipas Burrullit, nuk kishte arsye për anulimin e golit: “Topi prek më shumë gjoksin sesa krahun. Nuk ka gabim të qartë e të dukshëm, prandaj VAR nuk ndërhyri dhe goli u pranua.”

Ndërhyrja e Tchouaméni ndaj Ferran Torres

Një tjetër moment i diskutueshëm ndodhi në minutën e 36-të, kur Aurélien Tchouaméni ndali Ferran Torres si mbrojtësi i fundit. Barcelona kërkoi karton të kuq, por gjyqtari dha vetëm një të verdhë.

“Ndërhyrja është për karton të verdhë. Ferran nuk kishte kontrollin e topit dhe aksioni nuk ishte një rast i qartë për gol”, sqaroi Burrull. VAR-i konfirmoi vendimin e gjyqtarit.

Prekja me dorë e Tchouaméni në zonë

Rasti i fundit i polemikave ndodhi në minutën e 81-të, kur një goditje e Ferran Torres u përplas në krahun e Tchouaménit. Tifozët e Barcelonës kërkuan penallti, por pas konsultimit me VAR-in, gjyqtari vendosi të mos e akordojë.

“Dora ishte në pozicion natyral, shumë afër goditjes dhe pa qëllim. Nuk është penallti,” përfundoi Burrull.

Image

Alfonso Pérez Burrull, i lindur në Comillas më 1965, ishte gjyqtar i La Ligës për më shumë se një dekadë. Ai debutoi në vitin 1997 dhe në 2007 fitoi çmimin si gjyqtari më i mirë i vitit.

Dramë në Lozanë: CAS flet për fatin e Kosovës pas ndeshjes së ndërprerë ndaj Rumanisë

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka marrë vendim kundër ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në lidhje me ndeshjen e ndërprerë ndaj Rumanisë në kuadër të Ligës së Kombeve, duke hedhur poshtë pretendimet e palës kosovare dhe duke konfirmuar qëndrimin e UEFA-s.

Kjo përballje, e zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar, u ndërpre kur Kombëtarja e Kosovës vendosi të largohej nga fusha si shenjë proteste ndaj thirrjeve me përmbajtje urrejtëse dhe antikombëtare nga tifozët rumunë.

FFK-ja më pas apeloi vendimin e UEFA-s për të ndëshkuar Kosovën me një gjobë prej 6 mijë eurosh dhe për ta mbajtur përgjegjëse për ndërprerjen e ndeshjes.

Reagimi i CAS-it:

“Një seancë dëgjimore u zhvillua në selinë e CAS në Lozanë më 24 mars 2025. Paneli shqyrtoi provat dhe arriti në përfundimin se lojtarët e Kosovës morën një vendim të njëanshëm për t’u larguar nga fusha në mungesë të një drejtimi të vlefshëm nga gjyqtari dhe ishin përgjegjës për zhvillimin e ndeshjes së braktisur.

 Paneli pranoi se vendimi i lojtarëve të Kosovës ishte marrë për shkak të disa brohoritjeve dhe megjithëse janë të papranueshme, dhe subjekt i sanksioneve të tjera nga UEFA, ato nuk mund të justifikojnë braktisjen e fushës nga kombëtarja e Kosovës.

 I takonte gjyqtarit të vendoste për hapat që do të merren. Për më tepër, Paneli vuri në dukje se lojtarët e Kosovës qartazi refuzuan të ndiqnin udhëzimet e gjqytarit që të kthehen në fushë dhe të vazhdojnë ndeshjen.

Paneli vendosi që FFK-ja, jo RFF-ja, ishte përgjegjëse për mospërfundimin e ndeshjes. Hudhet ankesa e FFK-së dhe vërtetohet vendimi i kontestuar”, thuhej në vendimin e CAS.

E trishtë: Ndërron jetë njëri nga tifozët më të flaktë të “Dardanëve”

Ka vdekur Korab Vllasa, njëri prej tifozëve më të zjarrtë i “Dardanëve”, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur miku i tij, Lik Berisha.

“Korabi ishte gjithmonë me ne – në çdo aktivitet, në çdo organizim – pjesë e pandashme e familjes sonë. Ai do të mbetet përherë në zemrat tona dhe kujtimi i tij do të na shoqërojë deri në takimin tonë të radhës”, ka shkruar ai në faqen e tij në Facebook.

Magjia e Anfield: Tifozët e Liverpoolit, forca që dridhi tokën

Tifozët e Liverpool-it, që festuan fitoren historike të titullit kundër Tottenham Hotspur në “Anfield”, shkaktuan një sërë dridhjesh sizmike, kanë zbuluar shkencëtarët e një universiteti.

Skuadra e drejtuar nga Arne Slot siguroi titullin e 20-të në elitën e futbollit anglez me një fitore bindëse 5-1 ndaj Tottenhamit, përpara një stadiumi të mbushur më 27 prill.

Dridhja më e fortë u shkaktua nga goli i Alexis Mac Allister në minutën e 24-t, i cili e kaloi Liverpool-in në epërsi 2-1 dhe u regjistrua me një magnitudë maksimale prej 1.74 në shkallën Rihter.

Të dhënat u regjistruan nga sizmologët e Universitetit të Liverpool-it duke përdorur pajisje që zakonisht përdoren për të zbuluar tërmete.

Studimi u krye nga Dr Antoine Septier, Dr Farnaz Kamranzad dhe profesori Ben Edwards nga Departamenti i Shkencave të Tokës, Oqeaneve dhe Mjedisit në bashkëpunim me klubin.

“Ashtu si ngjarjet natyrore sizmike, këto gola shkaktuan shpërthime të lëkundjeve të tokës, të nxitura nga pasioni i jashtëzakonshëm i tifozëve të Liverpool-it,” tha profesori Ben Edwards.

“Entuziazmi i tyre ishte fjalë për fjalë aq i fuqishëm sa të lëvizte Tokën.”

Të dhënat treguan se turma prej 60,415 tifozësh gjeneroi aktivitet të vërtetë sizmik, veçanërisht si reagim ndaj golave gjatë ndeshjes.

Dridhja e dytë më e madhe, me magnitudë 1.60, u regjistrua pas golit të Mo Salah përpara tribunës “Kop” në pjesën e dytë.

Përpjekja e Cody Gakpo-s u mat me 1.03, autogoli i Destiny Udogie me 1.35 dhe barazimi i përkohshëm i Luis Diaz (që fillimisht u anulua) me 0.64.

Dr Farnaz Kamranzad tha se, megjithëse dridhjet ishin të vogla dhe nuk ndiheshin në tribunat e stadiumit, ato ishin të mjaftueshme “për të lënë një gjurmë të qartë dhe të qëndrueshme në Anfield”.

“Çdo brohoritje, çdo festim, lë një gjurmë nën këmbët tona – një gjurmë sizmike e gëzimit kolektiv, e shkruar në kujtesën e Tokës shumë kohë pas fishkëllimës së fundit,” tha ajo.

Dr Antoine Septier tha se shpresonte që ky eksperiment të frymëzojë një brez të ri sizmologësh.

“Shpresoj që shfaqja e këtyre të dhënave të nxisë ide inovative për aplikime të mundshme, ndoshta edhe për të përmirësuar përvojën në stadium,” tha ai.